Thaçi: Institucionet e papërgjegjshme me Kompleksin “Adem Jashari”

0
21

Është mjerim që shumica e atyre që qeverisën në Kosovën e pasluftës edhe pse u thirrën në emër të familjes Jashari, lejuan që Kompleksi Memorial “Adem Jashari” të vijë në një gjendje që të rrezikohet tërësisht.

Kështu tha në një intervistë për KosovaPress, iniciuesi i peticionit “Për shpëtimin dhe ruajtjen e Kompleksit të Familjes Jashari”, Jusuf Thaçi, sipas të cilit, situata bëhet edhe më e keqe kur dihet se qysh nga shpallja e pavarësisë, kompetencat për ta ruajtur, shpëtuar dhe konservuar këtë kompleks janë në kuadër të institucioneve të Kosovës.

Thaçi: Është mjerim që Kompleksi të mbetet në këtë gjendje

“Është mjerim që Kompleksi i Familjes Jashari, tash po shkojnë gati dy dekada që ka përfunduar lufta e familjes Jashari, të mbetet në një gjendje të tillë, posaçërisht pas shpalljes të pavarësisë të Kosovës, kur kompetencat për ta ruajtur, për ta shpëtuar dhe për ta konservuar këtë kompleks, janë në kuadër të institucioneve të Kosovës. Për më tepër, shumica e atyre që kanë qeverisur në Kosovën e pasluftës, gjithmonë janë thirrur në emër të luftës dhe në emër të familjes Jashari, dhe ndërkohë që kanë lejuar që Kompleksi i Familjes Jashari, një objekt me simbolikë kaq të madhe, kaq përfaqësuese për luftën e UÇK-së, të vije në këtë gjendje, sa të rrezikohet qoftë nga dëmet e pariparueshme, qoftë nga rrënimi i tërësishëm i cili mund të vije nëse dita ditës nuk merren masa emergjente”, tha ai.

Thaçi foli për gjendjen aktuale në të cilën ndodhet Kompleksi “Adem Jashari”, përderisa theksoi se duhet të merren masa emergjente për ta shpëtuar dhe konservuar atë.

Sipas tij, janë një mori hapash që mund të ndërmerren edhe pa ndryshime ligjore, porse kjo e fundit mbetet tejet e rëndësishme për konservimin afatgjatë të Kompleksit Memorial Jashari.

Thaçi: Ka shumë ndërhyrje që duhet dhe mund të ndërmerren

“Gjendja e Kompleksit të familjes Jashari është shumë e keqe, ka shumë ndërhyrje që duhet dhe mund të ndërmerren edhe pa ndryshime ligjore. Në kohën që ne po flasim, kompleksi i familjes Jashari është i ekspozuar ndaj rreziqeve që vijnë nga faktori njeri. Pra, nuk ka roje 24 orë në ditë, nuk ka roje, që i bie se secili qytetarë i pandërgjegjshëm mund të shkojë dhe të shkruajë nëpër mure të këtij kompleksi, pasi që askush nuk e siguron atë. Në anën tjetër, pjesa që e mbulon dhe mbron këtë kompleks, shumë trarë të kësaj skeleture janë të dëmtuar dhe të kalbur dhe çdo moment mund të rrëzohen, që i bie se mund të dëmtohen objektet, por mund edhe të lëndojnë qytetarët vizitorë. Pra, këto janë disa prej ndërhyrjeve emergjente që mund të bëhen pa ndryshime ligjore, nuk kanë kosto të madhe të papërballueshme për institucionet e Kosovës, në ndërkohë që ndryshimet ligjore janë të domosdoshme për projektin e madh të konservimit afatgjatë”, tha ai.

Thaçi tha fakti se një pjesë e buxhetit të ndarë për Kompleksin e Familjes Jashari është kthyer ne suficit, ndërsa një pjesë tjetër është ridestinuar, ndërkohë që gjendja e këtij kompleksi mbetet alarmante, dëshmon për paaftësinë e menaxhimit të mjeteve nga ana e institucioneve përkatëse.

Thaçi: Kjo do të thotë papërgjegjësi

“Përderisa Kompleksi ka nevoja emergjente dhe gjendja është vërtet shumë e keqe, në të njëjtën kohë mbesin mjete të pashpenzuara, kjo do të thotë papërgjegjësi para së gjithash, por edhe paaftësi e menaxhimit të mjeteve nga ana e institucioneve përkatëse… Unë veç i përmenda disa masa që janë të domosdoshme, e të cilat nuk janë ndërmarrë deri më tani, e nuk kanë kosto të madhe. Dhe vet fati që ato masa nuk janë ndërmarrë ndërkohë që ka tepruar buxheti i paraparë për mirëmbajtjen e këtij Kompleksi, dëshmon që praktikisht është fjala për papërgjegjësi dhe paaftësi të menaxhimit të mjeteve financiare”, tha ai për KosovaPress.

Sipas Thaçit, komuna e Skenderajt ka buxhet të vogël dhe derisa Kompleksi i Familjes Jashari, është pasuri shtetërore, si i tillë, është dashtë të jetë nën mbrojtjen e institucioneve qendrore.

Ndërkaq thotë se nuk do të ndalen së aktualizuari këtë çështje derisa institucionet e Kosovës të marrin të gjitha masat e nevojshme për shpëtimin, ruajtjen dhe konservimin e këtij kompleksi.

Thaçi: Do ta mbajmë aktuale këtë

“Unë besoj që, për fat të mirë, me përkrahjen e mediave normalisht, me përkrahjen e shumë qytetarëve, ne do të arrijmë të mbajmë aktuale këtë temë, deri sa të sigurohemi që institucionet e Kosovës të ndërmarrin të gjitha masat për shpëtimin, ruajtjen dhe konservimin e Kompleksit të Familjes Jashari. Unë si qytetarë nuk kam çfarë të bëj tjetër, përveç se të kontribuoj me njerëzit e vullnetit të mirë që ta mbajmë aktuale këtë temë, dhe me shpresë se institucionet përkatëse do të marrin masa. Në rast se jo, e vetmja që na mbetet të ndërmarrim si qytetarë, është grumbullimi i mjeteve për shpëtimin e këtij kompleksi. Por, po shpresoj që duke parë që ditëve të fundit institucionet kanë filluar me lëvizë në lidhje me këtë problematikë, po shpresoj se nuk do të ketë nevojë për një nismë të tillë. Meqenëse edhe ajo nismë do të kishte problemet e veta ligjore meqë ky është një institucion në kuadà «r të institucioneve qendrore”, bëri të ditur ai.

Ndryshe, Komisioni Parlamentar për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor i Kuvendit të Republikës së Kosovës, të premten procedoi për në qeveri projekt-ligjin për Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, i cili së shpejti pritet t’i kalojë procedurat në qeveri e dhe pastaj të miratohet nga Kuvendi i Kosovës.

Teksa vet iniciuesi i peticionit për shpëtimin e këtij Kompleksi, Jusuf Thaçi njoftoi përmes rrjeteve sociale se ky problem është drejt zgjidhjes.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here