Nostrifikimi i diplomave me Serbinë, i ndikuar politikisht

0
27

Në mbledhjen Komisionit parlamentar për Arsim, në raportim është ftuar ministri i Arsimit, Shyqyri Bytyqi, lidhur me çështjen e nostrifikimit të diplomave dhe (mos)zbatimin e Marrëveshjes për njohjen e diplomave Kosovë-Serbi.

Duda Bale, anëtare e komisionit, ka kërkuar nga ministri të raportojë lidhur me problemin e nostrifikimit të diplomave.

Ndërkaq, ministri ka thënë se ka pasur probleme në lidhje me këtë çështje me shtetin e Serbisë.

“Departamenti i nostrifikimit në MASHT ka pasur telashe me nostrifikimin. Po ashtu nostrifikimi i diplomave me shtetin e Serbisë ka pasur probleme dhe ka qenë i ndikuar politikisht”, ka thënë Shyqyri Bytyqi, ministër i Arsimit.

“Kanë qenë dy marrëveshje për këtë çështje dhe e para ka rezultuar me nostrifikimin e një numri të madh të diplomave, ndërsa marrëveshja e dytë nuk ka rezultuar e suksesshme. Në një takim me ministrin e Arsimit të Serbisë është parë që ai nuk ka qenë i gatshëm të merret me zgjidhjen e këtij problemi”, ka shtuar ai.

“Në MASHT kemi bërë një auditim të brendshëm dhe kemi parë se ku janë problemet e mos nostrifikimit të diplomave. Nëse arrijmë ta përmbyllim çështjen politike, çështja teknike mund të kryhet më lehtë. Për një profesor boshnjak të angazhuar në Universitetin e Pejës kemi kërkuar nga ky universitet që t’i vazhdohet kontrata deri në nostrifikimin e diplomës së tij”, përfundoi Bytyqi.

Ndërkaq, deputetja Bale ka kërkuar nga ministri të tregojë numrin e aplikimeve në MASHT për nostrifikim të diplomave.

“Sa aplikime janë në MASHT për nostrifikimin e diplomave dhe me sa e di unë janë 120 por ende askujt nuk i është kthyer përgjigje. Kam informata se diploma prej Mitrovicës ne si Kosovë mundemi t’i pranojmë tani”, ka thënë Bale.

Kurse deputetja tjetër, Teuta Haxhiua, ka thënë se meqë po flitet për komunitetin boshnjak, “aplikacionet që u janë drejtuar juve, a keni informata nëse programet ku ankuesit kanë përfunduar studimet janë të akredituara”.

Ajo tha se është shumë e zhgënjyer me departamentin e MASHT-it që merret me nostrifikimin e diplomave “pasi as përgjigjet nuk u kthehen në afatin e paraparë kohor”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here