Vendimi për “Universitetet pas 10 dite

0
8
Fati i gjashtë Universiteteve Publike të hapura nga ish-Kryeministri Hashim Thaçi pritet të vendoset brenda 10 ditëve. Komisioni për Vlerësimin e Cilësisë dhe Qëndrueshmërisë që ka krijuar MASHT-i, pritet të dalë më raport për këto Universitete më së largu deri në fund të muajit janar.

Kështu ka deklaruar vet Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi në një intervistë për Gazetën Fjala, e cila më gjerësisht do të publikohet të dielën.

“Komisioni për Vlerësimin e Cilësisë dhe Qëndrueshmërisë, do të dalë më raport për gjendjen e këtyre universiteteve brenda 10 ditësh, ose deri në fund të muajit”, ka thënë Bytyqi për Gazetën Fjala.

Kreu i arsimit në Kosovë thotë se para themelimit të këtyre universiteteve nuk është bërë analizë paraprake se a ka nevojë Kosova për tërë këto universitete, dhe për çfarë programesh kanë nevojë regjionet ku janë hapur.

“Ne nuk kemi nevojë që në çdo universitet publik t’i kemi programet e njëjta të cilat i ka edhe Universiteti i Prishtinës. Çdo Universitet Publik ka Fakultetin Juridik, Fakultetin Ekonomik, kuadër për të cilin Kosova nuk ka mungesë”, ka thënë Bytyqi në intervistë për Gazetën Fjala.

E njohësit e arsimit vlerësojnë se që prej fillimit hapja dhe akreditimi i këtyre universiteteve është bërë në shpërputhje me ligjin, duke i hapur në kohë zgjedhjesh për të siguruar vota.

Bytyqi nuk komenton qëllimin e hapjes së tyre në të kaluarën por thotë se është vërejtur se ka një problematikë në shumë nga to dhe nganjëherë nuk dihet saktësisht qëndrueshmëria dhe cilësia e tyre.

“Mbi këtë bazë ne kemi ngritë një komision profesional që ka për obligim me pa dhe me vlerësu qëndrueshmërinë e tyre. Varësisht nga ajo që neve do të na rezultoi nga vlerësimi që do të bëhet nga ky komision do të vijojnë edhe konkluzionet tona dhe propozimet konkrete që do të vinë”, ka thënë Bytyqi.

Pupovci: Universitetet janë themeluar duke mos i përfillur kërkesat ligjore

Dukagjin Pupovci, njohës i arsimit ka thënë ditë më parë për Gazetën Fjala se të gjashtë Universitetet janë themeluar duke mos i përfillur kërkesat ligjore, pasi që institucioni i vetëm i arsimit të lartë që mund ta mbajë emërtimin “universitet” është Universiteti i Prishtinës.

Sipas Ligjit të arsimit të lartë që një institucion të quhet universitet, duhet t’i ketë të paktën pesë programe të doktoratës nga pesë fusha të ndryshme akademike, prej të cilave ka nxjerrë të diplomuar.

“Gjashtë universitete të tjera janë themeluar duke mos e përfillur fare këtë kërkesë ligjore dhe, po ashtu, janë akredituar në kundërshtim me ligjin. Kjo është bërë me vetëdije të plotë nga Qeveria, Kuvendi dhe Agjencia e Akreditimit, ndaj së cilës vazhdimisht është ushtruar presion politik që ta anashkalojë ligjin për t’i akredituar këto universitete”, pati thënë Pupovci për Gazetën Fjala.

Deklarimet e Ministrit Bytyqi, për riorganizim të këtyre universiteteve, ai po i sheh si paralajmërim që të vendoset sundimi i ligjit.

Sipas tij, në këto universitete ka mungesë stafi dhe se nëse nuk vendoset rend në pranim dhe avancim të stafit, ka pak shpresa në përmirësim të cilësisë.

“Numri i mjaftueshëm i stafit akademik të kualifikuar është parakusht për cilësi, prandaj kur të mungon stafi akademik, do të ketë efekte edhe në cilësi”.

Thaçi: Janë hapur në kohë zgjedhjesh për vota

Edhe njohësi tjetër i arsimit, Jusuf Thaçi deklaron se këto institucione janë në shpërputhje ligjore, dhe se janë hapur për ta ulur artificialisht papunësinë.

Thaçi thotë se në shumë programe të këtyre universiteteve nuk ka as cilësi minimale dhe se cilësia është problem sikurse në UP.

“Po besoj që Ministria ka dëshmi të mjaftueshme që në shumë programe të këtyre Universiteteve nuk ka as cilësi minimale, që të funksionojnë si programe studimi. Në këto Universitete studentët marrin diploma, por nuk prodhohen kuadro profesionale. Cilësia është problem në të gjitha universitetet, përfshirë edhe UP-në”, ka thënë Thaçi për Gazetën Fjala.

Por, vetë iniciatori për hapjen e tyre nuk ka dashur të flas lidhur me nismën për mbylljen e universiteteve. Gazeta Fjala është në pritje të përgjigjeve nga zyra e Presidentit, Hashim Thaçi për të mësuar qëndrimin e tij për këtë çështje. 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here