ITB 2018: Shqipëria dhe Kosova

0
41

Prezantimi në Panairin më të madh të turizmit në botë tregoi se turizmi nuk është ende prioritet i politikës për të dy vendet.
28 operatorë turistikë kishte sjellë Shqipëria kësaj here në ITB Berlin. Stenda modeste në cep të hollit 1.1. të panairit më të madh të turizmit në botë nuk i nxinte të gjithë pjesëmarrësit. Ngushticën do ta ndiente edhe vetë ministri, kur do të priste në stendë sekretarin e shtetit pranë Ministrisë gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim, Hans-Joachim Fuchtel.

Ky mbipopullim i stendës përkon edhe me ofertat turistike në vend: 252 udhërrëfyes të certifikuar veprojnë sot aty, sipas burimeve zyrtare. Por operatorët e vjetër ankohen se tregu është i parregulluar, se mungojnë standardet dhe se certifikimet janë bërë me shpejtësi.

Flash-Galerie ITB Berlin Tourismusmesse 2010 albanisch (DW)
“Shteti nuk ka dashur të marrë përgjegjësitë e veta. Çdo gjë është lënë në dorë të privatit të sajohet me kushtet e veta”, tha për DW shqip Kliton Gërxhani, president i ATOA, Shoqata e Turoperatorëve dhe Agjencive Turistike të Shqipërisë. Gërxhani, i cili vetë është pronar i Albania Holidays dhe ka afro 15 vjet që merr pjesë rregullisht në ITB, tha se bashkëpunimi me ministrinë është minimal the se fjala e biznesit vendor nuk ka shumë peshë.

Klosi për biznese globale

Ministri e Turizmit gjithsesi prezantoi para pak kohësh strategjinë e re të turizmit, ku ndër të tjera janë parashikuar zgjatja e sezonit turistik dhe lehtësime fiskale për turistët. Por ministri Blendi Klosi, i tha DW se për zhvillim të qëndrueshëm të turizmit që sa vjen e rritet, Shqipërisë i nevojiten investitorë të mëdhenj.

Hans-Jürgen Cassens, drejtor i degës së Shoqatës Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar, GIZ, mendon gjithashtu se turizmit në Shqipëri i nevojiten investimet e mëdha, por edhe biznesmenët e vegjël mund të punojnë së bashku për të rritur peshën e tyre në treg: “Sektori privat mund të organizohet për të krijuar dhe zhvilluar bashkërisht koncepte produktesh dhe marketingu”, thotë Cassens.

Kosova: Shumë hapësirë, pak operatorë

Ndërsa stenda e Shqipërisë me mbipopullimin dhe mosorganizimin e saj sikur pasqyronte në një farë mënyre gjendjen e turizmit në vend, ajo e Kosovës ishte po kaq e madhe, por kishte shumë pak operatorë, dhe deri diku sterile. Donika Mavraj, nga Agjencia për përkrahjen e biznesit në Kosovë (KIESA), tha se kompanitë ishin zgjedhur enkas pak, sepse ishin më seriozet.

ITB Kosovo Vertreter Cuneyd Ustaibo mit Dirk Niebel (DW/M. Kelmendi)
Për Kosovën, si shtet i pavarur, ishte hera e katërt në Panairin më të mëdh të turzmit në botë. Ndryshe nga Shqipëria, Kosovës i mungojnë tërësisht institucionet enkas turistike, sektori i turizmit trajtohet si objekt i Tregtisë dhe Ekonomisë. “Qeveria e Kosovës nuk e ka pasur turizmin deri tani me prioritet”, tha për DW, Fisnik Reçica, nga Shoqata Zvicerane për Bashkëpunim Teknik, filiali i së cilës në Kosovë ndihmon biznesin privat të ndihmojë vetveten. Mungesa e institucioneve enkas për turizmin dhe e një ligji adekuat janë sfidat kryesore për industrinë e turizmit të Kosovës, e cila konsiderohet me shumë potencial.

Shqipëria ashtu edhe Kosova kanë potenciale të mëdha turistike. Por as njëra as tjetra, nuk arriti ta përcjellë këtë potencial me një koncept turistik atraktiv. Takime me media, pritjet dhe ofertat shoqëruese për të joshur vizitorë mungonin. Të dy vendet ishin mjaftuar kësaj radhe me pjesëmarrje. Ministri i turizmit Blendi Klosi, i cili vinte për herë të parë në këtë panair në cilësinë e tij i këtij sektori, tha për DW se stenda dhe prezantimi i Shqipërisë në ITB 2019 duhet të jenë më të organizuara.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here