Qeveria: Kosova zbuloi skandalin me mish nga Belgjika

0
52

Qeveria e Kosovës thotë se asnjë kontingjent i mishit të skaduar nga Belgjika nuk ka arritur të hyjë në territorin kosovarë. Sipas tyre kontingjenti i parë i tillë është zbuluar, ende pa u shpërndarë në treg.
Zyra për Komunikim më Publikun e Kryeministrit thekson se shitja e mishit të skaduar, të vjetër 12 vjeçar, për të cilin së fundi kanë raportuar mediat belge, është parandaluar.

Në një përgjigje për Gazetën Express, qeveria thotë se diçka e tillë vetëm ka mbetur në tentativë, duke pretenduar së kontingjenti me mish të skaduar nga Belgjika është asgjësuar pa depërtuar në treg, shtatorin e vitit 2016.

“Skandali për mishin e skaduar që vinte nga Belgjika ka ndodhur në muajin shtator të vitit 2016-të. Mishi ka qenë i prodhuar në vitin 2004. Kjo është zbuluar nga autoritetet kosovare. Sipas të gjitha informacionet që ne posedojmë, kontingjenti i parë është zënë, do të thotë mishi është zbuluar nga Kosova, pa arritur që të hyjë si ngarkesë dhe të shpërndahet”, ka sqaruar kryeministria.

Sipas ZKP, menjëherë janë informuar autoritetet e Belgjikës, konkretisht Agjencia Federale për Siguri të Zingjirit Ushqimor, të cilët kanë dërguar hetues dhe nga ku janë konstatuar gjetjet e AVUK-ut.

“Ngarkesa është asgjësuar dhe kanë nisur hetimet në këtë drejtim, të cilat po vazhdojnë”, thekson zyra për komunikim e kryeministrit Ramush Haradinaj.

“Autoritetet kosovare kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me ato belge në zgjidhjen e këtij rasti. Do të thotë rasti është zbuluar dhe parandaluar nga autoritetet kosovare dhe behet fjale për kontingjentin e pare te këtij lloji që ka tentuar të hyjë në Kosovë”, theksohet tutje në përgjigjen e Qeverisë së Kosovës për Gazetën Express.

Tutje, Qeveria thotë se në këtë rast përkrahë punën dhe inkurajon AVUK-un dhe institucionet e tjera përgjegjëse t’a kryejnë detyrën e tyre, si në rastin e këtij zbulimi dhe parandalimi.

Ndryshe, javën që shkoi, në Belgjikë ka shpërthyer një skandal në lidhje me cilësinë e mishit që e konsumojnë qytetarët, pas zbulimit se firma “Veviba”, një nga furnizuesit më të rëndësishëm, ka funksionuar në kushte të papranueshme sanitare, dhe ka manipuluar me përmbajtjen e mishit.

Këtë mish dyshohet se e kanë konsumuar edhe qytetarët e Kosovës.

Në raportimet e mediave belge, bëhet e ditur se mishi që është eksportuar në Kosovë nga thertorja në fjalë ka qenë nganjëherë deri në 12 vjet i vjetër.

Brenda një viti nga Belgjika në Kosovë hyjnë jo më pak se 200 mijë kilogramë mish.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here