Komisarët e Tiranës i vazhdojnë himnet dhe elozhet për Albinin

0
21

Dy komesarët e Vetëvendosjes nga Tirana, Boiken Abazi dhe Arbër Zaimi, kanë vazhduar të lartësojnë idhullin e tyre, Albin Kurtin. Një ditë para mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, Abazi dhe Zaimi kanë shkruar Albin Kurti është shpëtimi për bashkimin kombëtar dhe për të luftuar servilët dhe dëgjuar njerëzit që nuk kanë pushtet.

Arbër Zaimi dhe Boiken Abazi po e vazhdojnë fushatën pro Albin Kurtit e kundër Dardan Molliqajt.

Anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes kanë thurur lavde për Kurtin vetëm një ditë para mbajtjes së mbledhjes partiake, ku pritet të vendoset për zgjedhjet e brendshme si dhe për akuzat e krahut të Dardan Molliqajt.

Sidoqoftë, Boiken Abazi tërthorazi është marrë me ironizimin e Dardan Molliqajt me temën e bashkimit kombëtare. Molliqaj kishte thënë se më këtë temë Kurti më shumë ishte marrë duke recituar poezi me rima e jo siç e kanë në Programin partiak.

Abazi ka thënë se vetëm VV me Kurtin e kanë të qartë idenë e bashkimit kombëtar.

“Po të kishte qenë e tillë nuk do të ishte themeluar kurrë, pasi në Kosovën e pasluftës, pas tradhëtisë së çështjes kombëtare që bënë partitë e dala nga lufta, dhe pas vendosjes së një sistemi neokolonialist ndërkombëtar, mbizotëronte frika për të thënë të vërtetën dhe ngarendja pas interesit të ngushtë personal, në dëm të idealeve dhe aspiratës kombëtare. Prandaj, Lëvizja VETËVENDOSJE! ka qenë dhe mbetet Lëvizje popullore që gëzon popullaritet! Kjo i tremb kundërshtarët tanë politikë”, ka shkruar Abazi.

Komesari tjetër, Arbër Zaimi, ka bërë thirrje t’i jepet mundësia Albin Kurtit për të ‘shpëtuar Kosovën”.

“Unë nuk e di se a do të mbërrijë Lëvizja, apo qoftë dhe Albin Kurti të jetë një subjekt i tillë, që synon ta transformojë pushtetin e ta tejkalojë gardhin e servilizmit të pashmangshëm për ta dëgjuar zërin e të papushtetshmëve. Por di që janë të vetmit këtu tek ne që të paktën e kanë këtë premtim, ndaj ia vlen të përpiqemi (ama sinqerisht) deri në fund për ta parë sa seriozisht e ka, qoftë Lëvizja, qoftë Albini”, ka shkruar Zaimi.

Ndërkohë, për të dielën, grupi që përkrahë Kurtin, kanë mbledhur nënshkrimet dhe kanë thirr Këshillin e Përgjithshëm të Vetëvendosjes. Aty, pritet të shpallen zgjedhjet e reja dhe të caktohen edhe kriteret e atyre që pritet të jenë pjesë e garës.

Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e fundit doli partia e parë. Por, dështoi në shumicën e komunave për të fituar pushtetin. Sidoqoftë, arriti fitore në tri komuna: Prishtinë, Prizren e Kamenicë.

Edhe pse mospajtimet kishin nisur para një vit zyrtarët e Vetëvendosjes arritën ta mbajnë të mbyllur dhe të mos e qesin në publik dallimet.

Akuzat shpërthyen kur doli në publik një fyerje e Aida Dërgutit drejtuar Albin Kurtit. E quajti mut.

Pati edhe akuza tjera derisa një zyrtare e Vetëvendosjes e quajti Dardan Molliqajn e Dukagjin Goranin njerëz të SHIK’ut të Kadri Veselit.

Visar Ymeri, kryetar formal i VV’së, kërkoi një kryetar konsensual për të mos u prishur Lëvizja Vetëvendosje. Tha se është i gatshëm të vazhdojë udhëheqjen e Partisë nëse një gjë e tillë i kërkohet. Hapur doli kundër një zgjidhje që do t’i përjashtonte një pjesë të zyrtarëve të VV’së. Majde, tha se mund të ketë ndarje të Vetëvendosjes.

Ndarjen e ka paralajmëruar edhe Dardan Molliqaj, i cili tha se nuk janë pak kundërshtarët e Kurtit brenda VV’së. Madje, tha se edhe PDK dikur i thoshte Vetëvendosjes se është e vogël por rezultatet janë tjera.

Lëvizja Vetëvendosje kishte nisur rrugëtimin si OJQ për të kundërshtuar planet dhe misionet ndërkombëtare në Kosovë. Kishin organizuar protesta kundër Pakos së Ahtisaarit, e cila solli pavarësinë. Kishin organizuar edhe protesta kundër UNMIK’ut e EULEX’it. Kishin kundërshtuar Qeverinë për dialogun me Serbinë. Kishin mbajtur edhe protesta të dhunshme.

Ndërkohë, prej se kanë dalë partia e parë, më nuk kanë përmendur protesta, as gazin lotsjellës. Ka një javë që në mënyrë intensive po merren me partinë e tyre. Ndërkohë, Albin Kurti po vazhdon të mbahet në paraburgim për shkak të seancave që po zhvillohen për gazin lotsjellës në Parlament.

Ndërkohë, përplasjet ndërmjet udhëheqësve të Vetëvendosjes dolën kur u publikua një komunikim i deputetes Aida Dërguti, e cila e quan mut Albin Kurtin.

Asnjë fjalë për ndarjen e Vetëvendosjes në dy krahë nuk e ka thënë Shpend Ahmeti, njeriu i dytë për nga ndikimi në Vetëvendosje. Ka zgjedhur heshtjen derisa ka marrë pjesë në secilën mbledhje partiake ku është diskutuar për këtë çështje.

__________________________________

Shkrimi i plotë Arbër Zaimi

Kudo ku ka pushtet, mblidhen rreth e rreth servilë e oportunistë – kjo vlen për të shkuarën e për të ardhmen, për pushtetin e mirë dhe për pushtetin e keq, në të gjitha kontinentet.

Servilët në marrëdhëniet që ndërtojnë me mbajtësin e pushtetit janë konservatorë. Kanë frikë nga ndryshimet sepse secili ndryshim mund ta rrezikojë “rehatinë” e tyre.

Por, si bëhet progresi (përmes pushtetit), duke patur parasysh një të dhënë të tillë, një vështirësi që paraqitet e pashmangshme, si puna e kësaj?

Progresi mbërrihet në dy rrugë, që mirë është të mos e përjashtojnë njëra-tjetrën por të jenë në gërshetim. E para ekzogjene, e dyta endogjene.

Rruga ekzogjene e informon, e transformon dhe e formëson pushtetin së jashtmi, përmes aktivitetit të pandalshëm të popullit, dmth. të të papushtetshmëve që bashkojnë aq shumë zëra të dobët sa që arrijnë të bëhen zëri më i fortë në vesh të pushtetit, duke tejkaluar izolimin akustik që bëjnë servilët.

Rruga endogjene ka të bëjë me atë subjekt (organizatë, njeri) pushtetmbajtës që di të shohë e të dëgjojë përtej gardhit të lartë të servilëve, që e kupton se “ndalja” është “vdekje” dhe se “udha” është “jetë” – e kësisoj bëhet udhëheqës, apo siç i thonë anglisht ‘leader’. Një subjekt i tillë figuron që në imagjinatën e të lashtëve, nëpër epe, si ai që “drejton të shtrembrën e u jep sy të pasyve”.

Unë nuk e di se a do të mbërrijë Lëvizja, apo qoftë dhe Albin Kurti të jetë një subjekt i tillë, që synon ta transformojë pushtetin e ta tejkalojë gardhin e servilizmit të pashmangshëm për ta dëgjuar zërin e të papushtetshmëve. Por di që janë të vetmit këtu tek ne që të paktën e kanë këtë premtim, ndaj ia vlen të përpiqemi (ama sinqerisht) deri në fund për ta parë sa seriozisht e ka, qoftë Lëvizja, qoftë Albini.

___________________________________________

Shkrimi i plote i Boiken Abazi

Popullorja, populistja, folku, dashuria dhe Lëvizja

“Popullore” dhe “populiste” janë dy terma që nuk mund të barazohen, edhe pse ato shpesh keqpërdoren. Të thuhet që dikush është popullor sepse bindjet dhe veprimin i ka në një linjë me vullnetin e shprehur dhe aspiratën e një populli, nuk do të thotë që personi është edhe populist. Një prej dallimeve kyç mes personit popullor dhe atij populist, është që populisti përdor frikën dhe dëshirat e vogla të një populli, pa besuar në to, për interesa të ngushta pushteti. Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk ka qenë kurrë populiste. Po të kishte qenë e tillë nuk do të ishte themeluar kurrë, pasi në Kosovën e pasluftës, pas tradhëtisë së çështjes kombëtare që bënë partitë e dala nga lufta, dhe pas vendosjes së një sistemi neokolonialist ndërkombëtar, mbizotëronte frika për të thënë të vërtetën dhe ngarendja pas interesit të ngushtë personal, në dëm të idealeve dhe aspiratës kombëtare. Prandaj, Lëvizja VETËVENDOSJE! ka qenë dhe mbetet Lëvizje popullore që gëzon popullaritet! Kjo i tremb kundërshtarët tanë politikë.

Termi “folk” e ka prejardhjen nga gjuhët gjermanike dhe anglo-saksone, dhe është një term që i referohet popullit, njerëzve të thjeshtë, ose vetë kombit. Për pasojë “Folku” dhe “populli” janë përdorur edhe si terma të ndërshkëmbyeshëm. Por nëse do të bënim një dallim mes “folkut” dhe “popullit”, i pari do të lidhej më shumë me identitetin, traditat dhe trashëgiminë shpirtërore dhe materiale të një kombi, ndërsa i dyti do të lidhej më shumë me angazhimin politik. Çdo angazhim masiv popullor ka brenda të njëjtit vektor edhe “popull” edhe “folk”, pra edhe politikë edhe përbashkim shpirtëror. “Folku” brumos dashurinë e çdo njeriu për popullin dhe atdheun e vetë përmes folklorit – kulturës dhe trashëgimisë popullore – të dalë nga vetë populli. Partikularja shqiptare, e shprehur përmes folklorit, është forma me përmbajtje që shpreh vlerat universale të kombit shqiptar. Universalja nuk është e zbrazët. Këtë e ka kuptuar mirë, dhe që herët, edhe UNESCO, që ka listuar trashëgiminë kulturore materiale shqiptare – Gjirokastrën, Beratin dhe Butrintin – si vendndodhje unike të trashëgimisë botërore, por me vlera universale. Dhe njëlloj ka vepruar UNESCO edhe kur e ka listuar iso-polifoninë shqiptare si pjesë të trashëgimisë shpirtërore botërore me vlera për gjithë njerëzimin.

Të tentosh të anulosh një shprehje si të pavlerë, pa u marrë me domethënien e saj, dhe vetëm nga që buron prej folklorit të një populli, është të tentosh të anulosh vetë “folkun”, për pasojë edhe vetë popullin. Në thelb kjo është tentativë për të eliminuar dashurinë e farkëtuar përmes përbashkimit shpirtëror. Populli e di që folklori dhe turbo-folku (degradimi i folklorit) nuk janë e njëjta gjë. Analisti i pushtetit antipopullor, dhe ata që e mendojnë si ai, edhe kur e dinë këtë gjë nuk duan ta pranojnë. Analisti i pushtetit anitpopullor preferon gjithnjë të merret vetëm me interesin e ngushtë individual, jo me aspiratat kolektive. Analisti i pushtetit antipopullor tenton të shfaqet përherë si njeriu racional i përllogaritjeve, i atyre llogarive që bëhen me letër e laps, por përherë në kurriz të popullit! Përllogaritjet pa dashuri përfundojnë vetëm në interes të ngushtë personal. Të ishte vetëm çështje llogarish, shqiptarët nuk do e kishin shpallur kurrë Pavarësinë në vitin 1912. Të ishte vetëm çështje llogarish, UÇK-ja nuk do të ishte themeluar kurrë. Të ishte vetëm çështje llogarish, Lëvizja VETËVENDOSJE! as nuk do të kishte ekzistuar. Me rritjen dhe zhvillimin e saj, Lëvizja ka dëshmuar se kush merret vetëm me llogari, nuk i dalin asnjëherë hesapet.

Bashkimi kombëtar nuk mund të jetë vetëm çështje llogarish të ftohta me letër dhe laps. Ai është pikë së pari çështje dashurie për popullin dhe atdheun, dashuri për njeri-tjetrin dhe për lirinë kolektive. Nësë do të ishtë vetëm çështje llogarish, pa dashuri, atëherë dikush mund të dilte edhe në konkluzionin se do të ishte më mirë nëse Kosova bashkohej me një superfuqi botërore, dhe jo me Republikën e Shqipërisë. Në bashkimin me superfuqinë, njëmend mund t’i dilnin llogaritë dikujt në nivel personal. Ama, kjo lloj llogarie do të ishte degjenerim i përpjekjes për liri kolektive dhe sovranitet. Do të ishte aneksim nga një shtet tjetër, por jo edhe bashkim për çlirim dhe emancipim.

Lëvizja është e ndërtuar mbi dashurinë, dhe e faktorizon dashurinë në çdo llogari që bënë drejt përmbushjes së aspitarës kombëtare. Prandaj, Lëvizja nuk ka vetëm Program Politik dhe Statut, por i tha edhe mbështetësve të saj në fushatat zgjedhore të zhvilluara sivjet në Kosovë se ndryshimi bëhet ME ZEMËR!

Lexo më shumë në: http://www.gazetaexpress.com/lajme/komisaret-e-tiranes-i-vazhdojne-himnet-dhe-elozhete-per-albinina-475385/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here