Ende asnjë Marrëveshje në mes LSDM-së dhe VMRO-së

0
27

Ngushtohet hapësira kohore për miratimin e ligjeve reformuese, të cilat duhet të marrin dritën jeshile para shpalljes së Raportit të Komisionit Evropian javën e ardhshme. Grupet e punës midis LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së ende kanë dallime të shumta.

Palët kanë arritur marrëveshje për Ligjin për Procedurë Penale dhe Prokurorinë, ndërsa mosmarrëveshje ekzistojnë për reformat në Gjyqësor edhe atë sidomos te përgjegjësia disiplinore e gjykatësve. Dallime ka edhe për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. LSDM-ja kërkon që Maqedonia nga 6 njësi, të shndërrohet në një njësi të vetme zgjedhore dhe deputetët të garojnë me lista të hapura.

Në korniza të këtyre bisedimeve, po flas në emër të LSDM-së, presim dhe besojmë se do të flasim edhe për ndryshimin e sistemit zgjedhor, dhe ju e dini qëndrimin tonë, që të votohet në një njësi të vetme zgjedhore dhe me lista të hapura, gjë që ishte pjesë edhe e programit tonë parazgjedhor, por për këtë gjë është e nevojshme që të ketë konsensus politik nga të gjitha partitë politike – deklaroi Radmilla Sheqerinska – Zëvendëskryeministre e Maqedonisë.

VMRO-DPMNE-ja është kundër modelit me një njësi të vetme zgjedhore, duke këmbëngulur në sistemin aktual me 6 njësi. Megjithatë partia e Mickoskit ka theksuar se brenda partisë po shqyrtohen të gjitha modalitetet. Lidhur me modelin zgjedhor ndarje ka edhe mes vetë partnerëve të koalicionit qeverisës. BDI-ja pajtohet për listat e hapura por kërkojnë që nga 6 në Maqedoni të ketë 3 njësi zgjedhore.

Disa analiza që kemi bërë në parti tregojnë se ndoshta modeli më i përshtatshëm do të ishte me tre njësi zgjedhore, por jemi të hapur që t’i ballafaqojmë argumentet edhe me partitë tjera për të zgjedhur modelin për përfaqësim më të mirë të qytetarëve. Jemi pro listave të hapura por vështirë se mund të gjendet konsensus mes gjitha partive politike për këtë çështje – thonë nga Bashkimi Demokratik për Integrim.

Në bisedimet e deritanishme të grupeve të punës midis pushtetit dhe opozitës është arritur marrëveshje për disa prej ligjeve reformuese, mes të cilave është edhe Agjencia Teknike Operative dhe Ligji për dëshmitarët e mbrojtur, i shumëkërkuar nga Prokuroria Speciale.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here