SBASHK-u i detyruar të mbajë grevë, nuk përjashton protestat e mësimdhënësve

0
50

Nënkryetari i SBASHK-ut, Lutfi Mani në “Express Intervistën” e KTV-së, ka thënë se Sindikata është e detyruar të mbajë grevën një orëshe, të paralajmëruar për nesër nëpër të gjitha shkollat e Kosovës.

Mani ka thënë se marrëveshja e nënshkruar në kohë fushate mes SBASHK-ut dhe liderëve të PAN-it, Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli, nuk është respektuar nga tani liderët shtetërorë të Kosovës.

“Marrëveshja i ka pasur gjashtë pika. E para, kontrata kolektive të implemetohet tërësisht. Kontrata parasheh që me pensionimin e mësimdhënësit, të jenë tri paga përcjellëse dhe katër paga jubilare, pastaj shpenzimet e rrugës, shujtat etj”, ka thënë Mani.

“Pastaj është ligji i viteve 90-99, cilado qeveri është dashur ta miratojë këtë ligj. Ne jemi takuar, na kanë thënë se gjithçka në rregull, se ligjin e mbështesin të gjitha partitë. Sot po e kremtojnë 10 vjetorin e shtetit ndërsa askush nuk është marrë me 10 vjetët e punës së mësimdhënësve”, ka shtuar ai derisa ka bërë thirrje që mësimdhënësit që kanë punuar 10 vjet të kenë 75 për qind të pagës pas pensionimit.

Mani u ka bërë thirrje prindërve që nesër të mos lejojnë fëmijët të shkojnë në shkollë gjatë orës së parë, ndërsa ka paralajmëruar se nëse nuk ka lëvizje, priten protesta të mësimdhënësve.

“Me keqardhje e kemi marrë këtë veprim, duke e parë që nuk ka lëvizur asgjë për marrëveshjen. Nëse ka lëvizje, greva pezullohet, javën e ardhshme greva është dyorëshe dhe atë e ndërpresim për një moment sepse më 24 shkurt e kemi Kongresin, por nuk përjashtohen protestat në rrugë. Ne nuk dëshirojmë t’i qesim në rrugë mësimdhënësit. Ne porosisim prindërit që të mos lejojnë shkuarjen në shkollë të fëmijëve të tyre”, ka thënë ai.

“Greva nuk është e dëshirueshme për askënd. Nëse mësimdhënësit i realizohen kërkesat, ato janë në interes të nxënësit dhe prindërve. Por mësimdhënësi nuk ka motiv që të shkojë të punojë”, ka shtuar ai.

Mani në “Express Intervistën” ka thënë se SBASHK-u është takuar edhe me kryeministrin Ramush Haradinaj, i cili u ka premtuar miratimin e ligjit për pagat dhe pensionet e mësimdhënësve.

“Jemi takuar me kryeministrin, ai ka qenë i gatshëm, ka thënë se ‘do të shkojë dhe do të bëhet’. Ligji për pagat ende nuk është diskutuar, sepse pritet të bëehet një draft për kategorizim. Jemi takuar edhe me ministrin e Arsimit, pasi e kemi lajmëruar grevën, ai ka thënë se ligjin e kanë dërguar në Qeveri. Në fillim na thanë se ka kosto të madhe, tash na kanë thënë se ky ligj është proceduar”, ka thënë veç të tjerash Mani.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here