Dokumenti/ Si u vra Idhomene Kosturi në 1943, 24 orë pasi u zgjodh kryeparlamentar

0
18

Me datën 5 nëntor të vitit 1943, herët në mëngjes, Rruga Tregtare e Durrësit u trondit nga krisma e një arme. Më pas u mor vesh se ishte vrarë Idhomene Kosturi, Kryetari i Kuvendit Kombëtar i cili banonte në atë rrugë të Durrësit. Ai u vra në derën e vilës së tij në kohën kur po dilte për të shkuar në Tiranë. Kishte vetëm 24 orë që ishte zgjedhur në detyrën e Kryetarit të Kuvendit Kombëtar dhe shkonte në kryeqytet për të ushtruar funksionet e tij.

 

Durrsakët mësuan më vonë se atentati ndaj Kosturit ishte vendosur nga Qarkori i Partisë së Durrësit ndërsa ishte zbatuar nga njësiti gueril i qytetit.Për të vrarë Idhomenen ishte përzgjedhur Kolë Laku,një i ri komunist 22 vjecar nga qyteti i Durrësit.Ai pasi e kishte studiuar situatën kishte përzgjedhur mëngjesin si kohën më të përshtatëshme për të ekzekutuar kreun e parlamnetit.Me datën 5 nëntor,rreth orës 07 e 45 minuta ai u gjend përpara vilës së Kosturit dhe në momentin që ai po bëhej gati të hipte në makinë e qëlloi fare nga afër me një plumb në kokë  duke e lënë te vdekur në vend.

 

Vrasja e Kosturit vuri në lëvizje Gestapon e cila në muajin shkurt të vitit 1944 arriti ta arrestojë atentatorin Kolë Laku i cili u dënua me vdekje me varje në litar.Vendimi u ekzekutua në muajin mars të atij viti.

 Cili ishte Idhomene Kosturi
Idhomene Kosturi
(Idhomene Kosturi)

Idhomene Jovan (Cico) Kosturi është një figurë interesante e cila cuditërisht është lënë në  harresë nga historiografia shqiptare. Një personazh plot me dritë dhe hije që e gjejmë në momentet kyce të historisë së vendit tonë kur vendosej për fatet e tij. E gjejmë në Kongresin e Lushnjes,e gjejmë krah Fan Nolit në Revolucionin Demokratik të Vitit 1924 sic e gjejmë edhe në krye të parlamentit në kohën kur vendi ishte pushtuar nga Gjermania naziste.

Ai u  lind me 15 Maj 1873 në qytetin e Korcës. Është i pari kryetar parlamenti i vrarë në historinë e vendit tonë për motive politike.

Mësimet fillestare i mori në qytetin e tij të lindjes në Korcë dhe më pas i vazhdon ato në Boston të Amerikës dhe në Gjermani në degën e historisë.Më pas kthehet në Shqipëri në prag të shpalljes së Pavarësisë dhe i përkushtohet cështjes kombëtare.Admirues dhe ndjekës i fesë ortodokse me qendër në Boston.Është delegat i Kongresit të Durrësit në vitin 1918 si dhe në Kongresin e Lushnjes në vitin 1920.Ky kongres e zgjodhi Drejtor të Postëtelegrafës Shqiptare.Gjatë krizës politike të dhjetorit të vitit 1921 u emërua kryeministër i qeverisë teknike.Gjatë pushtimit fashist ai qëndroi i mënjanuar por në tetor të vitit 1943 mori pjesë dhe u zgjodh Kryetar i Kuvendit Kombëtar (parlamentit)Shqiptar në kohën e pushtimit gjerman.Pikërisht për shkak të kësaj detyre u ekzekutua nga njësiti gueril i Durrësit.

Detyrat dhe aktiviteti
Idhomene Kosturin e gjejmë në detyra mjaft të rëndësishme gjatë karrierës së tij. Është N/Kryetar i “Komitetit Kombëtar të Fshehtë Shqiptar”(KKFSH)1886. Është Adhuronjës i Parë i Kishës Ortodhokse Shqiptare me Qendër në Boston(1907).

Adhuronjës i Parë i Kishës Orthodhokse Shqiptare me Qendër në Durrës(1913).
Komandant i Cetave në vitet 1907-1918 si dhe në Luftën e Parë Botërore (1914-1918).
Arkëtar i Komitetit “ Përparimi” i krijuar nga Kongresi i Elbasanit.
Delegat i Kongresit të Durrësit dhe të Lushnjes,

Drejtori i Postëtelegrafës Shqiptare i emëruar në Kongresin e Lushnjes në qeverinë e kryesuar nga Sulejman Delvina.
Në vitin e vështirë 1921 zgjidhet Kryeministër i Shqipërisë në “Qeverinë e Tranzicionit” .
Tre vjet më vonë gjendet në krah të Fan Nolit si themelues, organizator, drejtues i “Revolucionit Demokratik të Qershorit” të vitit 1924.Emërohet  Zv/Kryeministër i Shqipërisë në  Qeverinë Demokratike me Kryeministër Fan  Nolin, qershor-dhjetor 1924.
Zgjidhet deputet i Korcës në zgjedhjet e 1 tetorit të vitit 1943.

Zgjidhet Kryetar i Komisionit të Letër Përfaqësimeve të Kuvendi Kombëtar Shqiptar 1943.
Zgjidhet Kryetar i Kuvendit Kushtetues Kombëtar Shqiptar me 25 tetor 1943 deri me 5 nëndor 1943  ditën kur u vra.
Ai është shpallur Dëshmor i Atdheut nga Këshilli i Naltë në vitin 1943.
Sic rezulton e provuar nga bisedimet e Kuvendit Kombëtar Shqiptar, 16 tetor 1943-13 janar 1944,  provohet  se Idhomen Kosturi, Kryetar Kushtetues i Kuvendit Kombëtar Shqiptar viti 1943,”shpalli të pavlefshme të gjitha ligjet dhe vendimet që ishin miratuar në periudhën 07 prill 1939  deri 14 shtator 1943“ kur Italia fashiste kapitulloi.

Stilografi
(Stilografi i Kosturit)

Kryetari pasardhës i Parlamentit, Mihal Zallari, do t’i propozonte organit legjislativ të Kuvendit që ish-sheshi “ Costanzzo Ciano” të merrte emrin e “Idhomene Kosturit“. Bëhet fjalë për sheshin që gjendet  para selisë së Parlamentit Shqiptar. Pikërisht në atë shesh me emrin “Idhomene Jovan Kosturi“, u var nga Gjykata Politike, disa muaj me vonë Kolë Laku atentatori që vrau Kosturin.

Këshilli i Naltë
(“Këshilli i Naltë”,  Padër Anton Harapi, Mehdi Frashëri, Lef Nosi, Fuat Dibra dhe sipër në mes Idhomene Kosturi).

Vendimi për atentatin
Pas zgjedhjes së Kosturit në krye të kuvendit të Shqipërisë,Qarkori komunist i Durrësit vendosi ekzekutimin e tij duke e motivuar si bashkëpunëtor të gjermanëve.

Vlash Prifti,anëtar i Qarkorit Komunist të Durrësit shkruan”I nënshkruari Vlash Nikolla Prifti,veteran i L.N.Cl.banues në lagjen nr.8 të qytetit të Durrësit deklaroj dhe vërtetoj si më poshtë vijon: e kam njohur Idhomene Kosturin si qytetar të Durrësit qysh nga viti 1933 kur unë punoja si shërbëtor pranë tregëtarit Mihal Tati pasi edhe Idhomeni ushtronte tregeti përkarshi dyqanit tonë në pallatin e tij në bulevardin e vjetër të Durrësit.

Gjatë periudhës së okupacionit fashist neve si pjesmarrës në luftën N.CL nuk e kemi njohur për aktivitet kundër luftës N.Cl por përkundrazi e njihnim si tregëtar të ndershëm dhe patriot..

Me kapitullimin e Italisë fashiste dhe me ardhjen e Nazizmit Gjerman,Idhomeni në qeverinë e kryesuar nga regjenti Mehdi Bej Frashëri,ai u zgjodh nga Asambleja Kushtetuese kryetar i kësaj Asambleje.

Për këtë arësye në nëntor 1943 njësiti gueril organizoi aksionin për eliminimin e tij fizik.Kështu mbas 24 orësh të zgjedhjes së tij në këtë funksion të lartë ,kur vetura po e priste përpara portës kryesore të banesës së tij,autori i njësitit,në kohën që po hynte në veturë,me një të shtënë mbrapa qafe,me nje pistoletë të markës “Berata”italiane e la të vdekur përtokë. Atentatori pas disa muajve u arrestua nga Gestapo dhe e dënoi me vdekje,varjenë litar në muajin Mars 1944 në Tiranë në sheshin para ish bashkisë së Tiranës.

(Faksimile deklarata )
(Faksimile deklarata )

Atentatori

Kolë Laku
(Kolë Laku)

Për ekzekutimin e Idhomene Kosturit njësiti gueril i qytetit të Durrësit zgjodhi të riun komunist Kolë Laku 22 vjec i cili kishte dhënë prova edhe në disa atentate të kryera më parë.

Ja si e përshkruan biografinë e atentatorit Kolë Laku regjimi i kaluar.
Bir punëtori dhe punëtor vetë. Kola bëri hapat e para në revolucion si i ri komunist i pranverës së vitit 1942. Njeri energjik,njeri i aksionit. Kola gjeti në Lëvizjen Nacioanalclirimtare terrenin për të kanalizuar energjitë dhe dinamizmin e tij në idealet e larta të luftës antifashiste. Pjesmarrës aktiv në demonstratat kundër pushtuesëve italianë e tradhëtarëve të vendit,i papërtuar dje i palodhur në shpërndarjen e shtypit ilegal,në mbledhje e trasnportim armësh e materiale të tjera për nevojat e luftës,punëtor që jetonte e luftonte me frymën e klasës së tij,që conte idetë e Partisë në familjet e varfëra qytetare-Kola fitoi shpejt tiparet e një luftëtari trim,modest e të vendosur.Ai u bë guerrilas dhe bashkë me shokët e tjerë të njësiteve,mësoi artin e luftës popullore në qytet,nën pushtimin e huaj.

Kola mori pjesë në shumë aksione.Por guximi,gjakftohtësia dhe mjeshtëria e tij luftarake si atentator u dukën sidomos në aksionin për vrasjen e kryetarit të Asamblesë Kuislinge të kurdisur nga hitlerianët në tetor 1943,agjentit të vjetër të Gestapos,përfaqësuesit të borgjezisë së madhe tregëtare,tradhëtarit Idhomene Kosturi.I kapur dhe i akuzuar për këtë atentat,Kola përballoi me një qëndrueshmëri shembullore torturat më cnjerëzore.Gjykata ushtarake e dënoi me vdekje.Kola nuk u ep,nuk u nënshtrua dhe nuk u tremb.Ai iu përmbajt gjer në fund idealeve të tij komuniste,gjer në rrahjet e fundit të zemrës kur hitlerianët e varën në litar në sheshin kryesor të Tiranës,më 28 mars 1944.

Kolë Laku
Shtypi i asaj kohe shkruante se : “Komunistët kryen disa atentate që prekën edhe deputetët e Kuvendit Kombëtar. Për të vrarë Idhomene Kosturin, njësiti guerril komunist i Durrësit, ngarkoi të riun Kole Laku, i cili e kreu krimin, sapo Kryetari i Kuvendit po dilte nga shtëpia. Në mënyrë të papritur, ai qëlloi mbi Kosturin, duke kryer kështu vrasjen e njërit prej autoriteteve më të larta në vend. Ishte 5 nëndori i vitit 1943. Me 8 Nëndor 1943, kur qeveria “Mitrovica” është paraqitur për votëbesim, Kryeministri Rexhep Mitrovica, ka propozuar datën “5 Nëndor » për « Mbajtjen e Zisë Kombstare për ish Kryetarin e Kuvendit Kombëtar Shqiptar Shkelqesine Idhomene Kosturin”.

Ndërsa Mehdi Frashëri me cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Naltë do të shprehej se :
“Me 24 shkurt 1944….arrestohet Kol Laku. Pasi u arrestua, Gjyqi i Perherëshëm Ushtarak, Seksioni për Mbrojtjen e Atdheut, me 1 mars 1944, shpalli vendimin për Kolë Lakun, duke e cilësuar fajtor dhe duke e dënuar me vdekje,si pjesëtar i lëvizjes komuniste dhe për kryerjen e veprave terroriste me pasojë vdekjen e Idhomeno Jovan Kosturit dhe dy personave të tjerë”…. Ekzekutimi u bë në Sheshin « Idhomene Jovan Kosturi » në Tiranë, sot Sheshi « Skenderbej ».

Rrëfimi i Stavri Havales.
Stavri Havale
 (Stavri Havale)

Stavri Havale 67 vjec,banor i vjetër i Durrësit ka jetuar në një shtëpi me bashkëshorten e Idhomene Kosturit,Theofaninë.Ai tregon se nëna e tij Pero Havale ka qenë e birësuar nga cifti Kosturi qëkurse ajo ishte ende e vogël.Idhomenia dhe bashkëshortja e tij nuk patën fëmijë dhe fëmijë e tyre u bë Pero.Atë e birësuan në Korcë në vitin 1920 dhe qëndruan sëbashku gjatë gjithë jetës.

Stavri ka dëgjuar nga Theofania jetën e Idhomenes,aktivitetin e tij si dhe për vrasjen në qytetin e Durrësit.

Cfarë ju ka treguar Theofania për jetën me Kosturin ?

Theofani Kosturi
(Theofani Kosturi)

Ata u njohën dhe u martuan në qytetin e Korcës.Idhomenia ishte kthyer nga jashtë ku kishte studiuar për histori në SHBA dhe më pas në Gjermani.Në Korcë merrej me tregëti.Por u detyrua të largohej nga Korca pasi pati tentative nga qarqet shoviniste greke për ta eliminuar atë. Ai i  përkiste një familje patriote dhe kishte kontribuar për hapjen e shkollës së parë shqipe.Kushëririn e tij,patriotin Spiro Kosturi e kishin vrarë disa kohë më parë qarqet greke. Arritën deri në djegien e shtëpisë së tij.Në këto kushte burrë e grua sëbashku me Peron e vogël u larguan nga Korca.Fillimisht u vendosën në qytetin e Shkodrës ku qëndruan vetëm 6 muaj.Më pas u zhvendosën nga Shkodra dhe u stabilizuan në qytetin e Durrësit.Fillimisht mori një banesë me qera në lagjen nr 1 pranë kishës katolike te magazinat e kripës. Ndërkohë nisi të ndërtojë një vilë në Rrugën Tregëtare.

Gjatë këtyre viteve në Durrës, Idhomenia vazhdoi aktivitetin e tij tregëtar por pa u ndarë nga kontributi për cështjen kombëtare.Ai ka qenë antizogist dhe për veprimtarinë e tij qeveria e asaj kohe e burgosi.

Si kujtonte ajo ditën e ekzekutimit të bashkëshortit ?

Vila Kosturi
(Vila Kosturi)

Në muajin tetor ai ishte zgjedhur deputet i Korcës.Në kuvend u zgjodh kryetar i tij.Kur e kishin thirrur për ti propozuar postin e lartë ai ishte përgjigjur se nëse do të mblidhemi për të mirën e kombit e pranoj detyrën nëse është fjala thjesht për një post nuk kam nevojë se karriket i kam në shtëpi.

Ditën që do të shkonte në Tiranë,vajza e adoptuar dhe bashkëshortja i kishin bërë gati valixhet.

E para ,për ta përcjellë deri te makina që priste poshtë, zbriti vajza.Ishte ora 07 e 45 minuta.Në momentin që Idhomenia zbriti poshtë shoferi nuk kreu veprimet e tij të zakonshme sikurse janë përshëndetja dhe hapja e derës së makinës por qëndroi i tulatur.

Në momentin që Pero la valixhen në makinë u shkëmbye me Idhomenen.Në këtë moment u dëgjua një krisëm arme.Bashkëshortja e tij thirri ,e vranë, dhe zbriti poshtë sëbashku me Peron.E morën trupin dhe e futën brenda në shtëpi në një kohë që makina u largua.Nëna dhe bija e adoptuar konstatuan se Idhomenia ishte qëlluar me një plumb në kokë.Sipas ekspertizës rezultoi se ai ishte qëlluar me një pistoletë Bereta.

Pak më vonë, disa anëtarë të njësitit gueril të Durrësit kishin hyrë forcërisht në banesën e tyre dhe pasi kishin marrë rrobat e Kosturit ishin ngjitur në tarracën e shtëpisë dhe i kishin vënë zjarrin atyre për të zhdukur gjurmët e atentatorit.

Më pas në shtëpinë e tyre kishin ardhur pjestarë të qeverisë për të organizuar ceremoninë e varrimit.

Theofania u pyet se ku dëshironte që të varrosej bashkëshorti i saj, në Tiranë apo në Durrës.Ajo kishte preferuar Tiranën meqenëse Kosturi kishte qenë me punë në kryeqytet.

Homazhet u kryen në sheshin ku sot gjendet monumenti i Skënderbeut.Në atë kohë,atje gjendej monumenti i Ismail Qemalit.

Varrimi
(Varrimi)

Në parlament u zhvillua një seancë e jashtëzakonshme ku u krijua qeveria me kryeministër Ibrahim Bicakun.Po në këtë seancë u vendos që sheshi përpara teatrit të kukullave të quhej Idhomene Kosturi.Për ironi të fatit disa muaj më pas,në këtë shesh u var në litar atentatori Kolë Laku që vrau Kosturin.Kola u kap te 4 Rrugët e Shijakut në muajin shkurt të vitit 1944 dhe u ekzekutua me varje në muajin mars po të atij viti.

homazhet
(homazhet)

Si vijoi jeta e Theofanisë dhe Peros ?

Në shtëpi mbetën 2 femra,Theofania dhe Pero që më vonë u martua dhe u bë nëna ime.

Pas clirimit të vendit nisën vuajtje të tjera për këtë familje.

Pushteti popullor që u vendos pas lufte dëshironte konfiskimin e pasurisë së familjes Kosturi që nuk ishte e pakët.

Pero, Stavri, Neta dhe Theofania
(Pero, Stavri, Neta dhe  Theofania)

Fillimisht ja vunë syrin vilës në bulevard.Për këtë qëllim menduan një skemë.Ushtruan kontroll banese ku gjetën një armë trofe që kishte vetëm vlera muzeale.Theofaninë dhe Peron i arrestuan me akuzën e armëmbajtjes pa leje dhe se këtë armë do ta përdornin kundër pushtetit kur të vinte koha.Peron e liruan shpejt ndërsa Theofania bëri 1 vit burg ndonëse u dënua me 13 vjet, por e liruan për mungesë provash.Ndërkohë shtëpia ishte sekuestruar.Atyre të dyjave ju dhanë si fillim 2 dhoma e një kuzhinë po në vilën e Kosturit, por më pas ky vendim u anullua dhe ato dolën në rrugë të madhe pa shtëpi e katandi.

Komiteti ekzekutiv ju dha një dhomë në një pallat përballë kinema 14 Nëntorit.

Pastaj i morën të gjithë florinjtë e fituar me tregëti.I sekuestruan godinën te ish dispanceria,godinën te shkolla 29 Nëntori sipër bibliotekës së qytetit si dhe truallin te shkolla italiane si dhe 300 dynym tokë në Rrashbull pranë tunelit të hekurudhës.

Në vitin 1970,në vilën e Kosturit banonte një informator i sigurimit të shtetit.Ky vendosi që të bënte modifikim banese duke hequr oxhakun e dhomës së ndenjies.Gjatë punës për të bërë modifikimin nga oxhaku ra një arkë.Kur e hapën arkën gjetën brenda saj takëme florori si lugë,pirunj etj me një vlerë goxha të madhe.Menjëherë u njoftua policia dhe floriri u sekuestrua.Më vonë këto takëme u nxorrën në shitje te dyqani i valutës.

Pas viteve ’90 cili ishte fati i pronave të Idhomene Kosturit ?

Ai kishte lënë testament në të cilin pasurinë derisa të ishte gjallë ja linte bashkëshortes së tij dhe pas vdekjes së saj pasuria i kalonte bijës së adoptuar.

Por asgjë nuk u zbatua nga ky testament.Pasuritë i gllabëruan njerëz të tjerë.Në trojet e tij u ndërtuan pallate.Vila në bulevard u shit.Toka në Rrashbull u pushtua.

Ky ishte fati i Kosturit.E vranë dhe më pas 2 herë i grabitën pasuritë në emër të shtetit. /Shqiptarja

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here