Vrasja e Sali Nivicës nga tregtari shkodran Kolë Ashiku, për një fyerje

0
75

Nga Roland Qafoku*

Në gazetën e tij “Populli”, Sali Nivica kishte bërë me dhjetëra shkrime për zakonet e shqiptarëve, pa e ditur se edhe vetë do të bëhej viktimë e këtyre zakoneve.

 

Gazetari që kultivoi gjuhën shqipe në të dy dialektet, gegërishte dhe toskërishte, braktisi Labërinë për të punuar dhe jetuar në Shkodër deri ditën që vdiq. Një vdekje që erdhi të dielën e 10 janarit të vitit 1920 nga dy plumba në trup të marra nga Kolë Ashiku.

Pothuajse një atentat si për t’i vulosur dy zakonet e lashta se shqiptari të vret nëse e fyen dhe se shqiptari fyhet akoma më shumë kur këtë fyerje ia vënë në dukje të tjerët se sa ai e ndjen vetë.

I armatosur me hakmarrjen dhe me një pistoletë nagant, autori Kol Ashiku vrau gazetarin e dytë në historinë e shtetit shqiptar. Sali Nivica ishte njëkohësisht ai që zëvendësoi në detyrë Mustafa Qullin, kryeredaktorin e parë të gazetës “Populli”, edhe ai i vrarë më 17 korrik 1915 po në Shkodër.

Vetëm 8 vjet nga themelimi i shtetit, në Shqipëri ishin vrarë dy gazetarët dhe botuesit e asaj gazete që cilësohej “artileria e kohës”.

SKENA E KRIMIT

Atë mëngjes të 10 janarit Sali Nivica doli nga godina e Post-Telegrafës në Shkodër me letra e gazeta në dorë, kur krejt papritur i doli përpara Kol Ashiku.

Vetëm një metër larg Ashiku nxori nga xhepi pistoletën Nagant dhe e qëlloi me 6 plumba në trup. Saliut i ranë të gjitha letrat dhe gazetat nga dora e, megjithatë, duke u rrëzuar nxori nga xhepi pistoletën e vet dhe qëlloi 4 herë ndaj Kolë Ashikut që u largua me vrap.

Por të 4 plumbat që nxori nga pistoleta goditën muret e konsullatës italiane që ishte aty pranë dhe asnjë autorin.

SI U ORGANIZUA VRASJA?

Pas 6 vitesh qëndrimi në Shkodër, Sali Nivica njihej si një nga të ardhurit më intelektualë. Por gazetari që kishte ngritur peshë zemrat e shkodranëve me shkrimet e tij pësoi një incident pikërisht me një banor vendas. Sejfi Vllamasi, një nga personalitetet e kohës, e tregon kështu konfliktin mes Sali Nivicës dhe autorit të krimit.

“Saliu ka dashë të marrë me qira për zyrë e për banim një dhomë mbi dyqanin e këtij të fundit, por mbasi ky e han fjalën, Saliu i vrazhdë nga goja i thotë: Burrit me mustaqe s’i ka hije të hajë fjalën”. Kjo fjalë e prek Kolën, i cili i koritur vendos të hakmerret”.

Ndërsa biografi i Sali Nivicës, Ylber Skëndi, jep detaje të hollësishme për momentin e vrasjes.

“Ai… dalloi Saliun që i kishte kthyer krahët. Menjëherë u fsheh prapa një muri dhe priti. Saliu doli nga posta dhe mori rrugën qetë-qetë. Më tej me revolver në dorë e gishtin në këmbëz rrëshkiti një hije. Ju afrua fare afër, gati sa ta prekte me dorë dhe qëlloi.

Plumbat u zbrazën mbi të. Saliu që mezi mbahej në këmbë lëshoi letrat e gazetat. U mbështet në mur me dorën e majtë, bëri të kthehej mbrapa, nxori revolverin, u ul në gjunjë dhe qëlloi 4 herë mbi spiunin, por më kot”.

Skenën e krimit e ka përshkruar më saktë Sejfi Vllamasi.

“Kur del prej poste, krimineli që ka qenë në pritë, i del përpara befas dhe e qëllon dy herë me revolver, duke e plagosur rëndë. Ashiku tentoi të ikte por katër plumbat e Saliut e detyruan të futej në Konsullatën italiane… Saliu vdiq prej plagës dhe hemoragjisë”.

VRASJE ORDINERE APO E ORGANIZUAR NGA ITALIANËT

Me dhjetëra herë diplomatët italianë në Shkodër i kishin futur në rreth të kuq shkrimet kundër tyre me autor Sali Nivicën. Labi që jetonte në kryeqendrën e Veriut ishte bërë për ta një problem me shkrime që kishin në shënjestër italianët. Në Arkivin e Shtetit gjendet një dokument të hartuar nga Sali Nivica në të cilin ai deklaron:

“Nuk lishojmë as një pllambë tokë prej Vlone, Sazani e Pashalimani”.

Ndërsa në numrin e datës 30 nëntor 1919 të gazetës “Populli” Nivica shkruan:

“Italia pa e ftue kush nuk i përket me mundue shqiptarët pse janë miq e kundërshtarët e një njeriu të lem në Tiranë qi nuk asht tokë italiane. Gjarpër me pas kena Esad Pasha, një fjalë e moçme na porosit mos e shtyp me dorë të huaj”.

Por të dhënat sekrete flasin se italianëve u erdhi në dorë një rast. Sali Nivica u fut në konflikt me një Kolë Ashiku. Biografi i Sali Nivicës, Ylber Skëndi ka zbuluar se Kolë Ashiku zbriti nga një makinë ushtarake italiane dhe këtu nis edhe skena e krimit. Sipas Skëndit, plumbat u përplasën në dyert e konsullatës italiane, ku Kola shkoi me vrap për t’u strehuar.

Pas vrasjes opinioni u nda më dysh për sa i përket pyetjes nëse vrasja ishte thjesht personale apo e organizuar nga italianët. Ndonëse ka pak kundërshti, politikani i kohës Sejfi Vllamasi duket se është më afër së vërtetës.

“…krimineli ndofta mund të jetë influencuar nga italianët e agjentët e tyre shqiptarë, por vrasja e Salih Nivicës, më tepër se një krim politik, ishte një vrasje ordinere që ka dëmtuar shumë politikisht”.

DËNIMI I VRASËSIT

Dy vjet e gjysmë, 17 seanca gjyqësore, 20 dëshmitarë dhe në fund ai dënohet me 2,5 vjet burg për vrasje në kushtet e vetëmbrojtjes dhe lirohet sapo u dha vendimi përfundimtar. Pas lirimit Kolë Ashiku u largua nga Shkodra për në Beograd dhe atje punoi në një hotel. Të gjitha dokumentet tregojnë se ai aty nisi një aktivitet spiunazhi të disafishtë. Në fillim ai ishte pjesë e shërbimit sekret të Ahmet Zogut dhe më pas, për gjatë Luftës së Dytë Botërore, me italianët dhe gjermanët. Gjatë pushtimit të Shkodrës nga gjermanët Kolë Ashiku u emërua shef Informativ i Qarkut të Shkodrës. Kjo solli armiqësinë e hapur të komunistëve, të cilët nisën planin për vrasjen e tij. Më 22 shtator 1943 ora 19.00 në rrugën “29 Nëntori” pranë bashkisë njësiti gueril komunist i Shkodrës, i drejtuar nga Vasil Shanto, i bëri atentat Kolë Ashikut, por ai mbeti i plagosur. Më 1946 ai u dënua me vdekje nga një gjykatë e sistemit komunist si armik i popullit dhe u ekzekutua.

*Marrë nga libri “100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar 1912-2017”

Përgatiti për botim TemA

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here