​Kthehet nga jashtë ekspertiza për zërin e ish-shefit të krimeve ekonomike

0
272

Një vit e dy muaj pas nisjes së hetimeve, Prokuroria ende nuk ka konkretizuar me aktakuzë hetimet ndaj ish-drejtorit për krime ekonomike të Policisë së Kosovës, Emin Beqiri. Për më tepër, një ekspertizë e bërë jashtë ka rezultuar se në video-incizimin që prokuroria ka si provë kundër Beqirit, rezulton të mos jetë zëri i ish-drejtorit policor.
Prokuroria Speciale ka marrë mbrapa rezultatet e një ekspertize ndërkombëtare të video-incizimit në të cilin pretendohej se ish-drejtori i krimeve ekonomike të Policisë së Kosovës se kishte kërkuar ryshfet për të mbyllur një hetim mashtrimi me tender të një OJQ’je.

Ekspertiza, ka rezultuar negative sa i përket dëshmimit se zëri në video-incizim të jetë i Emin Beqirit, siç pretendon prokurorja e rastit Fikrije Krasniqi-Fejzullahu.

Madje, 14 muaj pas nisjes së këtij hetimi, ndaj zyrtarit policorë nuk është ngritur asnjë kallëzim penal nga hetuesit, sikurse as prokuroria nuk ka konkretizuar aktakuzë për dyshimet në fjalë.

Gazeta Express të enjten ka provuar të bisedojë me prokuroren e rasti, por Fikrije Krasniqi-Fejzullahu nuk është përgjigjur në pyetjet e gazetës.

Për hetimin ndaj tij nuk e ka komentuar as ish-drejtori i krimeve ekonomike Emin Beqiri.
“Meqenëse procesi po zhvillohet ende, unë nuk mund të prononcohem”, ka thënë Beqiri.

Ai ka shtuar se do të vijë koha kur do t’i thotë të gjitha, sipas tij.

“Me dëshirë isha prononcu, por ky rast që në fillim ka marrë rrjedhë çfarë nuk ish dashtë me marr as në mënyrë profesionale as në ligjore”, tha ai, duke ndërprerë komunikimin më gazetën.

Prokuroria Speciale, në janar të vitit të shkuar kishte nisur hetimet ndaj ish-drejtorit të Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës, Emin Beqiri, dhe Rrahim Hashimit. Ky i fundit konsiderohej si sekser në rast.

Ata dyshohen se u kishin marrë 100 mijë euro drejtuesve të organizatës QAD, për t’ua mbyllur një rast.

Vetëm pak muaj para se të niste ky hetim, Policia kishte arrestuar 8 zyrtarë të organizatës QAD nën dyshimin se kanë krijuar skema piramidale, nëpërmjet të cilave kanë mashtruar fermerë të shumtë për grante bujqësore.

Nga ana tjetër, ish-drejtori policor Emin Beqiri nga shefi i krimeve ekonomike ishte transferuar në një tjetër departament të Policisë së Kosovës, derisa në vend të tij si ushtrues detyre ishte emëruar Nazim Sahiti. Ky, pak muaj pasi mori detyrën u përfshi në skandalin e rrahjes në rrugë të drejtorit të VALA’s Agron Mustafa.

Përkundër se rrahja u incizua nga kamerat e sigurisë dhe pamjet rrodhen në media si dëshmi, Sahiti pothuajse u amnistua nga veprimi gangster që bashkë më policin tjetër Avni Berisha kryen në qendër të Prishtinës, një ditë para natës së vitit të ri.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here