Islami e shqiptaria, një zënkë e përhershme?

0
20

Dush GASHI

Fjala «islam» lidhet edhe me fjalën «paqe». Në botë është vështirë të gjesh një mendim më paqësor e më humanist se ky: «Në qoftë se dikush vret dikë që s’ka vrarë askënd, apo atë që në botë nuk shkakton trazira, – sikur t’i ketë vrarë të gjithë njerëzit».

Por, shqiptaria (shqiptarizmi) disi është në mospajtime të përhershme me islamin. Apo, më saktë: me ato që përpiqen të na i paketojnë bashkë me islamin. Me lejimin e përhapjes së islamit radikal shkruam një faqe të zezë në historinë tonë kombëtare, ndërsa as këtij të «moderuarit» nuk po ia bëjmë vendin si duhet.

Disa autorë shqiptarë, me gjithë qëllimin e mirë për të demaskuar islamin politik, shkojnë tepër larg në këtë drejtim, sa mendojnë se duhet stigmatizuar gjithçka që mban shenjë islame e arabe. Ndonjëherë, në mënyrë përçmuese e cilësojnë si «besim i beduinëve të shkretëtirës», thua se të jetosh në shkretëtirë nuk është njësoj si të jetosh kudo tjetër në një mjedis me burime më të pakta e kushte më të vështira të jetesës. E pavërteta nuk është mjeti i duhur as për qëllime të mira!

Ngritja e hovshme

Islami, në hovin e ngritjes së tij nuk është përhapur vetëm me shpatë. Po të mos ishte joshës edhe me ide e organizim shoqëror, nuk do të arrinte të shtrihej në territore të cilat deri atëherë i mbanin dy perandoritë më të mëdha të kohës – Bizanti e Persia. «Është kjo sikur sot eskimezët të nisnin ekspedita pushtuese kundër ShBA-ve e Rusisë», bën një krahasim një historian perëndimor. Nën flamurin e islamit, «për pesëdhjetë vite, beduinët, fise barinjsh nomadë në shkretëtirë, kanë punuar në administratë shtetërore, ndërsa për dyqind vjet kanë arritur deri në Spanjë», thotë një historian amerikan.

Ka shumë histori që dëshmojnë për këtë civilizim të lartë. Megjithatë, meqë jam larg të qenit njohës i mirë i historisë së besimit e të civilizimit islam, preferoj ta tregoj këtë në vazhdim, duke besuar se burimin dhe vërtetësinë e saj nuk e konteston askush – dokumentarin «Kalifi» (Halifa) të televizionit Al Jazeera Balkans, ndërsa ngjarjen e tregojnë me dallime të vogla edhe faqet fetare në internet. Historia thotë se, kur kalifi Omer, pasardhësi i dytë i profetit Muhamed pas Ebu Bekrit, pasi ushtritë e islamit e kishin pushtuar pjesën më të madhe të Levantit dhe qytetet kryesore të tij, e kishte rrethuar Jerusalemin, patriku Sofron i këtij qyteti nuk kishte ushtri. Ai kishte propozuar armëpushim, me kusht që Omeri personalisht të vijë në dorëzimin e Jerusalemit.

Vetëm për Jerusalemin, i cili atëherë e deri sot konsiderohet si vend i shenjtë për tri besimet e mëdha monoteiste: judaizmin, katolicizmin e islamin, Omeri ka qenë i gatshëm të niset në udhëtimin e tij të parë e të fundit si kalif. Ka shkuar në gamile, vetëm me një ndihmës, Eslemin. Kur kanë arritur në Jerusalem, i ka ardhur rendi Omerit që ta tërheqë gamilen, ndërsa Eslemi të shkojë hipur. Në qytet ka hyrë në këmbë. Patriarku Sofronie Omerit i ka dëshiruar mirëseardhje dhe ia ka dhënë çelësin e qytetit dhe pastaj e ka ftuar në lutje në Bazilikën e Varrit të Shenjtë, kishën më të shenjtë të të krishterëve.

Por, Omeri ka thënë se nuk do të lutet në të. Kur patriarku e ka pyetur pse, Omeri është përgjigjur: «Në qoftë se unë lutem aty, myslimanët do të vijnë dhe do të duan të luten aty. Do t’ua marrin kishën, kurse unë dua të mbetet e juaja».

Në vend të saj, Omeri është lutur në afërsi të kishës. Më vonë në atë vend është ngritur xhamia, e cila e mban emrin e kalifit. Deri me ditën e sotme, kopja e zotimit, të cilën Omeri ua ka bërë të krishterëve të Jerusalemit për mbrojtje të jetëve të tyre, pasurisë, kishave dhe kryqeve dhe të bashkësisë fetare, mund të shihet në muret e kësaj xhamie. Jerusalemi ishte bërë qytet, në të cilin bashkërisht mund të ekzistojnë të gjitha besimet fetare. «Ka aq shumë tregim për Omerin, komandantin puritan, por në rrugë drejt Jerusalemit ai është paraqitur në dritën më të mirë», vlerëson një historian.

Pasi që myslimanët kanë marrë tërë kontrollin mbi Levantin, ata janë nisur në perëndim dhe e kanë pushtuar Egjiptin. Sipas po të njëjtit dokumentar, në lindje ushtria e kalifit ka triumfuar ndaj Sasanidëve afër El-Kadisit dhe është nisur drejt kryeqytetit të tyre, Ktesifon. Atë kohë ka qenë qyteti më i madh në botë. Në tetor të vitit 644, në kulm të fuqisë, deri sa po e falte sabah-namazin, Omerin e vret një rob i pakënaqur persian. Por, çasti tek i cili dua të dal, ka ndodhur vite më vonë.

Kthesa historike

Në ndërkohë, treguar në pika të shkurtra, ndodhin kryengritje kundër vetë kalifatit, kalifi Osman vritet nga vetë dora e myslimanëve. Në një gjendje kaotike në Medinë, nën presionin e kryengritësve, Aliu, kushëri e dhëndër i profetit, bëhet kalifi i katërt, shpallje të cilën shumica e myslimanëve nuk e pranojnë, ndodh lufta e parë qytetare në mesin e myslimanëve, por jo edhe e fundit. Kryengritësi Muavija, sundimtari i Damaskut, arrin të fusë përçarje në ushtrinë e kalifit, disidentët nga e cila edhe e vrasin. Është janari i vitit 661 dhe, pas tri dekadash, epoka e kalifëve rashidunë ka marrë fund.

Profesori jordanez i historisë së Islamit, Saleh az-Zanadiqa ka një vlerësim për këtë moment kyç në historinë e Islamit: «Ka shpërthyer konflikti ndërmjet kalifit, njeriut të rreptë e të devotshëm, dhe Muavijas politikisht të mençur. Me këtë shohim në vepër triumfin e politikës mbi modestinë e devotshmërinë.» Muavija nga konflikti del si fitimtar dhe e themelon kalifatin e Emevive. Dinastia e re nuk ishte para së gjithash fetare, dhe kalifati gjithnjë e më shumë i përngjante monarkisë. Modestia dhe devotshmëria, pra, lëshojnë rrugë para politikës.

E njëjta gjë ka ndodhur pak a shumë edhe me besimin katolik. Ndonëse krishterimi është reformuar dhe sot, mendoj se papës aktual meriton t’i dëgjohet secila fjalë që e flet (siç e meritojnë, sigurisht, edhe shumë dinjitarë e mendimtarë të islamit), gjatë shumë shekujve nuk ka qenë «vëllazëri e lirë, e përshkuar me besim, shpresë e dashuri», siç ishte në fillimet e tij. Erich Fromm, në librin e tij «Dogma mbi Krishtin», bën të ditur se më vonë, kur kanë ndryshuar rrethanat historike e, sidomos, pasi që krishterimin e kanë përqafuar edhe të pasurit dhe pushtetarët, atëherë është shfaqur monarkia absolute dhe feudalizmi. Më vonë, për të mbrojtur dogmën dhe pushtetin absolut, është krijuar edhe inkuizicioni i tmerrshëm. Me një fjalë, shtetet e sotme të botës islame sigurisht se më parë janë krijesa politike, se sa fetare. Madje, vetë Arabia Saudite, e cila zyrtarisht e ka Kuranin në kushtetutë dhe sheriatin ligj, sipas disa organizatave perëndimore vlerësohet ndër shtetet më totalitare të botës.

Pse atëherë myslimanët tanë duhet të jenë të preokupuar më shumë me shtetet arabe, apo me Turqinë, se sa me të gjitha shtetet tjera të botës? Po t’i shikosh disa portale tona në internet, ndonëse kanë edhe lajme nga vendi e bota, megjithatë fokusimi aq i fortë i tyre në shtetet arabe, një njeri të pa udhëzuar do ta bënte të mendojë sikur edhe ne përkasim atje? Po të ishin këto portale të dedikuara për ata që për shkak të profilizimit të tyre profesional të politikës së jashtme e përcjellin politikën e shteteve të lindjes, edhe do të kishte kuptim. E keqja është se ato i dedikohen një publiku të gjerë dhe se «ne përkasim andej» mund t’i bëjë të mendojnë edhe shumë të rinj, të cilët me arsimimin e paktë që mund të kenë zor se do të mund t’i vënë këto lajme në një kontekst të duhur e të pranueshëm për ne. Kur kësaj i shtohet edhe ndonjë fejton me temë se si «CIA kontrollon botën», atëherë nuk është vështirë të konstatohet se kush është «satani» i botës dhe krijimi i ndjenjave anti-perëndimore e antiamerikane tek lexuesit është qëllim i arritur.

Për dallim prej disa të shkolluarve të sotëm, pleqtë tanë tradicionalë, të paarsimuar dhe të pa ngarkuar me asnjë ideologji, madje as me atë kombëtare, por besimtarë po, të cilët e kishin vizituar Mekën, pas përjetimeve të atjeshme, i kam dëgjuar më shumë se njëherë të thonë: «Pos fesë, ne me arap’t s’na lidhë kurgjâ».

Pse tash duhet të jetë ndryshe? Pse të mos i vlerësojmë kombet dhe shtetet për nga autoritarizmi a demokracia e tyre, roli i tyre pozitiv a ngatërrestar në botë si dhe për nga qasja që kanë ndaj vendit tonë – na duan të tillë çfarë jemi, apo duan të na modelojnë sipas dëshirave dhe interesave të tyre?

Islami e Europa

Për fat të keq, shumica e shteteve myslimane-arabe qëndrojnë në anën negative të këtyre dualizmave, madje, Amin Maalouf, libanezi, i cili ka arritur të jetë anëtar i Akademisë franceze, në librin e tij tashmë të njohur edhe ndër shqiptarët, «Çrregullimi i madh», botën arabe-myslimane e konsideron as më pak as më shumë se pjesën më problematike të planetit. Ajo «po zhytet thellë në një <pus> historik prej nga, si duket, nuk ka forcë të tërhiqet; ajo ndjehet e zemëruar ndaj tërë botës – perëndimorëve, rusëve, kinezëve, indianëve, hebrenjve, etj. – e para së gjithash ndaj vetvetes», shkruan ai.

Mbase është e tepërt të thuhet se t’i implikosh shqiptarët, një komb të vogël me dy shtete të pakonsoliduara, në vorbullën e ndasive, sektarizmit, kontradiktave dhe konflikteve të botës arabe-myslimane është një shërbim i keq që ua bën atyre. Ndërsa, t’i nxisësh kundër Perëndimit – kjo vërtet është e pafalshme! Është e habitshme se si në sytë e të rinjve të sotëm mund të duket joshëse ajo pjesë e lindjes që është antiperëndimore. Malouf, i cili, ndonëse jo apologjet i Perëndimit, civilizim të tijin dhe referencë kryesore e konsideron mu atë të Perëndimit, thotë: «Sidomos në gjashtë shekujt e fundit, nuk ka asnjë lëmi të dijes, krijimtarisë, prodhimit apo organizimit shoqëror, i cili sot nuk e mban shenjën e Europës dhe shtrirjes së saj amerikano-veriore. Madje, edhe njerëzit të cilët luftojnë kundër ndikimit të Perëndimit e bëjnë këtë para së gjithash me instrumentet materiale apo intelektuale, të cilat vetë Perëndimi i ka shpikur dhe i ka përhapur në pjesën tjetër të botës».

Po ashtu, është për keqardhje se si shumë bashkëvendës tanë mund t’i ndjejnë ashtu të afërta shtetet arabe, deri sa shumica syresh nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës, ndërsa para sa ditësh, ambasadori i Palestinës në Beograd, jo vetëm që i pohonte Aleksandar Vuçiqit se shteti i tij nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, por edhe e siguronte se do të mbështesë integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë dhe se kudo në organizatat ndërkombëtare do të votojë kundër anëtarësimit të Kosovës.

Sikur besimet fetare të mos merreshin si dogmë, atëherë njeriu i sotëm të gjitha ato do t’i konsideronte si të arritura kulturore të mbarë njerëzimit, gjatë emancipimit të tij dhe shumë norma të tyre, sidomos ato morale, qoftë të budizmit, krishterimit apo të islamit, edhe sot e kësaj dite mund të konsiderohen si të dobishme dhe frymëzuese. Ndasitë e sotme identitare po ashtu janë të pakuptueshme, deri sa besimet e mëdha monoteiste, si edhe budizmi, mësimet e tyre i kanë konsideruar universale mu nga njohuria e arritur se njerëzit, pos që i përkasin një populli të caktuar, njëkohësisht janë edhe pjesë e njerëzimit.

Por edhe besimtarët do të duhej të kenë parasysh se islami është besim universal, prandaj për ta do të duhej të jetë njësoj prej nga është një mysliman – nga Egjipti, Indonezia, Shtetet e Bashkuara, Kili apo Argjentina. Këtë po përpiqej ta thoshte edhe akademiku zviceran, Tariq Ramadan, gjatë qëndrimit të para do vitesh në Prishtinë e në Tiranë, ku mbajti ligjërata dhe dha ndonjë intervistë, por është e çuditshme se qëndrimet e tij nuk patën ndonjë jehonë më të madhe ndër shqiptarët dhe nuk nxitën ndonjë debat të mëtejmë mes besimtarëve dhe institucioneve të tyre.

Islami është besim universal, prandaj për ta kultivuar nuk keni nevojë të mbështeteni tek arabët, aq më pak të dukeni si arabë apo turq; mjafton që ta lexoni Kuranin – janë pak a shumë porositë e tij, të cilat edhe sot e kësaj dite mund të dëgjohen nëpër videot e publikuara në shumë kanale në YouTube e me përkthim në gjuhën shqipe. Pra, se islami burimor mund të kultivohet pa problem në kontekstin kulturor europian-perëndimor – një porosi kjo që do të duhej të përqafohet natyrshëm nga besimtarët shqiptarë?

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here