Në semestrin pranveror të UP-së 11 studentë ndërkombëtarë

0
67

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema ka pritur në takim studentët ndërkombëtarë, të cilët gjenden në Kosovë për të ndjekur semestrin pranveror pikërisht në UPHP. Mobiliteti i këtyre studentëve është realizuar me anë të projektit Erasmus+ të Bashkimit Evropian.

Me studentët rektori Dema bisedoi për mundësitë e studimit brenda UPHP-së dhe i garantoi ata që do të kenë mbështetjen e nevojshme akademike dhe administrative për të realizuar studime sa më cilësore.

Ndërkaq, prorektorja për marrëdhënie ndërkombëtare në UPHP, prof. ass. Teuta Pustina, në fjalën e saj përshëndetëse falënderoi Zyrën për Marrëdhënie me Jashtë për punën e bërë në pranimin dhe akomodimin e studentëve për të ndjekur studimet për këtë semestër në UPHP, si dhe u uroi shumë fat studentëve në këtë mobilitet akademik dhe kulturor.

Studentët ndërkombëtarë, të cilët do të jenë pjesë e UPHP-së për semestrin pranveror janë nga Turqia, Polonia, Austria dhe Portugalia, ndërkaq do t’i ndjekin studimet e këtij semestri në Fakultetin Ekonomik, Filozofik, Filologjik, si dhe Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Programi Erasmus+ është program i BE-së për shkëmbimin e studentëve dhe stafit. Qëllimi i tij është të ofrojë mundësi të këmbimit për studentët dhe stafin e vendeve partnere. Ky program i Bashkimit Evropian (BE) mbështet financiarisht një sërë veprimtarish në fushat e arsimit, trajnimit, rinisë dhe sportit për periudhën 2014-2020.

Për semestrin pranveror, 106 studentë të UPHP-së tashmë kanë filluar mobilitetin në Universitete të ndryshme te Evropës dhe Turqisë, ndërkaq UPHP-ja për këtë semestër ka pranuar 11 studentë ndërkombëtarë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here