Drejtorët në Klinë që 2 javë pa qasje në kompjuterë

0
25

Qeverisja e re komunale e Klinës ende po vazhdon të ketë pengesa në shfrytëzimin e kompjuterëve zyrtarë në mungesë të password-ve.

Edhe pse janë bërë dy javë që kanë filluar mandatin si drejtorë të  drejtorive komunale në Klinë, disa prej tyre ende nuk kanë mundur t’i hapin kompjuterët në zyrat e tyre.

Drejtori i ri i Administratës Komunale të Klinës, Binak Syla, nuk po mund ta shfrytëzojë kompjuterin e zyrës se tij, sikurse shumë drejtorë tjerë të sapoemëruar në Komunë të Klinës.

Syla për KALLXO.com tha se ende nuk po e di arsyen pse nuk po mund të ketë qasje për të punuar në kompjuterët zyrtar.

Sipas tij, edhe pse ish-drejtori i qeverisjes se mandatit të kaluar gjatë pranim-dorëzimit të detyrës zyrtare ia kishte treguar edhe password-in e kompjuterit të zyrës, ky i fundit nuk po i hapet.

“Pranim dorëzimi i detyrës është bërë me datën 28 dhjetor, në orën 9 të mëngjesit, para seancës se asamblesë komunale. Pasi e kam pranuar detyrën kur kam provuar ta hapë kompjuterin ka qenë prezent edhe ish-drejtori i administratës, nuk ka mundur ta hap as me fjalëkalimin(password-in) e tij, ka qenë pengesë diku. Nuk e dimë arsyen pse nuk hapej”, tha Syla për KALLXO.com.

Drejtori i Administratës në Klinë tha se disa nga drejtorët tjerë të drejtorive nuk i kanë fare password-at e kompjuterëve.

“Ka edhe të atillë(drejtorë) që ju ka dhanë fjalëkalimi edhe ka qasje, po ka edhe të atillë që ju ka dhanë e nuk ju hapen. Ka edhe drejtorë që nuk e kanë poseduar fare fjalëkalimin nga drejtoret e  mëparshëm”, tha Syla.

Kreu i administratës komunale për katër vjetët e ardhshëm në Klinë, tha se sapo e ka pranuar detyrën e ka kuptuar se Komuna e Klinës kishte rreth tre muaj qe kishte mbetur pa zyrtarë të IT-së.

“IT-in nuk kemi mundur me kontaktu për shkak se nuk ka qenë këtu në Klinë. Ai qe ka punuar me parë thanë se e kish lënë punën para tre muajve. Nuk e di pse nuk janë ndërmarrë procedura nga ish-qeverisja për ta zëvendësuar mungesën e tij, sepse momentalisht s’ka asnjë zyrtar si IT-i të punësuar”, tha ai për KALLXO.com

Sipas tij menjëherë janë marrë të gjitha masat për ta angazhuar fillimisht një IT për ta kuptuar se ku qëndron problemi se pse nuk po hapen kompjuterët.
Ai u shpreh i bindur se problemi me kompjuterët e komunës do zgjidhet brenda një kohe të shkurtër.

“Tani e tutje proceduara për hapjen e të gjitha mundësive për me funksionuar kompjuterët është në tentativë e sipër për ta siguruar IT-në që mund të ketë qasje në të”, tha Syla.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here