KOMF publikon dokumetin “Fëmijëria pa dhunë, një e drejtë themelore”

0
24

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF ka mbajtur konferencën për media për publikimin e dokumentit “ Fëmijëria pa dhunë, një e drejtë themelore”.
Dokumenti u prezantua nga Znj. Klevis Vaqari – Menaxhere e Programit në KOMF, Znj. Melita Kabashi – Anëtare e Grupit Tematik për Mirëqenie dhe Mbrojtje të Fëmijëve – KOMF dhe Znj. Leze Qena – Aktore e mirënjohur, si dhe pjesë e Platformës Avokuese të KOMF “Miqtë e Fëmijëve”.

Dokumenti paraqet të dhënat për shkaqet dhe pasojat e dhunës ndaj fëmijëve, mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna në Kosovë, shërbimet, faktorët, perceptimet dhe qëndrimet e fëmijëve rreth dhunës. Në të njëjtën kohë, ai ofron një pasqyrë të disa prej aspekteve më të rëndësishme që duhet të merren në konsideratë gjatë zhvillimit dhe zbatimit të politikave, duke ofruar rekomandime konkrete se si duhen përmbushur këto qëllime.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 61.4% e fëmijëve në Kosovë kanë konfirmuar përvojat e dhunës fizike/psikologjike brenda mjedisit familjar, gjatë muajit të fundit të intervistimit. 59% e fëmijëve kishin pësuar nga dhuna psikologjike, përderisa 24% e fëmijëve kishin pësuar nga ndëshkimi fizik.

Dhuna dhe ndëshkimi trupor i fëmijëve në Kosovë mbetet një normë sociale e pranuar dhe e aplikuar nga prindërit dhe shoqëria jonë. Shoqëria jonë e konsideron dhunën si një metodë që i shërben edukimit dhe disiplinimit të fëmijëve.

“Rekomandimet të cilat ofron dokumenti janë:

Rekomandohet fuqishëm vetëdijësimi në nivel nacional drejtuar popullatës së gjerë dhe institucioneve për mbrojtjen e fëmijëve, për të promovuar metodat pozitive të prindërimit dhe disiplinimit dhe për të eleminuar metodat e dhunshme të disiplinimit dhe ndëshkimit trupor.

Rekomandohet që Kosova në nivel nacional të nisë me trajnime dhe fushata vetëdijësimi për t’i përkujtuar zyrtarëve shtetëror dhe profesionistëve për detyrën e tyre për të raportuar rastet e dhunës së dyshuar ndaj fëmijëve.

Zhvillimi i programeve të prindërimit të disiplinës pozitive për prindërit, kujdestarët dhe profesionistët që punojnë në mbrojtje të fëmijëve, për të zvogluar praktikat e dhunshme për disiplinimin dhe mirërritjen e fëmijëve, duke krijuar një brez të ri gjeneratash jo të dhunshëm.

Fuqizimi i zbatimit të politikave dhe ligjeve për mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna. Ofrimi i shëbimeve dhe mbështetjes për fëmijët viktima të dhunës dhe familjeve të tyre, si dhe ndëshkimi i kryrësve të dhunës. Shërbime të tilla ndihmojnë fëmijët të përballen me situatën e tyre, dhe gjithashtu të thyejnë ciklin e abuzimit dhe të zvogëlojë dëmin e mëtejshëm.

Rekomandohet nxitja dhe promovimi i raportimit mes bashkëmoshatarëve dhe i vetë raportimit, përmes aktiviteteve vetëdijësuese mes fëmijëve. Gjithashtu në kuadër të rritjes së vetë raportimit dhe raportimit mes bashkëmoshatarëve, rekomandohet krijimi i një linje të re telefonike pa pagesë, të dizajnuar me dhe për fëmijët. Në anën tjetër rekomandohen aktivitete ndërgjegjësuese mbi dhunën të cilat do tu mundësonin fëmijëve të njohin llojet e dhunës duke përfshirë formën më të vrazhdë të saj abuzimin seksual, dhe të shmangin situatat potencialisht të rrezikshme.

Rekomandohet krijimi i standardeve financiare për shërbimet sociale dhe për të miratuar buxhetet që mundësojnë financimin e qëndrueshëm të shërbimeve të financuara përmes MPMS dhe Komunave.

Rekomandohet ndalimi i ndëshkimit trupor me ligj, në të gjitha ambientet ku fëmija zhvillon ekzistencën e tij”, thuhet në komunikatën e KOMF.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here