“Avokatja e Popullit, kreu betimin 2 muaj pasi u zgjodh, mbronte vjehrrin e Bashës në Strasburg, kundër Shqipërisë”

0
26

Një nga marrëveshjet e arritura mes Ramës dhe Bashës në takimin e 18 majit të vitit 2017 ishte edhe dhënia e mundësisë për caktimin e Avokatit të Popullit nga lideri i opozitës, Lulzim Basha.

 

Basha vendosi në këtë post Erinda Ballancën e cila rezulton të ketë lidhje të ngushta familjare me Bashën.

 

Mirëpo sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Taulant Balla zbardhur një prapaskenë të mënyrës se si u zgjodh Ballanca.

Sipas tij Ballanca nuk u betua në Kuvend kur u zgjodh, por një gjë të tillë e bëri vetëm dy muaj më pas.

“Arsyeja për këtë gjë ka qenë fakti sepse ajo përfaqësonte vjehrrin e Lulzim Bashës në Strasburg, kundër Shqipërisë, edhe pse ishte Avokate e Popullit e Shqipërisë”, sqaron Balla.

Statusi i plotë i Taulant Ballës:

Më 22 Maj 2017 shumë shqiptarë ishin me sy e veshë tek Kuvendi i Shqipërisë, teksa votoheshin pikat e Marrëveshjes që nxorri Partinë Demokratike nga çadra dhe e futi në Zgjedhje. Si një ndër dëshmitarët e asaj seance plenare, ndër të tjera më 22 Maj votuam edhe për Avokatin e Popullit zonjën Erinda Ballanca, e cila pas votimit duhej të bënte edhe betimin për detyrën e rëndësishme si avokate e interesave të popullit shqiptar.

Zgjedhja e zonjës Ballanca si Avokate e Popullit ishte një ndër kushtet e Lulzim Bashës për të dalë nga çadra dhe për të hyrë në zgjedhje.

Ne u detyruam t’ia pranonim Lulzim Bashës edhe këtë kusht. Por zonja Avokate e Popullit e propozuar nga Lulzim Basha, për habinë tonë, edhe pse u votua nuk e bëri betimin atë natë, sikurse e përcaktonte procedura. E bëri pas dy muajve.

Vetëm sot e kuptova se arsyeja pse zonja Ballanca nuk e bëri betimin, lidhet me faktin se ajo ishte nisur për në Strasburg për të përfaqësuar si trupë mbrojtëse VJERRIN e Lulzim Bashës (dhe veten) kundër Shqipërisë, në ditën pasardhëse.

Pra, më 23 Maj 2017 në Strasburg, në Gjykatë (GJEDNJ), gjendeshin përballë Avokatja e Shtetit në mbrojtje të Shqipërisë kundër Avokates së Popullit (të zgjedhur) në mbrojtje të interesave të Lulzim Bashës.

Pra, Lulzim Basha praktikisht ka përdorur një institucion shtetëror shqiptar për interesa të vetat, duke e shndërruar atë institucion në një mjet shpërblimi dhe shpërdorimi.

Ironia e madhe, në gjithë këtë turp të Lulzim Bashës, është edhe fakti se demokratët e ndershëm protestues për 3 muaj me radhë në çadër, natën e 18 Majit u njoftuan nga ana e Lulzim Bashës se kishin “fituar” edhe institucionin “e rëndësishëm” të Avokatit të Popullit. Por që Lulzimi nuk e kishte “marrë” për demokratët, e kishte marrë për avokaten e pallatit të Vjerrit.

Për kujtesë, Lulzim Basha mori nga Marrëveshja e 18 Majit ndër të tjera edhe Ministrinë e Drejtësisë, ministria përgjegjëse për përfaqësimin e Shqipërisë në Gjykatën në fjalë, por edhe Ministrinë e Financave e cila bën pagesat në zbatim të vendimeve në fjalë. “Qerratai” Lulzim ndoshta ka shpresuar se mos vendimi jepej ato ditë dhe qëndrimi i ministrave të tij deri në mes të Shtatorit, në thyerje të Marrëveshjes, të bind se halli i Lulit paskan qenë vetëm lekët e pallatit të Vjerrit.

Pyetja që do t’i shtroja sot demokratëve është:

Mirë, o miq demokratë, për 3 muaj në çadër protestuat për të bërë Avokate të Popullit avokaten e pallatit të Vjerrit të Lulit, po më 27 Janar për çfarë ju ka kërkuar Luli të dilni në protestë?

Ndërsa ju, o miq demokratë protestues, duhet t’i bëni Lulit pyetjen: Ku i gjeti i Vjerri i Lulit milionat që investoi në atë pallat? Sepse edhe “vetting”-u i parave të Vjerrit do bëhet.

Që pallati u ndërtua mbi det, që shkëmbi në breg u bë truall, e të tjera e të tjera faje penale si këto, kjo është një dosje që nuk është mbyllur, ajo është e hapur.

Sot meraku i Lulit është kur do t’i tërheqë Vjerri lekët e pallatit. Shikojini mirë tabelat e protestuesve më 27 Janar pranë jush. Ndonjëri prej tyre mund të ketë marrë nga kunati edhe tabelën: DUAM LEKËT E VJERRIT!

E kur bëhet fjalë për një protestë të tillë, një protestë për para, Saliu, LSI-a, Fatmir Mediu&co nuk mund të mungojnë. /G.Gj/Lexo.al/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here