Vuçiç në Zagreb: “Nuk jam çetnik”. Do zgjidhim çështjen e të zhdukurve

0
42

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç po zhvillon një vizitë dy ditore në Kroaci. Ai dërgoi mesazhe paqe, por rezervat janë tepër të mëdha. Në prag të vizitës së Vuçiçit në Zagreb ka pasur mosmarrëveshje shumë të mëdha mes Serbisë dhe Kroacisë. Është folur për snajperistë dhe forca të mëdha sigurie gjatë kësaj vizite, mundësinë e protestave të mëdha dhe incidenteve apo ofendimeve. Shumë media komentonin këtë atmosferë të nxehtë, sikur lufta të kishte përfunduar dje. Raportet mes Kroacisë dhe Serbisë janë ftohur dukshëm pas largimit nga pushteti të ish-presidentëve Ivo Josipoviç dhe Boris Tadiç.

 

Para gazetarëve presidentja kroate Kolinda Grabar-Kitaroviç tha se Vuçiçin e ka ftuar në Kroaci për të ndërprerë shkallëzimin e konfliktit retorik mes dy shteteve, që ka shkallëzuar kohët e fundit për shkak të një ekspozite për llogorin e ushtashëve në Jasenovac, të cilën e ka organizuar misioni i Serbisë në OKB.

 

“Për shumë çështje nuk jemi dakord, por në disa vende kemi afruar mendimet, e në disa të tjera do të vazhdojmë bisedimet. Kemi rënë dakord se do të vazhdojmë bisedimet. Kemi rënë dakord që sa më parë të zgjidhin çështjen e të zhdukurve. Zoti Vuçiç dhe unë do të bisedojmë me shoqatat e të pagjeturve“, tha Grabar-Kitaroviç, e cila e quajti si temë me prioritet fatin e gati 2000 serbëve dhe kroatëve, të cilët ende llogariten si të zhdukur.

Problemi me kufirin
“Qëndrime të ndryshme kemi edhe sa i përket kufirit. Kroacia mendon se problemi duhet të zgjidhet mbi bazën e librave kadastrale, ndërsa Serbia mendon se çështjet kontestuese duhet të zgjidhen mbi bazën e ligjeve. Do të përpiqemi që këtë problem ta zgjidhim me bisedime bilaterale. Nëse nuk është e mundur, do të shkojmë në arbitrazh”, theksoi Aleksandar Vuçiç. Palët presin që ky problem të zgjidhet në kuadër të negociatave të Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, sepse Brukseli nuk dëshiron që sërish të ketë probleme të ngjashme, si ato mes Kroacisë dhe Sllovenisë.

Vizita e Vuçiçit në Zagreb dhe takimet me Grabar-Kitaroviç si dhe kryeministrin Andrej Plenkoviç kanë treguar se Kroacia dhe Serbia kanë dallime të mëdha në politikën e jashtme. Plenkoviç ka paralajmëruar se pala kroate duhet të hapë edhe çështjen e dëmshpërblimit për dëmet e bëra gjatë luftës. Vuçiç në prag të takimit ka deklaruar se do të ishte më mirë sikur pala kroate të mos hapte këtë temë. Takimi Vuçiç-Plenkoviç është mbajtur pas dyerve të mbyllura, ndaj nuk dihet se çfarë është biseduar. Vuçiç tha se në takim është përmendur edhe kjo temë, por nuk dha detaje.

Demonstruesit kërkojnë që Vuçiq të kërkojë falje
Mbetet të shihet nëse procesi i filluar i bisedimeve do të vazhdojë me tone pozitive, sepse shumë demonstrues në Zagreb kanë kërkuar që Vuçiçi të kërkojë falje për krimet e bërë serbe në Kroaci si dhe për deklaratat e tij gjatë viteve 90-të. Në vitin 1995 ai u kishte premtuar serbëve në Glinë se ata kurrë nuk do të jenë pjesë e Kroacisë. Të gjithë mendojnë se Vuçiç duhet të kërkojë falje, por këtë nuk e pret gati askush. Megjithatë në Zagreb nuk ka pasur ndonjë protestë tepër të madhe gjatë kësaj vizite.

“Nuk jam çetnik”

“Të gjiThëve në Kroaci dua t’u them se unë nuk jam çetnik dhe askush nga familja ime nuk ka qenë. Protestat janë normale në shtetet demokratike, por kjo nuk më ka shqetësuar shumë”, theksoi Vuçiç.

Presidenti i Serbisë ka sjellë me vete në Zagreb dokumentacionin për zhvillimet në vendin Dvor na Uni, të cilat gjatë luftës ishin transportuar në Serbi. Ai thotë se ka sjellë të dhënat edhe për tre persona të zhdukur gjatë luftës, ndërkohë që nuk dihet fati i 1.945 personave.

Analistët në reagimet e para thonë se vizita nuk ka shënuar asnjë befasi dhe nuk i ka plotësuar pritjet, ndonëse askush nuk ka pritur ndonjë rezultat epokal.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here