A do të thyhen vezët e pashkëve në Shqipëri?! Bushati flet për takimin Rama- Tsipras

0
126

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme ka folur me tone pozitive për takimin e pritshëm mes kryeministrit Rama dhe homologut të tij grek Tsipras në Shqipëri, një takim që do të përmbyllte më në fund periudhën e gjatë të përplasjeve mes dy vendeve.
I ftuar në emisionin Përballë në RTSH, Bushati tha se po punohet dhe negociohet që të ketë një takim në muajin prill.

Lutfi Dervishi: Ka një shprehje nga zona e Shkodrës: “siç duken bathët janë afër Pashkët”. Me afrimin e Pashkëve, çfarë lajmi prisni të ketë në Korçë këtë radhë? Në kuptimin politik…është konfirmuar takimi i dy Kryeministrave?

Ministri Bushati: Po punohet për një takim të dy kryeministrave. Ka pasur një takim në Davos dhe po punohet për një vizite të kryeministrit grek në Shqipëri. Besoj se është një lajm pozitiv që konfirmon progresin e marrëdhënieve tona dy palëshe. Edhe shpresoj që të ecim me lajme pozitive në të ardhmen. Filozofia jonë ka qenë filozofia e ecjes me hapa të vegjël. Pra, nuk është se në një moment të caktuar si me magji do i zgjidhim të gjitha çështjet sepse duhet të jemi realistë që po jetojmë në Ballkan, në Mesdhe dhe fqinjët gjithmonë kanë se çfarë të ndajnë me njeri tjetrin dhe kanë se për çfarë të debatojnë. Por është e rëndësishme që të shikojmë që ka një klimë mirëkuptimi dhe të dyja palët jemi të përqendruar për të fituar historinë e së ardhmes dhe jo për të ndëshkuar ato që kemi lënë pas.

Lutfi Dervishi: Edhe një pyetje për t’a mbyllur kapitullin e çështjes me Greqinë. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese e imponon transparencën në këtë proces. Si arrini që të mbani një balancë ndërmjet vendimit të Gjykatës për të qenë transparent dhe diskrecionit të nevojshëm për ta mbyllur këtë marrëveshje?

Ministri Bushati: Kjo është një pyetje nga ato një milion euro që thuhet rëndom nëpër biseda apo nëpër filma të ndryshëm. Është një pyetje shumë e rëndësishme. Ky natyrisht për ne ka tre komponentë të rëndësishëm që është ligji, qoftë ai ndërkombëtar apo qoftë e drejta e brendshme. Është opinioni publik që duhet të jetë i informuar dhe duhet të marrë garancitë e nevojshme që ne po ecim në hapin e duhur. Dhe normalisht pala tjetër me të cilën ne negociojmë apo duhet të negociojmë.

Lutfi Dervishi: Nëse i rikthehemi se fundmi në prag të traktatit në lidhje me marrëveshjen me Greqinë. Çfarë elementi të ri prisni të shikoni në këtë traktat?

Ministri Bushati: Ne në këtë marrëveshje të re, apo dokumenti të partneritetit strategjik, duam që të fokusohemi gjithashtu edhe për të ardhmen. Qoftë për sa i përket bashkëpunimit politik, ashtu edhe kontakteve njerëzore dhe zbatimit të projekteve të ndryshme në Ballkan dhe ne Mesdhe ku Shqipëria dhe Greqia kanë një rol të ndryshëm.

Lutfi Dervishi: Zoti ministër, përpara se te kalojmë te çështja e…

Ministri Bushati: Kur flas për kontaktet njerëzore kam parasysh, shoqërinë civile, trupat artistike etj. Ka stereotipa negative qoftë për shoqërinë greke, ashtu edhe për atë shqiptare, të cilat duhen luftuar.

Lutfi Dervishi: Ndoshta duke nisur nga niveli më i lartë sepse dhe elementi njerëzor është një çështje normale, duke pasur parasysh praninë e madhe të shqiptarëve në Greqi dhe praninë e minoritetit grek në Shqipëri. Para se të fillojmë të shikojmë atë që Shqipëria pret me një lloj padurimi, hapjen e negociatave, dua të ndalem shkurtimisht te Kosova vetëm për dy çështje. Ka një tezë kohët e fundit që Serbia nuk ka nevojë t’a njohë Kosovën dhe që Serbia mundet që të njohë Kosovën në Kombet e Bashkuara pa qenë e detyruar ta njohë drejt për drejtë. Ka ke një koment për këtë tezë?

Ministri Bushati: Nuk e di nga buron kjo tezë, por besoj se edhe strategjia e fundit e zgjerimit që mund të kërkojë Komisioni Evropian, përforcon tezën dhe linjën sipas të cilës, pa një njohje të Kosovës nga ana e Serbisë, nuk mund të ketë anëtarësim të kësaj të fundit në Bashkimin Evropian.

Lutfi Dervishi: Ky është pozicioni i Shqipërisë?

Ministri Bushati: Ky është pozicioni i Shqipërisë, sikundër një marrëveshje të Serbisë dhe Kosovës përsa i përket njohjes dhe çështjeve të tjera që janë pjesë e dialogut politik që zhvillohet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, do të krijonte një perspektivë më të qartë të Kosovës për t’u anëtarësuar në OKB. Në OKB, një ndër elementet e ekuacionit, të njohura, jo më të panjohura me mënyrën se si zhvillohen ngjarjet atje, ka të bëjë me faktin se ka pesë shtete të cilët kanë të drejtën e VETO-s. Dhe të paktën dihet qëndrimi i njërit prej pesëshes.

Lutfi Dervishi: Eshtë formula Ukrainase në kohën e Bashkimit Sovjetik – Ukraina kishte një vend në Kombet e Bashkuara. Por edhe një zhvillim tjetër që të bën përshtypje është që Serbia gjithmonë kërkon që jo vetëm të mos njohë, por edhe lobon për të tërhequr njohjen e shteteve që e kanë njohur tashmë Kosovën. Nuk kam parë ndonjë reagim të MPJ ndaj këtij qëndrimi të Serbisë.

Ministri Bushati: Në fakt, qëndrimi i Serbisë për këtë çështje është i dyzuar. Nga njëra anë bën atë që sapo thatë, nga ana tjetër kërkon një marrëveshje historike me Kosovën dhe për Kosovën. Mendoj që është e rëndësishme që si Serbia, ashtu dhe Kosova, me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe SHBA, të përqendrohen te kjo e dyta. Sepse është rruga e duhur jo vetëm për të përfunduar procesin e arritjeve të pajtimit në Ballkan, por edhe për të na hapur rrugë në mënyrë më të vrullshme që të dyja këtyre vendeve për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Lutfi Dervishi: Meqë përmendët në kontekstin e marrëveshjes historike. Në media ka qarkulluar intensivisht kohët e fundit ideja e shkëmbimit të territoreve. Keni ndonjë koment për këtë?

Ministri Bushati: Është më mirë të fokusohemi të pjesa e çështjeve që akoma nuk janë zbatuar si pjesë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe natyrisht ne mbështesim avancimin e dialogut në çështje të karakterit politik. Një dialog që sapo ka nisur në drejtimin e dy Presidentëve.

Lutfi Dervishi: Komisioni pritet që të fillojë hapjen e negociatave për Shqipërinë. A jemi ne gati për të hapur negociatat?

Ministri Bushati: E para, ne besojmë se Komisioni në prill do të propozojë nisjen e bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Bazuar mbi logjikën jo vetëm të rekomandimit të 2016, por edhe mbështetjes që mori nga rekomandimi i vendeve anëtare në 2016, sipas të cilit, hapja duhet të ndodhë në momentin që Shqipëria zbaton Reformën në Drejtësi, me specifikisht, ligjin për vettingun apo procesin e vettingut. Në dy vitet e fundit, Shqipëria ka bërë një proces në zbatimin e reformave në drejtësi dhe reformave të tjera në fushën e sundimit të së drejtës, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kur themi a jemi gati, gjithmonë ka fusha ku mund të bëhet shumë më tepër dhe ne mund të flasim për nisjen e një procesi dhe nuk mund të flasim për përfundimin e tij. Mendoj që nisja e bisedimeve për anëtarësim mund të jetë një motivim edhe më i madh, jo vetëm për Shqipërinë dhe instancat shtetërore, por për të gjithë shoqërinë për të vijuar procesin e demokratizimit dhe transformimit. Do të jetë një ogur besoj i mirë për opozitën, për shoqërinë civile, për median, për biznesin, sepse të gjithë përfitojnë nga ky proces. Por natyrisht, klima për procesin e zgjerimit, pavarësisht se për herë të parë që nga Samiti i Selanikut i 2003 ne kemi një strategji të Komisionit Evropian për procesin e zgjerimit, sepse deri para pak kohësh konsiderohej me vdekje klinike procesi i zgjerimit nga vendet anëtarë të BE-së. Ende edhe sot e kësaj dite, nuk ka një gatishmëri apo entuziazëm aq të fortë politik sa kishte bie fjala, në 2004 për këtë proces. Prandaj është e rëndësishme që të gjitha palët politike, ne si përfaqësues të mazhorancës, të sigurojmë përgjegjësinë kryesore në këtë proces. Opozita nga ana tjetër, të sillet në mënyre të përgjegjshme, sidomos në këto momente përcaktuese.

Lutfi Dervishi: Zoti ministër, ju e thatë që hapja e negociatave nuk është mbarimi por është fillimi i një procesi që mund të marrë vite, 7 apo 10 vite ose diçka më shumë, ç’ka do të thotë që për shkak të këtij procesi, Shqipëria do të jetë gati për të qenë si vendet e tjera të Bashkimit Evropian. A mendoni se po e ndërtojmë Evropën në këto vite, brenda në Shqipëri?

Ministri Bushati: Kjo është një pyetje shumë e drejtë dhe bën më tepër sens se gjithë debati shpesh steril lidhur me kapitujt me x apo y standard apo ligj. Mendoj qe ky është një proces udhëtim i brendshëm dhe ka hapa pozitivë, ka hapa solid dhe çështje ku mund të thuhet pa mëdyshje që Shqipëria ka arritur pikën e mos kthimit pas. Sikundër ka çështje për të cilat ne na duhet më tepër vullnet dhe çështje për të cilat ne na duhet shumë më tepër kurajë për t’i përballuar. Besoj se është bërë një punë voluminoze dhe nuk ka të krahasuar edhe me vende të tjera për sa i përket reformës ne drejtësi. Frytet e para po vijnë, nga fakti që gjyqtarë apo prokuror të niveleve të larta i shmangen përmes dorëheqjeve procesit të vettingut, do të thotë që presioni i opinionit publik, i kombinuar edhe me ekspertizën ndërkombëtare dhe me vullnetin politik, po jep fytet e para. Ka një vendosmëri për të bashkëpunuar për sa i përket luftës së krimit të organizuar dhe korrupsionit. Nuk janë çështje vetëm shqiptare. Duhet të luftojmë perceptimin negativ që është përgjithësisht për Shqipërinë apo për kriminalitetin shqiptar në përgjithësi. Edhe këtë çështje duhet të vijojmë t’a përballojmë me kurajë të shtruar. Ka më shumë transparencë, ka më shumë afërsi me Bashkimin Evropian gjatë këtyre viteve. Sikundër ka më shumë ambicie nga ana jonë dhe më shumë padurim.

Lutfi Dervishi: Rekomandimi i Komisionit do të pasohet nga votimi i vendeve anëtare. Ka vende anëtare që janë ende në fazën e hezitimit për hapjen e negociatave me Shqipërinë.

Ministri Bushati: Sot për sot qëndrimi i vendeve anëtare natyrisht që është në pritje të asaj ç’ka do të propozojë Komisioni Evropian.

Lutfi Dervishi: …që me një probabilitet të lartë Komisioni do të thotë që të hapen.

Ministri Bushati: Probabiliteti i lartë është dhe ne besojmë që Komisioni do të vijë me një rekomandim për hapjen e bisedimeve, një. E dyta, do të shtjellojë në mënyrë të besueshme procesin e reformave, vështirësitë në të cilat haset procesi i zbatimit të reformave dhe gjithashtu do të ofrojë dhe një horizont në lidhje me pritshmëritë nga procesi i reformave në momentin që Shqipëria do të ulet apo vendi do të ulet në tryezën e bisedimeve për anëtarësim. Natyrisht, dinamika e brendshme e vendeve anëtare është e tillë që sot për sot nuk të krijon mundësinë për të folur me garanci absolute rreth vendimmarrjes. Pse? Mjafton të shohim detajet e fundit në disa prej vendeve anëtare të Bashkimit Europian ku forca politike të cilat kanë ndjeshmëri disi të ndryshme rreth projektit europian

Lutfi Dervishi: po por disa vende tashmë janë shprehur pozitivisht. Çka do të thotë që…

Ministri Bushati: Natyrisht, brenda Bashkimit Europian ka vende të cilat janë përgjithësisht në favor të procesit të zgjerimit. Ka, nuk diskutohet vende të cilat e konsiderojnë veten me të drejtë avokatë të Integrimit Europian të Shqipërisë …

Lutfi Dervishi: Italia, Austria …

Ministri Bushati: Italia, Austria, vende të tjera dhe për këtë ne jemi mirënjohës. Ka një iniciativë gjithashtu të Greqisë në mbështetje të hapjes së bisedimeve për anëtarësim të Shqipërisë e cila do të konkretizohet në javët në vijim sikundër ka vende të cilat përgjithësisht e thonë fjalën e tyre krejt në fund.

Lutfi Dervishi: Si Hollanda… Vendi ku keni studiuar. Bashkimi Europian ka një program asistence për vendet që kërkon t’i ofrojë dhe kushte formale kur do që t’i përdorë për t’i penguar ose për t’i frenuar. A është Shqipëria e përqëndruar dhe e fokusuar mirë tek programet e asistencës? Te Europa brenda Shqipërisë, te një politikë e përgjegjshme, te institucionet e pavarura, një politikë që respekton vullnetin e votuesve, një Parlament europian… Nuk mendon që jemi pak larg?

Ministri Bushati: Natyrisht, në rast se ne do t’i referohemi apo do të analizojmë kapacitetet absorbuese të Shqipërisë, janë pak a shumë të njëjta me kapacitetet absorbuese të të gjitha vendeve të rajonit dhe nuk ka pikë diskutimi që duhet shumë punë për t’i përmirësuar, për t’i fuqizuar këto kapacitete, aq më tepër kur me të drejtë kërkojmë një akses të përshkallëzuar për sa i përket fondeve strukturore, sepse në bazë të të gjitha studimeve, edhe studimit të fundit të Bankës Botërore, vendeve të Ballkanit Perëndimor, pavarësisht nëse janë në proces të negociatave, janë kandidatë apo jo, do t’i duhen rreth 5 dekada në qoftë se ecim me këtë ritëm për të pasur një zhvillim ekonomik të krahasueshëm me atë të vendeve të Bashkimit Europian. Prandaj, edhe në procesin e Berlinit, edhe në axhendën e ndërlidhshmërisë, edhe në axhendën e mobilitetit, kemi synuar së bashku me vendet e tjera dhe natyrisht me Gjermaninë, Francën, Austrinë, Italinë dhe vende të tjera të Bashkimit Europian për të shtuar sinergjinë në këtë proces, në kuptimin politik, ekonomik , financiar dhe tek shkëmbimet njerëzore. Alfa dhe Omega e pyetjes që ju më bëtë ka të bëjë: a) me vullnetin politik: b) me vokacionin shoqëror: c) me investime në administratë publike dhe në fuqizim të kapaciteteve njerëzore.

Lutfi Dervishi: Nga këto të treja që ju përmendët ne jemi mirë vetëm tek e dyta.

Ministri Bushati: Tek e dyta jemi goxha mirë, tek e para dhe tek e treta duhet shumë më tepër punë.

Lutfi Dervishi: Çfarë mësimesh kemi nxjerrë, ju folët për vullnetin politik. Mua më kujtohet një zyrtar i lartë i Komisionit Europian në atë kohë në vitet 2011, (ish drjetori për zgjerimin) Sannino, që vinte në Tiranë para 8 vitesh dhe lutej: “Merruni vesh, bëni këto 2 gjëra se do të duhen vite për të kapur trenin.” Dhe ikën 8 vite dhe ende për shkak të dinamikës së brendshme në Bashkimin Europian, Brexit dhe fenomeneve të tjera, emigrantët. Çfarë rrezikojmë ne nëse nuk e kapim trenin këtë rradhë? Sa vite të tjera? Është një dekadë tjetër e humbur?

Ministri Bushati: Nuk do të doja sot që të përqëndrohesha tek skenari B…

Lutfi Dervishi: Mësimi që kemi nxjerrë…

Ministri Bushati: ..por më duhet të them që në këtë pikë, për të qënë edhe i ndershëm me veten

Lutfi Dervishi: S’kemi kohë…

Ministri Bushati: Nuk do të doja sot që të përqendrohesha tek skenari B. Por, më duhet të them që në këtë pikë për të qenë edhe i ndershëm me veten, këtë pikë ne duket se e kemi të vështirë për të nxjerrë mësime dhe kjo është arsyeja e pse e thashë. Pavarësisht se mazhoranca apo qeveria ka peshën kryesore në këtë proces, në fund të ditës për të dëshmuar përgjegjshmëri, sepse 2018 realisht është një mundësi e artë, në radhë të parë për Shqipërinë, për shkak edhe të ecurisë për të cilën ne folëm, për të hyrë në një fazë të re në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ç’ka nuk do të jetë në 2019 por edhe për shkak të faktit që në këtë vit do të kemi zgjedhje në institucionet evropiane, e kemi të vështirë sot për sot të parashikojmë se cila do të jetë klima në hapësirën evropiane gjatë vitit 2018-s. Flasim për klimën politike. Ju me të drejtë thatë që: Nga momenti që negociatat hapen, mund të shkojnë 7, 10 vjet, në varësi të ecurisë së vendit, në varësi të oreksit të vetë Bashkimit Evropian për të pranuar vendet e tjera. Dhe, e gjithë kjo kohë nuk përkon në asnjë lloj rrethane me një forcë politike.

Lutfit Dervishi: Me një mandat të një force politike…

Ministri Bushati: Prandaj, sa më shpejt kuptojmë që me këtë proces nuk fitohet asnjë votë por thjeshtë dëmtohet aspirata e vendit, aq më mirë do të jetë për të gjithë.

Lutfi Dervishi: Zoti ministër, dua t’ju bej një pyetje, ua kam bërë në një aktivitet publik por ndoshta me shpresën që mund të marrë përgjigje tjetër. A ka Shqipëria një plan B?

Ministri Bushati: Shqipëria nuk ka një plan B dhe nuk mendoj se duhet të ketë një plan B.

Lutfi Dervishi: …mendoj se kjo nuk është një gjë e mirë!

Ministri Bushati: Nuk mendoj se duhet të ketë një plan B.

Lutfi Dervishi: Dmth jemi pa një plan B.

Ministri Bushati: Nuk shoh një plan B, transformimin demokratik, për transforimin demokratik

Lutfi Dervishi: Dakord, fuqia transformuese e afrimit drejt BE-së nuk krahasohet.

Ministri Bushati: Nuk shoh! Edhe vende të tjera që kanë një marrëdhënie të ngushtë, le të themi, me Rusinë, bie fjala, siç është rasti i Serbisë, nuk mendoj se qytetarët serbë e shohin Rusinë si model për sa i përket stilit të jetës, për sa i përket mënyrës se si i ndërtonin institucionet demoraktike, për sa i përket lirive dhe të drejtave themelore të njeriut.

Lutfi Dervishi: Meqë ju e përmendët dhe që ra fjala, flitet për ndikimin rus në Ballkan. E ndjen Shqipëria ndikimin rus në Ballkan?

Ministri Bushati: Natyrisht që ka një ndikim rus në Ballkan. Rusia ka qenë…

Lutfi Dervishi: … Jo! Flas për Shqipërinë.

Ministri Bushati: Në Shqipëri nuk kemi të njëjtën shkallë që shohim nëpër disa vende të tjera të Ballkanit Perëndimor. Por më lejoni të jem i drejtëpërdrejtë për këtë çështje. Ne nuk shohim prezencën ruse në Ballkan si kërcënim në vetvete. Prezenca ruse në Ballkan, dhe ne duhet që gjithashtu të kemi një marrëdhënie…

Lutfi Dervishi: Çfarë marrëdhëniesh duam me Rusinë?

Ministri Bushati: Ne duhet të kemi marrëdhënie normale me Rusinë. Sepse, sot për sot, situata është anormale. Rusia është një aktor i rëndësishëm në politikën ndërkombëtare sikundër Shqipëria dhe shqiptarët në përgjithësi në rajon, në këtë kënd të Evropës ka një peshë të caktuar politike dhe gjeostrategjike dhe ne e kuptojmë që kemi shumë gjëra që na ndajnë. Në kuptimin politik, nga pikëpamja e përkatësisë, nga pikëpamja e orientimit euro-atlantik. Nga ana tjetër, është gjithashtu me vlerë të nënvizohet që ka fusha të karakterit kulturor, ekonomik dhe tregtar që ja vlen të zhvillohen marrëdhënie ndërmjet dy shteteve tona. Prezencën ruse në Ballkan, si e tillë, natyrisht nuk ka pse ta shohim si kërcënim, por nga ana tjetër…

Lutfi Dervishi: Siç tregoi në rastin e Malit të Zi, duhet të tregohet kujdes…

Ministri Bushati: …aktivitetin frenues, për sa i përket ecurisë euro-atlantike të vendeve të rajonit, e shohim me shqetësim. Siç është edhe rasti që ju përmendet, me Malin e Zi.

Lutfi Dervishi: Dy pyetje të fundit nëse më lejoni, shumë shpejt. Kina është një aktor i rëndësishëm, tashmë në rang global dhe investitori numër një në Shqipëri. Si i sheh Shqipëria marrëdhëniet me Kinën? Çfarë perspektive ka? Dhe, a ka shqetësime për praninë e rritur ndjeshëm, ekonomike?

Ministri Bushati: Natyrisht që Kina ka një prezencë ekonomike në Shqipëri dhe në rajonin tonë. Mbase me të drejtë, ministri i Jashtëm gjerman në detyrë, Zigmar Gabriel thotë që: Sot për sot, Kina është vendi që ka një strategji më të qartë dhe më afat gjatë edhe nga mënyra se si ushtron politikën e Jashtme. Interesi ynë është për të vazhduar dhe për t’a thelluar bashkëpunimin dhe për të shfrytëzuar sa më shumë potencialin ekonomik të kësaj marrëdhënie. Po nga ana tjetër, qëndrimi i qartë i shtetit shqiptar dhe i shoqërisë shqiptare dihet, për sa i përket vokacionit të tonë Euro-Atlantik.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here