Potencial terrori nga Ballkani

0
64

Nemanja Rujevic

 

Qeveria federale(gjermane) nuk e përjashton “parimisht një potencial kërcënimi nga ana e dorasve të veçantë dhe grupimeve të veçuara prej skenës islamiste” në Bosnje-Hercegovinë.  Kjo del nga një përgjigje e qeverisë federale lidhur me kërkesën e paraqitur nga grupi parlamentar i partisë E Majta në Bundestag, që e disponon DË ekskluzivisht. Ka kontakte të veçuara mes islamistëve radikalë nga Ballkani me ata në Gjermani. Por Shërbimi Federal i Informacionit (BND) nuk ka të dhëna konkrete për rritjen e tendencave islamiste në Bosnje.

 

Në një artikull të gazetës Berliner Zeitung nëntorin e kaluar thuhej, se BND gjithnjë e më shumë po e fokuson vëmendjen tek vendet e Ballkanit, veçanërisht në Bosnje-Hercegovinë. Por mbetet vend për spekulime, sepse përgjigjet konkrete ndaj kërkesës së grupit parlamentar të së majtës mbahen sekret. Qeveria nuk donte të pozicionohej publikisht për pagesat e mundshme të shteteve të Gjirit persik ndaj vendeve të Ballkanit. E njëjta gjë vlen edhe për dërgimin e imamëve nga Arabia Saudite dhe Turqia për në Bosnje.

“Ndryshe nga BND-ja qeveria federale përpiqet ta minimizojë në opinionin publik rrezikun në rritje prej islamizmit”, mendon Sevim Dagdelen, eksperte për politikën e jashtme në grupin parlamentar të së majtës. Numri në rritje i islamistëve të gatshëm për dhunë në Ballkan ka pasoja të rënda ndaj sigurisë në Gjermani. “Po ashtu është e papranueshme, që qeveria vazhdon ta mbajë të fshehtë rolin e shteteve të Gjirit Persik,e në radhë të parë atë të Arabisë Saudite, por edhe të Turqisë”, thotë për DË Dagdelen.

Nuk jepet informacion për numrin e luftëtarëve

Qeveria i klasifikon si “posaçërisht të mbrojtura” të dhënat për numrin e terroristëve nga Bosnje-Hercegovina dhe Kosova, që i janë bashkuar grupeve xhihadiste vitet e kaluara. Sipas njoftimeve në media nga këto dy vende baallkanike ka dalë numri më i madh i luftëtarëve të eksportuar islamistë.

Megjithatë qeveria jep një informacion: terroristët nga vendet e Ballkanit bashkohen jo vetëm me të ashtuquajturin Shteti Islamik dhe frontin e ish-Al Nusras. Rreth dhjetë përqind e islamistëve lufton në radhët e grupimeve të ndryshme të Ushtrisë së Lirë Siriane. Numri më i madh i udhëtimeve drejt Sirisë dhe Irakut është nga fshatrat e Bosnjes. Atje banorët orientohen në jetën e tyre religjoze dhe sociale nga “zakonet dhe traditat fundamentaliste”, konstaton qeveria gjermane.

Të forcohet islami liberal

“Ky është një devijim radikal prej islamit tradicional ballkanik”, analizon Vedran Dzihic, studiues në Institutin austriak për Politikën Ndërkombëtare. “Në Bosnje anëtarët e lëvizjes salafiste i sheh nëpër rrugë. Ata janë aktiv në fushën e kulturës dhe kanë xhami të bashkësive të tyre”, thotë ai në intervistë për DË. Eshtë e qartë, se salafistët në Ballkan me ndihmën e Arabisë Saudite dhe të vendeve të tjera po krijojnë një strukturë paralele, që është në kontrast me bashkësitë tradicionale të islamit ballkanik. E nevojshme është, thotë Dzihic, që të luftohet varfëria, t’u jepet një perspektivë në BE vendeve të Ballkanit Perëndimor, të forcohet interpretimi autokton liberal i islamit ballkanik dhe të vendoset një bashkëpunim më efikas me shërbimet sekrete.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here