Dashuria e vërtetë? Pa dështime nuk arrihet

0
14

Dështimi  në dashuri është një çështje shumë e dashur për mua, një çështje që më përfshin në anën filozofike por dhe në atë përsonale dhe njerëzore. Historitë e mia të dashurisë kanë qënë, deri tani, dështuese, toksike, pasionante, dramatike, patetike e teatrale. Nëse do të kërkoja një njësi për të matur suksesin sentimental, padyshim që mund të akuzohesha për dështim në dashuri.Po, po në listën e zezë të dashurisë. Pse ?

 

Sepse nuk kam arritur stabilitetin e shumëkërkuar, sepse askush nuk më ka dhuruar një diamant ose  brilant në gishtin e katërt të dorës së majtë, sepse asnjë prift a kryetar bashkie nuk më ka shpjeguar se cilat janë detyrimet e martesës, para 100 të ftuarve në një ditë vere. Jo vetëm kjo, po sepse mosha ime fillon me një 3 përpara dhe sepse nuk do të siguroj vazhdimësine e pasurisë  time gjenetike, që për disa është padyshim një dështim, të paktën biologjik. Por dhe sepse, përgjatë kësaj kohe, kam pasuruar një curriculum sentimental që të shashtis për zgjedhjet e ndryshme. Sepse disa herë më kanë lënduar, disa herë kam lënduar. Sepse kam qënë e prekshme dhe e keqe. Sepse gabimet i kam përjetuar të gjitha, ndërkohë që drejtoja hetimin tim personal  mbi hendekun e jetës.

 

Por,  kur dështojmë në dashuri ? Kur zhgënjejmë, tradhëtojmë, ndihemi të tallur apo tallemi më dikë ? Si është njësia matëse e dështimit në dashuri ? Kur përshkojmë një copëz rruge me dikë dhe ajo rrugë nuk zgjat përgjithmonë ? Po në paradën e dështimit, çfarë është më e keqja ? Të kesh një martesë të dështuar apo mos kesh martesë fare ?

Besoj që dështimi ka dy nivele. Ai personal dhe ai shoqëror. E nëse aspektin shoqëror mund ta injorojmë lehtësisht, aspektin intim, personal, individual që na çon në autogjykim nuk mund ta injorojmë.  E pra, duhet të bëjmë paqe me veten dhe dështimet tona. Duhet padyshim të mësojmë të falim veten, përndryshe do të kemi gjithmonë hije në të ardhme. Padyshim nuk është e lehtë. Kur dështojmë bëhemi me nerva, por mënyra më e mirë për t’u pajtuar me veten mbasi kemi sharë dhe gjykuar të gjithë, është padyshim pranimi i përgjegjësisë.

Sepse një përgjegjësi në dështimet tona e kemi gjithmonë. Padyshim që nuk varen nga ne gjithmonë, por shpësh zgjedhjet tona dhe rrethanat në të cilat jetojmë ndikojnë në jetën dhe kanë pasoja të ndryshme. Unë për shembull, kam tentuar të marr përgjegjësi për vrimat, dështimet, tragjeditë dhe masakrat emotive që kam përjetuar. Kam kuptuar qe në jetën time kam ndjekur dështimin në dashuri më shumë së vetë dashurinë, duke dashur në mënyrë banale djem dhe burra të gabuar që prej ditës 1.

Unë dështimin e zgjodha për shumë arsye. Ndoshta sepse vetëm nëse prek fundim mund të njohësh më mirë veten. Ndoshta sepse kur dështon bëhesh adult. Ndoshta sepse të gjithë kemi metodat tona të perceptimit të jetës.

Në fund të fundit, të dështosh të ndihmon të rritesh dhe të pasurohesh. Sepse në momentin para dështimit ke parë vënde, jetë, histori dhe njërëz të tjerë. Ke bërë një udhëtim në makinë, ku ke parë detin nganjë anë e malin dhe bimët nga tjetra. Ke vënë këmbët mbi kruskotin e  makinës dhe ke parë diellin që lind dhe perëndon. Kë këndur me zë të lartë dhe ke luajtur me erën duke bërë figura abstrakte. Përjeton një copëz rruge përpara se të dështosh. Ndonjëherë të duket sikur këto copa nuk kanë asnjë vlerë. Nuk është kështu. Edhe në rastet më të degraduara. Ndoshta ky udhëtim nuk të çoi aty ku doje, sepse ka trafik, ndalesa dhe aksidente. Por,  kjo ku je sot nuk është destinacioni i fundit.

E bukura e gjithë kësaj është që ne nuk ndalojmë kurrë. E pra nëse dështimi në dashuri është një zgjidhje, duhet të zgjedhim të ja dalim.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here