Turistët, pas polakëve Shqipëria këtë vit e preferuar nga …

0
21
Beautiful Ionian Sea with clear turquoise water, wooden pier and morning summer coast view from beach (Ksamil, Albania).

Në 2017-n ishin polakët ata që “zbuluan” Shqipërinë. Agjencitë polake prenotuan që në dimër hotelet në Golem dhe në verë turistët zbarkuan në bregdetin shqiptar. Sipas INSTAT, për periudhën janar nëntor, Shqipërinë e vizituan 115 mijë polakë, me një rritje të ndjeshme prej 75% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ardhja e turistëve polakë nxiti dhe hotelet të bashkëpuninin dhe të fillonin dhënien e ofertave “all inclusive” (të gjitha të përfshira).

 

Interesi nga Europa Qendrore për të prenotuar në Shqipëri edhe këtë vit ka qenë i lartë. Rrahman Kasa, Kryetar i Unionit Turistik Shqiptar dhe Menager i Happy Tours, pohon për Monitor se Kanë vijuar të prenotojnë çekët, sllovakët, shtetas nga vendet skandinave. Vihet re një numër në rritje i ukrainasve. Krahasuar me një vit më parë, ka rritje të prenotimeve në tërësi me 40%. Sipas z.Kasa, 90% e kapacitetit të hoteleve janë rezervuar që tani.

Një tjetër agjenci që ka hyrë këtë vit në tregun shqiptar është Alpitours nga Italia, e cila pritet të sjellë italianë, kryesisht në jug të vendit.

Por, interesi i lartë i turistëve nuk po gjen të njëjtën përgjigje nga  institucionet shtetërore.

Kasa thotë se problemi më i madh që kanë partnerët turistikë të Shqipërisë është infrastruktura. “Kjo infrastrukturë konsiston në rrugë me pluhur me baltë, me tregtarë ambulantë që shesin nëpër tezga. P.sh., zona e Golemit momentalisht është në një gjendje katastrofike, është hapur rruga, balta është e madhe. Europianoqendrorët që vijnë në këtë zonë, këtë vit do të mërziten n.q.s. do të shohin që nuk është bërë asgjë nga viti i kaluar”, pohon ai.

Sipas INSTAT, për 11 mujorin 2017, në Shqipëri hynë gjithsej 4.86 milionë shtetas të huaj, (me një rritje prej 7.8% me bazë vjetore), gjysma e të cilëve ishin për qëllime turistike.

Dukuria më tipike e vitit të kaluar ishte rënia e dukshme e turistëve nga Kosova, me 20%, apo rreth 400 mijë turistë më pak, si një dëshmi se problemet afatgjata të turizmit shqiptar herët a vonë do të ndikojnë negativisht dhe tek turistët e rinj, që sapo e kanë zbuluar Shqipërinë.

Për 11 mujorin, rritje të dukshme, përveç polakëve shënuan dhe italianët (40.7%), gjermanët (45.9%), maqedonasit (13.6%), anglezët (26%), grekët (21.1) etj.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here