Së shpejti nis kontrollimi i cilësisë dhe saktësisë së litrit të karburanteve, thotë Hasani

0
33

Sonte në emisionin “Puls” të KTV-së, i ftuar ishte ministri i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Bajram Hasani, për të folur për shumë çështje që janë përgjegjësi e ministrisë që ai drejton.

Ministri tregoi për çështjen e pikave të karburanteve, duke thënë se me të ardhur në krye të Ministrisë, ka gjetur se 30% të pikave të karburanteve kanë qenë të palicencuara që është një shqetësim i madh.

“Sipas legjislacionit në fuqi, Dogana është përgjegjëse për kontrollin e naftës, realisht kontrolli është shumë e vogël, vetëm 3% e naftës kontrollohet. Nuk jemi i kënaqur me këtë kontroll, kemi filluar të punojmë dhe do të dalim me rekomandim se si do të vazhdojmë me kontrollin e naftës”, tha ministri Hasani.

Ai tha se as Dogana e as inspektorati i MTI-së s’kanë kapacitetet ta kontrollojë naftën sa duhet, pra duhet të gjendet një modalitet se si të bëhet ky kontroll.

“Edhe rreth vjedhjes së sasisë së litrit të naftës gjatë mbushjes së veturave jemi duke e shikuar se si të bëhet kontrolli dhe bazhdarimi i pompave të naftës. Ne e kemi gjetur një laborator totalisht jashtë funksionit i cili ka ardhur donacion nga Britania e Madhe. Është në podrum dhe e ka mbuluar pluhuri. Shumë shpejt presim ta funksionalizojmë atë laborator të naftës dhe të fillojmë me kontrollin e cilësisë dhe saktësisë së litrit”, potencoi ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani.

Hasani tha se ministria që ai drejton ka bërë kërkesë për plotësimin e pozitës me Sekretar të Përgjithshëm në MTI për shkak se ministria ka qenë me ushtrues detyre, ndërsa thotë se pjesa tjetër e procedurave i ka takuar ministrisë së Administratës Publike (MAP).

“Ne kemi pranuar nga MAP-i tre emra që i plotësojnë kushtet për të vazhduar më tutje, obligim ligjor është që ministri të dërgojë një emër nga këta tre emra të dërguar nga MAP-i. Ne pastaj kemi propozuar një emër dhe e kemi dërguar në MAP, pastaj kjo ministri e procedon në qeveri për votim, është proceduar në qeveri, i ka marrë votat e mjaftueshme nga qeveria që ky person të zgjidhet sekretar i MTI-së”, tha ministri në “Puls”.

Ministri tha se kompania britanike, që merret më emërimet dhe monitorimin e pozitave të larta, “kanë vetëm rol vëzhgues”.

“Përkundër rekomandimeve është në kompetencën time që unë të marrë vendim për personin që mendoj se është më i miri. Pa marrë parasysh se a ka qenë i treti apo i katërti, unë nga këta emra e kam përzgjedhur këtë emër”, shtoi ai.

Hasani foli edhe për gjendjen në të cilën e ka gjetur ministrinë me të marrë mandatin. Tha se janë gjetur shumë punë të kryera keq, probleme me ligje, me udhëzime administrative.

“Ka shumë udhëzime administrative që kanë mbetur pezull që nuk janë nënshkruar me vite që kanë derivuar nga ligjet aktuale. Kam gjetur shumë ushtrues detyre, duke filluar nga disa kryeshefë, si p.sh. Agjencia për Meteorologji, Agjencia për Akreditim dhe Sekretarin e Përgjithshëm. Kemi rekomandimet e zyrës së BE-së që të funksionalizohen këto departamente sa më shpejtë”, tha Hasani.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë foli edhe për njehsorët e rrymës dhe të ujit, matjet e të cilave tha se janë kompetencë e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

“Sa i përket laboratorit për matjen e orëve, e kemi gjetur mbyllur, pra nuk funksionon, është për të ardhur keq. Unë gjatë këtij viti ju garantoj se do të fillojmë t’i kontrollojmë orët e rrymës dhe ujit. A e dini që sot nuk ka kush t’i kontrollojë orët e KEDS-it për saktësinë e matjes së tyre. Qytetarët nuk kanë faj që dyshojnë për matjet e orëve”, tha ministri Hasani.

Hasani u deklarua edhe në lidhje me Ligjin për Inspektoratet, duke thënë se shumë shpejtë pritet të miratohet dhe aty parashihen që të fuzionohen të gjithë inspektoratet, pra 37 inspektoratet në nivel vendi sa janë dhe 5 komunale do të futen nën një ombrellë dhe do të udhëhiqet nga një kryeinspektorat shtetëror.

“Shpesh shohim që gjuhet përgjegjësia nga njëri tek tjetri prandaj duhet të fuzionohen dhe të punojnë se bashku duke i ndarë saktë edhe përgjegjësitë. Ne kemi edhe rekomandime nga BE-ja dhe pritet të bëhet me ligj ky fuzion”, u shpreh ai.

Ndërsa, sa u përket investimeve të BERZH-it në parkun e biznesit në Drenas, Hasani tha se kanë qenë në bisedime me BERZH-in nga viti 2016 për zhvillimin e këtij parku. Tha se është përfunduar edhe fizibilitetit i asaj zone.

“Kah fundi i vitit 2017 i kemi dhënë sinjalin BERZH-it për të vazhduar me projektin, por papritmas ka ardhur një vendim për të marrë një pjesë të tokës për ndërtimin e stadiumit. Ky vendim është bërë pa u konsultuar me ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë dhe është hedhur ai propozim në Qeveri dhe ka kaluar. Nuk jemi konsultuar nga ministria përkatëse vetëm kur është votuar. BERZH-i do t’i shkurtojë fondet në rast se e merr stadiumi zonën tonë, pra 1 e treta e sipërfaqes i jepet stadiumit atëherë edhe 5 milionë më pak do t’i kemi nga BERZH-i”, tha Hasani.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here