LDK-ja kërkon të dijë kushtin e Listës Serbe për demarkacionin

0
26
????????????????????????????????????

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë duhet të jetë transparente çdo marrëveshje që koalicioni qeverisës e bën me Listën Serbe për të siguruar votat e tyre për demarkacionin.

Hoti ka përsëritur qëndrimin e partisë së tij se pas miratimit të demarkacionit, Kuvendi duhet të shpërbëhet dhe vendi të shkojë në zgjedhje të reja.

“Çfarëdo marrëveshje që bëhet me Listën serbe të bëhet transparente. Ne do të donim që ata ta mbështetnin pa asnjë kusht, por nëse shkohet me koncesione, atëherë mund të bëhen koncesione që shkojnë në dëm të Kosovës”, ka thënë Hoti .

“Në praktikat parlamentare kjo formë e sjelljes së pozitës nuk është normë. Deri në fund të mandatit [të Qeverisë së Ramush Haradinajt] do të përkeqësohet situata ekonomike e sociale. Kemi parë që ka qenë e pamundshme që të adresohen temat e mëdha, siç është demarkacioni, i cili duhet të përfundojë dhe pas kësaj nuk ka asnjë logjikë që të vazhdohet tutje”, ka shtuar ai.

“Pasi të kalojë demarkacioni do të shohim. Qe gjashtë muaj asnjë seancë nuk është zhvilluar normalisht. Nëse nuk ka marrë pjesë opozita, asnjëherë nuk ka shkuar normalisht. Qytetarët janë dëshpëruar sesi po udhëhiqet Kosova deri më tani”, ka thënë Hoti derisa ka shtuar se LDK-ja nuk ka mbajtur asnjë takim me partitë tjera për të diskutuar për rrëzimin e mundshëm të qeverisë Haradinaj.

“Nuk jemi ende në atë fazë. Si parti opozitare jemi të interesuar që ta zgjidhim demarkacionin dhe pastaj të shkojmë në procesin zgjedhor. Janë opsionet e hapura për ta çuar vendin në zgjedhje”, ka thënë Hoti.

“Ende nuk kemi ardhur në atë pikë [për bisedime me PDK-në dhe Vetëvendosjen]. Janë qëndrime tonat se kah duhet të shkojë vendi pasi të ratifikohet demarkacioni. Shpresoj që demarkacioni të miratohet shpejt, besoj se do të sigurohen votat. U pa që ka qenë një kauzë e rrejshme politike. Ne do të jemi të pakompromis për çfarëdo koncesioni me Listën Serbe”, ka shtuar ai.

Në “Express Intervistë” Hoti ka thënë se LDK-ja e ka momentumin më të mirë që të shkojë në zgjedhje të reja, derisa ka shtuar se kryetari i partisë Isa Mustafa është në gjendje të mirë shëndetësore.

“Momentumin më të mirë e kemi. Nuk e kemi pasur për një kohë të gjatë. Kryetarin nuk e kemi këtu, por është në konsultime të rregullta, do të kthehet shpejt. Gjendja e tij është shumë e mirë. Pres që të merr lejen për ekipin mjekësor që ai të kthehet”, ka thënë Hoti.

I pyetur për ndonjë garë të brendshme në parti për postin e kryetarit, Hoti ka thënë se nuk ka asnjë garë të tillë, por sipas tij, është një garë klikimesh nga disa portale për këtë temë.

“LDK-ja e ka kryetarin deri në maj të vitit 2019, nuk ka garë të brendshme. Në fakt ka garë të disa portaleve për të marrë disa klikime. Lutfi Haziri është nënkryetar i LDK-së, është njeri i rëndësishëm në LDK, Agim Veliu gjithashtu, janë dy njerëz të rëndësishëm, por nuk ka garë brenda LDK-së”, ka thënë veç të tjerash ai.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here