Përplasje para testit të PISA-s, mësimdhënësit refuzojnë të vlerësohen nga MASHT-i

0
7

Rezultatet dëshpëruese të testit PISA që e kanë radhitur Kosovën në fund të listës së 72 vendeve pjesëmarrëse kanë alarmuar Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në krye me Shyqiri Bytyqin, duke bërë që ky i fundit të dërgojë kërkesë që testi të mos mbahet këtë vit, si dhe të paralajmërojë vlerësim për të gjithë mësimdhënësit. Por, kundër vendimit të ministrit është deklaruar sindikata e Arsimit.

Faji siç duket nuk është vetëm te programi për vlerësim ndërkombëtar të studentëve. Sipas një udhëzimi administrativ që daton nga 17 maji i vitit 2013, i nënshkruar nga ish-ministri Ramë Buja, nevoja për vlerësim të performancës së mësimdhënësve ishte parë si prioritet qysh atëherë, mirëpo pavarësisht hyrjes në fuqi një gjë e tillë nuk kishte ndodhur kurrë.

As tash pas pesë viteve dhe me ndërrim të 3 ministrave nuk dihet se si do të bëhet vlerësimi, e madje MASHT-i do të përballet edhe me kundërshtime nga Sindikata.

Në një përgjigje për Gazetën Express, zyrtarë të Ministrisë së Arsimit kanë bërë të ditur se nuk po arrijnë të sigurojnë një raport që vërteton se ky vlerësim kishte ndodhur atëherë, duke mos shpjeguar a do të ketë ngjashmëri në mes këtij udhëzimi me udhëzimin e ri që do të nënshkruhet nga Bytyqi.

Nga Ministria e Arsimit është bërë e ditur gjithashtu se procesi i vlerësimit të performancës së mësimdhënësve do të bëhet në kuadër të një projekti nga Banka Botërore, raportin e të cilit ende nuk e kanë pranuar.

“Ditëve në vazhdim do të pranojmë raportin dhe pasi ta analizojmë plotësisht, do të shohim se çfarë hapa do të marrim me tutje ne lidhje me vlerësimin e mësimdhënësve. Ky vlerësim nuk do të bëhet formalisht por do të bëhet në mënyrë profesionale” tha Valmir Gashi, këshilltari i ministrit.

Sa i përket kërkesës që kanë dërguar te përfaqësuesit e Programit për Vlerësim Ndërkombëtar të Nxënësve për shtyrje të testit PISA deri në vitin 2019, kërkesë e cila është refuzuar, MASHT-i ka si arsyetim përgatitjen që do të bëhej gjatë këtij viti të pauzës.

“MAShT është konsultuar direkt me përfaqësues të Programit për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA) që testi te shtyhet për vitin 2019 që testi mos mbahet ne vitin 2018, me idenë e vetme që të kemi hapësirë dhe mundësi të përgatitemi më mirë për një vit, kemi marrë përgjigje negative dhe na kanë kërkuar ose të tërhiqemi nga testi për vitin 2018 deri në vitin 2021 ose nuk ka shtyrje për një vit dhe ne nuk kemi mundur te jemi të gatshëm të tërhiqemi”, shtoi Gashi.

Mirëpo, MASHT-i po përballet me kundërshtime nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës që janë kundër formës së paralajmëruar të testimit për mësimdhënësit.

Rrahman Jasharaj, kryetar i SBASHK-ut për Gazeta Express ka thënë se Sindikata është kundër vlerësimit të mësimdhënësve me test dhe shkrim që nga koha kur në krye të ministrisë ishte Arsim Bajrami dhe të njëjtin qëndrim mban edhe sot.

Sipas tij, zgjidhja më e mirë është që inspektorët profesionalë me anë të monitorimit të identifikojnë mangësitë eventuale.

“Ne do të kemi takim me ministrin Bytyqi dhe besoj që do të zgjedhim këtë çështje, edhe pse është kuptuar gabimisht deklarata e tij sepse ai ka thënë se duhet të shihet më afër se cilat janë nevojat momentale të mësimdhënësve. Pra SBASHK-u qëndron në vendimin paraprak që test për njohuri të mësimdhënësve të mos ketë, por do të bëhen vizita, do të bëhen vlerësim i performancës së tyre përmes punës me nxënës”, bëri të ditur Jasharaj.

Ai ka kritikuar edhe rezultatet në PISA duke përfunduar se duhet të bëhet një mobilizim i duhur sepse nxënësit nuk e meritojnë këtë radhitje edhe se rezultatet në PISA këtë vit do të dëshmojnë diçka tjetër.

Në anën tjetër, drejtori i Qendrës Kosovare për Arsim, Dukagjin Pupovci, duke komentuar këtë situatë për Gazetën Express ka thënë se një testim i tillë i propozuar nga Bytyqi mund të përdoret vetëm që të konstatojë nevojën për zhvillim profesional.

Duke shpjeguar se legjislacioni në Kosovë parasheh vlerësimin e mësimdhënësve gjatë licencimit të tyre, Pupovci ka shtuar se kjo do t’i motivonte mësimdhënësit të punojnë sa më shumë, e sidomos nëse licencimi do të lidhej me pagën.

E sa i përket kërkesës për shtyrje të mbajtjes së testit PISA për këtë vit, ai ka thënë se me siguri që kjo është bërë për të arritur një rezultat sa më mirë dhe ky test nuk duhet të jetë preokupim.

“Preokupim duhet të jetë përmirësimi i gjendjes në arsim, e jo rezultati në testin PISA. Prej kohës së testit të fundit, nuk ka pasur veprime të cilat do të ndikonin që të ketë ndonjë përmirësim domethënës të gjendjes në arsim, prandaj edhe nuk pritet ndonjë përmirësim i madh i performancës në testin PISA” shtoi Pupovci.

Sipas njohësit të arsimit, mënyra më e mirë e rritjes së cilësisë është përmes rritjes së llogaridhënies.

“Nëse MASHT-i do të siguronte që në testet kombëtare të mos ketë kopjim, atëherë prindërit do t’i bëjnë “presion” shkollës që të bëj punë më cilësore me nxënës, sepse askush nuk dëshiron që fëmija t’i dështojë në përfundim të shkollimit. Njëkohësisht, shteti do të kishte obligim që shkollave t’u krijonte  kushte që të punojnë sa më mirë dhe do ta përforconte mbikëqyrjen, përndryshe do të mbante përgjegjësi për dështimin eventual të tyre” përfundoi ai.

Kujtojmë që kriza në sektorin e Arsimit u bë edhe më alarmuese pas publikimit të rezultateve të testit PISA në vitin 2016-të ku u përfshinë 28 komuna, 225 shkolla dhe 5.161 nxënës.

Me anë të testit PISA, u vlerësuan njohuritë e nxënësve 15 vjeçarë në lexim, matematikë dhe shkencë.

Programi Ndërkombëtar për Vlerësimin e Nxënësve për herë të dytë në Kosovë do të mbahet në prill të këtij viti.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here