Ta përdorësh Amerikën… si shqiptarët

0
24

Nga Ben Andoni

 

Pas votimit tonë në OKB për Jeruzalemin, shqiptarët e politikës janë ndarë sakaq në dy tabore. Njëri që shprehte pikëllimin e madh sesi nuk i mbështetëm amerikanët në këto momente të vështira, kurse tjetra më patetike se ky veprim duhej pasi ne jemi pjesë e familjes së madhe të shteteve evropiane. Në ato ditë, siç ndodh  në këto raste, u përmendën të gjitha ato që na kish bërë Amerika dhe që na garantonte, por që ne njiheshim kështu… si të pabesë. Të tjerët, që janë të lidhur me qeverinë, u përshtatën më pranueshëm duke rrëfyer listën e vendeve që votuan pro-Amerikës.

 

Pak orë më parë, Ambasada amerikane në Tiranë, i është dashur t’i përgjigjet mesazhit të një interviste të kryetares së njërës prej partive opozitare Monika Kryemadhi, në të cilën ajo shprehej se opinioni ligjor për ndryshimin e kryeprokurorit ishte vetëm i misionit të BE, EURALIUS, kurse misioni i SHBA, OPDAT, nuk ishte shprehur. Përgjigjja që erdhi ishte e thjeshtë: “Kushtetuta dhe ligji për Prokurorinë janë të qarta. Ambasada e SHBA mbështet opinionin ligjor që OPDAT dhe EURALIUS i kanë dhënë Parlamentit”, thuhej në deklaratën e ambasadorit Lu. Ky lloj komunikimi është bërë i shpeshtë sepse mesazhet e Amerikës tek ne lexohen si palë, por asesi si një lloj arbitri. Kaq mjaftoi edhe këtë herë që shqiptarët ta përdorin imazhin e SHBA-së, sikur të jetë një gjë fare e zakonshme, njësoj me miqësitë që kanë prishur dhe rregulluar në këto njëqind vitet e fundit.

Të shkojmë në një vend tjetër! Shqiptarët kur flasin për luftën dhe mbrojtjen e Kosovës, ia dedikonin mbrojtjen dhe garantimin e pavarësisë Amerikës. Veçse në vitet e fundit ia shpërblyen me gati një kontingjent të tërë në përbërje të ISIS,  kurse pak orë më parë ambasadorit Delawie në Prishtinë, kryetari i UÇK-së iu drejtua me fjalën palaço!!! Po jo vetëm  kaq. Në të gjitha këto ditë: Ambasadorit të SHBA në Prishtinë i është dashur të luftojë shumë që deputetët kosovarë t’i thërrisnin mendjes dhe të mos tentonin ta shpërbënin Gjykatën Speciale, ashtu si në kohët e fundit i është dashur t’u kujtojë investimin e madh amerikan, që është edhe një dukje identiteti.

Ndërsa analisti amerikan për rajonin Daniel Serwer ka thënë më shumë atë që në hapësirat shqiptare është kaluar thatë… “Mund të supozojmë se nuk do të jemi gjithmonë të mirëpritur në Kosovë. Kosovarët e rinj shqiptarë nuk e kuptojnë pse vendi i tyre nuk ka një armatë. NATO po shihet si një barrierë për ta pasur atë. Disa ndërkombëtare mendojnë se Kosovës nuk i duhet një armatë sepse e ka praninë e NATO-s aty. Por, kjo nuk do t’u shitet gjatë qytetarëve të Kosovës. Më mirë të zgjidhet problemi se sa t’i presim të protestojnë”, ka shkruar ai. se Fjala ishte për bazën, e cila mund të zhvendosej prej alternativave të tjera më të pranueshme por edhe qëndrimin në përgjithësi.

A janë të ndara këto shembuj? Në dukje po. Por të gjitha i bashkon një fill, që shqiptarët gjatë  të gjithë historisë kanë dashur të luajnë me shumë porta, thjesht nga individë për të ruajtur benefice personale por asesi interesat e mëdha të vendit, që për fatin e madh në këto dekadat e fundit na kanë përkuar me palën amerikane.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here