Bytyqi akuzon “një grup interesi, dashakeqës, që keqinformoi EQAR-in”

0
74

Fajin për përjashtim nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë, EQAR, i pari i Arsimit në Kosovë, Shyqiri Bytyqi po tenton ta hedhë te një “grup interesi” të cilët sipas tij keqinformuan këtë institucion.

E ka quajtur tension të stisur opinionesh atë që po ndodh pas këtij vendimi.

Ka thënë gjithashtu se në MASHT nuk ndjehen mirë me këtë tendencë largimi nga ky mekanizëm evropian dhe se do ta ndihmojnë shumë Agjencinë e Akreditimit që të sqarojë EQAR-in në këta tre muaj afat për të ndalur largimin.

“Ne sigurojmë opinionin, EQAR-in, palët e interesit në Kosovë, se ne i mbajmë duart politike larg këtij institucioni dhe secilit institucion arsimor”, ka thënë ai.

Ka rikujtuar atë që e ka thënë edhe më parë, se shkarkimin e Bordit e kishte kërkuar kryeministri Ramush Haradinaj.

“Kemi bërë mirë apo keq, koha do ta tregojë, por se unë edhe pas kaq kohë pas atij vendimi, besoj se kemi bërë gjënë e duhur. Fundja, ne jemi këtu për të marrë vendime. E ardhmja do të na gjykojë nëse kemi bërë mirë apo keq”.

Ky është postimi i plotë i ministrit Bytyqi:   

Qytetarë të nderuar, opinion i shqetësuar dhe ju palë të interesit,

Po ju drejtohem me këtë letër rreth gjendjes së krijuar dhe një tensioni të stisur opinionesh për vendimin e institucionit evropian EQAR për largimin e Kosovës nga kjo organizatë me të drejtë apelimi në afat tremujor.

Tendenca e largimit të tillë vjen si pasojë mosbesimi dhe dyshimi (se mos ne kishim bërë një goditje politike), pas shkarkimit të Bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, të ndikuar jo pak nga informimi dashakeqës i ndonjë grupi interesi, apo lidhjembajtësi dashakeq për Kosovën.

Duart politike në të tilla agjenci vrasin arsimin, kapin institucionet dhe për periudhë jo të gjatë, e bëjnë arsimin e lartë klientelist, me çka ne pastaj i vuajmë pasojat në paskohë!

Nëse diçka qëndron në themelet e ardhjes sime në krye të dikasterit të arsimit, është kjo: Ta çkapim arsimin nga kapja! Kjo është edhe njëra nga pikat e mia programore, me të cilat unë e kam lidhur fatin tim publik. Kjo është detyrë jo vetëm e imja, por edhe përpjekje e kombit tonë. Arsimi është shoqëria. Arsimi është ekonomia. Arsimi është shteti ligjor. Pra, arsimi është vetë cilësia e jetës dhe ne këtu nuk do bimë në ujdi me kapësit e sistemit, por do t’i çkapim çdo ditë e kudo. Kjo është puna jonë dhe mjerisht, nganjëherë e kaluara e gabueshme po na e bënë të jetë edhe lufta jonë! Gjendja që ne e trashëguam në arsim është nderi dhe mallkimi i pararendësve tonë, edhe pse pa të drejtë na faturohet neve.

Megjithatë, ne nuk ndjehemi mirë me këtë tendencë largimi nga ky mekanizëm evropian dhe do ta ndihmojmë shumë Agjencinë e Akreditimit që të sqarojë EQAR-in në këta tre muaj afat që kemi, për të ndalur largimin.

Ne sigurojmë opinionin, EQAR-in, palët e interesit në Kosovë, se ne i mbajmë duart politike larg këtij institucioni dhe secilit institucion arsimor. Këtë e dëshmon lista me emra që ne ia kemi ofruar Parlamentit për miratim. Administrata dhe drejtuesit e Parlamentit, për habinë tonë, e kanë vonuar këtë çështje, dhe nuk e kanë futur në rend dite edhe përkundër ndjeshmërisë së saj. Me gjithë vonesën, ajo nesër pritet të jetë materie që pret miratimin e deputetëve.

Ne sigurojmë opinionin se, asnjëherë Kosova nuk ka pasur listë emërore apolitike dhe natyrisht edhe profesionale sikur kjo.

Le të shërbejë kjo gjendje që të shtojë edhe ndjeshmërinë e mirëkuptimin e deputetëve që me votimin e tyre të na hapin rrugë, me çka Bordi i ri do vihej në punë dhe do kishte para vetes gjithë kohën e duhur dhe mbështetjen tonë, që në komunikim me EQAR të risjellë gjithçka në vend të vet.

Sikur edhe është i informuar opinioni, unë pata marrë një vendim me kërkesë të Kryeministrit për shkarkimin e Bordit të AKA-së.

Kemi bërë mirë apo keq, koha do ta tregojë, por se unë edhe pas kaq kohë pas atij vendimi, besoj se kemi bërë gjënë e duhur.

Fundja, ne jemi këtu për të marrë vendime. E ardhmja do të na gjykojë nëse kemi bërë mirë apo keq!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here