“Vrasja shqiptare” e Oliver Ivanoviçit

0
100

Nga Mero Baze

 

Vrasja e Oliver Ivanoviç, shënon vrasjen e parë politike për luftë të brendshme mes serbëve në Kosovë. Si e tillë, ajo është bërë jo vetëm për të hequr qafe një qytetar shumë përfaqësues serb të Kosovës, por dhe për t’u përdorur politikisht ndaj shqiptarëve dhe shtetit të dobët të Kosovës. Dhe këtu ka disa pika të dobëta të shoqërisë së Kosovës, që mund të keqpërdoren.

 

Mbi të gjitha, ka të bëjë me traditën e keqe të vrasjeve politike në Kosovë dhe me ngulitjen e paranojës në bashkësinë ndërkombëtare, se shqiptarët nuk bëjnë dot një shtet të sigurt për qytetarët e tyre.

Vrasja e një politikani të lartë serb të Kosovës, dhe ndoshta më të moderuarit prej tyre, mbart në vetvete jo vetëm përpjekjet për radikalizimin e situatës, por dhe guximin për të mos u ndëshkuar, nën shembullin e keq që kanë dhënë shqiptarët për vrasjet politike brenda tyre.

Për këtë arsye, ai hetim duhet të kthehet në prioritet shtetëror, dhe Kosova duhet të provojë se ka hyrë në një epokë ku askush nuk guxon të kryejë vrasje politike.

Vrasja ka ndodhur edhe në një moment delikat, kur politikanët më të fuqishëm të Kosovës, të dalë nga lufta, janë angazhuar në një betejë të pistë, për të shfuqizuar Gjykatën Speciale, e cila është bërë e domosdoshme për shkak të besimit të ulët që Perëndimi ka tek drejtësia në Kosovë. Vrasja e Ivanoviçit është njësoj si vrasjet e politikanëve shqiptarë në Kosovë, që janë hequr qafe për rivalitet politik prej vitit 1999, dhe akoma nuk kanë dënuar askënd. Nëse kjo vrasje injorohet dhe vrasësit lihen të lirë, atëhere Kosova rrezikon të perceptohet si shtet, që këto 20 vitet e fundit ka më shumë vrasje politike se çdo vend i botës, dhe nuk është ndëshkuar asnjë vrasës. Kjo e bën edhe më urgjente nevojën e Gjykatës Speciale, jo vetëm për krimet e shqiptarëve kundër njëri- tjetrit, por dhe krimet e serbëve kundër njëri- tjetrit, për rivalitet politik.

Së fundmi, vrasja duhet të hetohet dhe gjykohet shpejt edhe për rrezikun e përdorimit të saj për trazira në Kosovë dhe më gjerë. Skenarët e vrasjeve politike në zona të nxehta siç është veriu i Kosovës dhe radikalizimi i segmenteve kriminalë, që manipulojnë me vrasje të tilla, mund të rrisë koston e mungesës së drejtësisë në Kosovë, duke shkuar tek skenarë gjeopolitikë të rrezikshëm. Është koha kur radikalët serbë, duan ta paraqesin Kosovën si një shtet të dështuar, që nuk u del dot zot qytetarëve të vet.

Kosova duhet t’i dalë zot Ivanoviçit si qytetar i saj. Ajo duhet të investohet fort tek gjetja e autorëve dhe nxjerrja e tyre para drejtësisë, për të shmangur çdo përpjekje për keqpërdorimin e kësaj vrasje për nevoja etnike, nacionaliste apo më gjerë. Retorika e disa serbëve se vrasësit e Ivanoviçit janë shqiptarë, janë tipike, si retorika e shumë vrasësve shqiptarë, që natën vrisnin intelektualë dhe politikanë shqiptarë, dhe në mëngjes thoshin “I vrau Serbia”!

Ivanoviç është vrarë nga shqiptarët, po aq sa është vrarë nga serbët Xhemail Mustafa, Enver Maloku dhe dhjetra politikanë të tjerë shqiptarë në Kosovë, pas vitit 1999.

Kjo histori duhet të marrë fund, duke folur drejtësia në vend të kriminelëve dhe duke dëshmuar se Kosova e meriton shetin e saj, edhe pse një pjesë e territorit të saj është jashtë kontrollit.

I vetmi rast kur Ivanoviç “mund të vritet” nga shqiptarët, është tani, kur Kosova që qeveriset nga shqiptarët, të jetë e pazonja të dëshmojë kush e vrau atë dhe të mos i nxjerrë para drejtësisë vrasësit serbë. Ky është shërbimi më i madh që pushteti në Kosovë mund t’u bëjë serbëve dhe të vulosë “vrasjen shqiptare” të Oliver Ivanoviçit.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here