Karnevalet në Bozovcë të Tetovës, maska, traditë dhe kostume nga kultura ilire (VIDEO)

0
35

Maska, traditë dhe kostume nga kultura ilire.

Para të pranishmive parakaluan me dhjetëra banorë të malësisë me maska dhe veshje karakteristike. Pjesë e performancës ishin edhe tri vajza të veshura si nuse. Karakteristikë e këtyre nuseve ishin fyturat e tyre të lyera me të bardhë, që sipas traditës, simbolizojnë pastërtinë e femrës ilire. Këto ishin pjesë e manifestimit “Karnevalet Ilire”, organizuar tashmë për herë të 10-të në fshatin Bozovcë të Komunës së Tetovës. E veçanta e këtij jubileu ishte edhe shfaqja e ekspozitave të Zeqir Memetit nga Tetova, i cili shfaqi disa nga punimet që janë shfaqur për 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Por edhe ekspozita nga Muzeu i Kosovës e cila na njofton me veshjet kombëtare shqiptare të anës së Kosovës, Maqedonisë dhe Medvegjës.

“Këtu kemi bërë një improvizim të një ekspozite, kemi paraqitur sofrën tradicionale, patët mundësi me pas sofrën tradicionale dhe mbrapa meje  janë vajzat që kanë veshur veshje të krahinave të ndryshme të Kosovës, duke filluar nga veshja e rrafshit të Dukagjinit, veshne e Hasit, ka pasur veshje të kombinuara e kështu me rradhë”, tha Erodita Xhurkadiu-Haxhiu.

Kjo ngjarje kërkon përkushtim dhe investim, po që nga ana financiare nuk mbështetet sa duhet tha Remzi Matoshi.

“Gjithmonë ne shqiptarët kur vijmë te financat e kemi shumë problem, kur vjen momenti është sadopak i zbehtë dhe i problematizuar. Por unë mendoj që duke pasur përpara njerëz si Lazim Destani, organizimi dhe mbështetja është e parezervë edhe pse në këtë rast në disa lëvisje të vogla është edhe Ministria e Kulturës”, tha Remzi Matoshi.

Regjisori Agron Biba u paraqit me monolog nëpërmjet të cilit shprehu pakënaqësitë e tij ndaj mosruajtjes së zakoneve dhe kulturës së paraardhësve shqiptarë.

“Në mot nuk dua të shoh profesor me kollare. Secili duhet të vijë me një maskë, sepse këto janë karnevale. Nuk janë karnevalet për të shëtitur kostumin. Po duhet të bësh një kostum të veçantë tëndin se si ndihesh në atë kohë.”, u shpreh Agron Biba.

Këto karnevale në traditën pagane ilire zhvilloheshin në shenjë të përfundimit të stinës së dimrit dhe fillimit të verës. Në kuadër të manifestimit u shfaq edhe një program i begatshëm kulturor. Ky manifestim kultivon vlerat e historisë së lashtë ilire u shpreh organizatori Neshad Mehmeti. Finalizimi i Karnevaleve, u mbulua me një drekë tradicionale të përgatitur nga gratë e fshatit Bozovcë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here