Hoxha thotë se Qeveria duhet të marrë më seriozisht problemet e Postës

0
43

Sejdi Hoxha, drejtor i Postës së Kosovës, thotë se gjendja financiare në këtë ndërmarrje është e rëndë.

Pak ditë pasi Posta njoftoi se nuk po ka para që të paguajë punëtorët, Hoxha ka thënë se qeveria e vendit ia ka borxh Postës rreth 6 milionë euro.

“Ne jemi e vetmja ndërmarrje publike shtetërore që ofrojmë shërbime postare. Jemi të obliguar që me tarifën 0.40 centë ta dërgojmë letrën për shembull nga Prishtina në Dragash. Jemi të obliguar që për shembull për tri letra që kushtojnë 1.20 euro ta nisim veturën për Dragash. 40 euro mund të ketë kosto dhe në baza vjetore jemi të obliguar që të deklarojmë humbjen që na shkakton ky shërbim. Qeveria është e obliguar të mbulojë shërbimet postare. 6 milionë euro janë ato që Kosova nuk ia ka rimburësuar asnjëherë postës së Kosovës nga humbjet e shërbimit universal postar. Nuk kemi mundur t’i rezistojmë këtij shërbimi duke mos u rimburësuar asnjëherë”, ka thënë Hoxha.

Për Express Intervistën ai ka thënë se pavarësisht situatës së rëndë, Posta është injoruar nga çdo qeveri në pesë vjetët e fundit.

“Jo që e kemi kontaktuar qeverinë, por kemi dërguar dhjetëra shkresa zyrtare në adresë të të gjithë ministrave dhe qeverive dhe për t’u bërë i sinqertë jo vetëm kjo qeveri e ka këtë problem me ne. Asnjë ministër i ekonomisë s’e ka marrë seriozisht këtë kërkesën tonë. Përgjigja gjithmonë ka qenë ‘mos u ankoni’, ‘do të shohim’, pagat janë përmendur”, ka thënë ai.

Hoxha ka sqaruar se nuk dëshiron që me qeverinë e Kosovës të ketë përballje përmes gjykatave sepse, sipas tij, mënyra më e mirë është bashkëpunimi.

“Çështja e rimbursimit është e pashmangshme. Gjithçka që flitet është e tepërt. S’ka askush mandat me i dalë përpara ligjit që e ka miratuar Kuvendi i Kosovës”, ka shtuar Hoxha.

Hoxha ka thënë se Posta po kërkon që të marrë përsipër edhe kryerjen e shërbimeve për pensionet invalidore, kontribut-dhënëse, për të verbrit si dhe pensionet tjera, në mënyrë që të evitohen problemet e mundshme.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here