105-vjetori i Policisë, Xhafaj: Vettingu do nxjerrë jashtë sistemit ata që s’përmbushin kriteret

0
31

Në përkujtim të 105-vjetorit të krijimit të Policisë së Shtetit është organizuar sot një aktivitet në qytetin e Lezhës, aty ku qeveria shqiptare vazhdon prej ditës së djeshme mbledhjet.

 

Në fjalën e tij ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj u fokusua te procesi i Vettingut nga i cili do kalojë çdo efektiv policie. Xhafaj theksoi mes të tjerash se procesi i vettingut do të pastrojë sistemin e policisë nga ata punonjës që nuk përmbushin kriteret.

 

“Data 13 janar 1913 përveçse një datë e rëndësishme për krijimin e kësaj organizate, na shërben edhe si motivim për përmbushjen e këtij angazhimi të madh në funksion të garantimit të rendit dhe sigurisë.

Në rrugëtimin e saj 105-vjeçar organizata e policisë është përballur me vështirësi dhe sfida të panumërta. Sot kemi rastin të themi me krenari se Policia e Shtetit është ngritur dhe konsoliduar si një institucion ligjzbatues që siguron jetën dhe pronën e qytetarëve.

Kam bindjen së në radhët e Policisë së Shtetit gjenden sot shumë persona që punojnë me ndershmëri në funksion të shërbimit ndaj qytetarit, dhe figura e tyre nuk mund të njolloset nga ta që janë pjesë e padenjë në radhët e policisë.
Procesi i vettingut që pritet të nisë së shpejti do të largojë nga sistemi nga elementët që nuk duhet të jenë pjesë e tij”.

Fjala e plotë e ministrit Xhafaj:

I nderuar zoti Kryeministër,
Të nderuar punonjës dhe ish punonjës të Policisë së Shtetit,
Të nderuar kolegë ministra, deputetë,
Të nderuar përfaqësues të pushtetit vendor,
Të nderuar drejtues të misioneve partnere,

Data e krijimit të Policisë së Shtetit, 13 Janari 1913, përveçse një pikë referimi në historinë e kësaj organizate, na bën të gjithëve të hedhim vështrimin pas e të nderojmë ata mijëra punonjës Policie që ndër vite kanë shërbyer dhe sakrifikuar, për t’u siguruar rend dhe qetësi qytetarëve në të gjithë territorin e vendit, në përmbushje të një misioni sa civil aq edhe shtetar.

Më sëpari sot është dita t’u bëjmë homazh atij grupi atdhetarësh të kohës, të cilët në zbatim të vendimit të qeverisë së Ismail Qemal Vlorës, ngritën një strukturë, e cila do të merrej me detyra të mbrojtjes së rendit dhe qetësisë, pararendëse, kjo, e Policisë së Shtetit.

Në rrugëtimin e saj 105 vjeçar, organizata e Policisë është përballur me vështirësi e sfida të panumërta, të cilat në raste të ndryshme kanë cënuar vetë ekzistencën e saj, si strukturë.

Por sot, pas më shumë se 1 shekulli, kemi rastin të themi me krenari se
Policia e Shtetit ia arriti t’u mbijetojë sfidave dhe rreziqeve, duke u ngritur e konsoliduar si një institucion ligj zbatues që siguron rendin, qetësinë, jetën dhe pronën e qytetarëve.

Trupa e Policisë për vetë detyrën që kryen, është fizikisht në frontin e parë të luftës kundër krimit dhe paligjshmërisë.

Për këtë arsye, edhe rreziku me të cilin ajo përballet, është thelbësisht më i lartë në krahasim me çdo organ tjetër ligj zbatues në vend.

Me këtë rast, përkujtojmë dhe nderojmë me respekt ata burra dhe gra që kanë dhënë jetën gjatë kryerjes së detyrës në mbrojtje të ligjit, jetës dhe pronës së qytetarëve.

I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre!

Misioni dhe ideali i tyre mbartet sot me dinjitet nga pjesa më e madhe dhe më e shëndetshme e Policisë së Shtetit.

Për shkak të kësaj shumice të shëndetshme moralisht dhe të zotë profesionalisht organizata e Policisë së Shtetit gëzon sot një besim relativisht të lartë tek qytetarët.

Jashtë çdo pragmatizmi të çdo lloji, deklaroj se kam bindjen që në radhët e Policisë së Shtetit gjenden shumë gra dhe burra, vajza e djem të cilët punojnë me përkushtim dhe me ndershmëri, në mbrojtje të të drejtave dhe interesave legjitime të qytetarit. Puna e tyre nuk mund të njolloset nga një grup i vogël, performanca e të cilëve bie ndesh me moralin e pjesës dërrmuese të Policisë.

Policia e Shtetit ka dhënë prova të vitalitetit dhe jam besim plotë se do t’ja dalë të fitojë edhe këtë betejë me vetveten, më saktë me pjesën e padenjë që ende gjendet në radhët e saj.

Sfida e ditës për Policinë e Shtetit është kapja e ritmit të organizatave europiane e të mbërrijë kësisoj në standardet e vendeve të BE-së. Me reformat e gjithanshme të ndërmarra vitet e fundit, qoftë ligjore, infrastrukturore, në burime njerëzore, kemi tashmë një Polici më të përgatitur dhe më reaguese, në mbrojtje të sigurisë publike, jetës dhe pronës së shtetasve.

Jemi të përgjegjshëm për të qenë në lartësinë e standarteve të BE dhe jam i bindur se do ta përmbushim këtë detyrim brenda këtij mandati qeverisës.

Rezultate e arritura në vitin që lamë pas, të cilat konsistojnë në nxjerrjen për herë të parë të Shqipërisë nga harta e vendeve që kultivojnë kanabis, në minimumin historik të numrit të vrasjeve, në numrin më të ulët ndër vite të aksidenteve rrugore, në vlerat e shumëfishuara të aseteve të sekuestruara të përfituara nga aktiviteti kriminal, në luftën kundër korrupsionit dhe në ndëshkimin e rasteve të evidentuara, janë tregues i qartë i kapaciteteve të Policisë.

Të nderuar qytetarë,

Në këtë fillim viti dhe në këtë ditë domethënëse për Policinë e Shtetit, dëshiroj të përcjellë qartë mesazhet se procesi i reformave të nisura me synim vendosjen e Policisë më pranë dhe në shërbim të qytetarit, do të thellohet në këtë vit, që sapo kemi nisur.

Ne jemi duke realizuar, me mbështetjen e Kryeministrit Rama dhe kontributin aktiv të partnerëve ndërkombëtar një projekt ristrukturimi të policisë që do ta bëjë atë shumë më prezente dhe më eficente në kontrollin e territorit dhe do të mundësojë një lidhje më të drejtëpërdrejtë të punonjësit të policisë së zonave policore me komunitetin përkatës dhe kryesorja në shërbim të çdo familje e çdo qytetari banorë të atij komuniteti.

Operacioni ‘Forca e Ligjit’, siç ka dhe emrin, do të vendosi autoritetin e Policisë së Shtetit dhe punonjësit të Policisë në luftë me krimin dhe organizatat kriminale. Vetëm në dy muaj ka shënuar rezultatet e para premtuese, duke dëshmuar se Policia është e vendosur të godasë intensivisht grupet kriminale, tashmë të identifikuara.

Mbështetja e Qeverisë, bashkëpunimi aktiv me prokurorinë dhe agjensitë e tjera ligjzbatuese në vend si dhe me kontributi i drejtëpërdrejtë i partnerëve ndërkombëtarë në këtë sfidë madhore për të ardhmen e vendit, është një inkurajim dhe garanci e madhe për suksesin që duam të arrijmë.

Procesi i Vetting-ut që nis së shpejti do të reformojë në kapacitetet e saj njerëzore Policinë e Shteti duke synuar të promovojë pjesën më të shëndetshme të saj, punonjësit më me integritet, ata më të trajnuarit, më të arsimuarit, të cilët për hir të së vërtetës janë shumicë në këtë organizatë.

E gjithë historia e këtyre 27 viteve ka treguar qartësisht se ndikimi, apo më keq akoma përdorimi politik i policisë ka qenë një dështim i madh politik i vetë atyre që e kanë tentuar këtë sipërmarrje. Ne këtë mësim të historisë e dimë shumë mirë.

Është shenjë e një sjellje politike jo të pjekur dhe jo në interes të publikut e të vendit sulmi politik që synon ta tregoj Policinë si një organizatë të inkriminuar.

Ndaj nga kjo foltore, apeloj fuqishëm për të ndalur dhunën verbale ndaj Policisë së Shtetit. Ashtu sikurse, në çdo rast, kemi ndëshkuar veprimtarinë jo ligjore mes radhëve të Policisë së Shtetit, po aq jemi të vendosur për të reaguar ligjërisht ndaj kujtdo që ngre dorë apo dhunon punonjësit e policisë në ushtrimin e detyrës së tyre.

Policia e Shtetit është e Shtetit, dhe jo e Ministrit të rradhës. Ndaj dua të ftoj qytetarët të mbështesin fort Policinë e Shtetit, sepse ajo është e qytetarëve dhe vetëm në shërbim të tyre.
Policia ka qenë dhe do të mbetet me shërbimin e saj të sakrificës së përditëshme aleati kryesor i qytetarëve dhe i njerëzve të thjeshtë që dëshirojnë të jetojnë në këtë vend të qetë dhe të sigurtë.

Ndaj si Ministër i Brendshëm, inkurajoj dhe mbështes fuqimisht të gjithë punonjësit në uniformë dhe civilë të Policisë së Shtetit të cilët me punën e tyre të mundimshme dhe fisnike u shërbejnë qytetarëve duke u përballur me sfidat e të sotmes dhe të ardhmes.

Në këtë ditë të shënuar, dëshiroj të uroj të gjithë dhe secilin punonjës të Policisë së Shtetit:

Gëzuar ditën e Policisë!

Ju faleminderit judhe familjeve tuaja që ju mbështesin, për gjithçka bëni në mbrojtjes të rendit dhe sigurisë së qytetarëve të këtij vendi.

Të gjithë së bashku duhet dhe do ta fitojmë betejën për një Shqipëri më të mirë dhe më të sigurt, si detyrim ndaj qytetarëve, ndaj të ardhmes Europiane të vendit dhe fëmijëve tanë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here