FMN: Të tërhiqet projektligji për punëtorët e arsimit të viteve 1990

0
35
Projektligji për Statusin e Punëtorëve të Arsimit të Viteve të 90-ta nuk po shihet si mënyra më e mirë e kompensimit të mësimdhënësve për punën e bërë në atë kohë.

Përveç kësaj, sipas Fondit Ndërkombëtar Monetar (FMN), ky Projektligj nëse hyn në fuqi mund të ketë kosto shumë të madhe për buxhetin që komprometon edhe investimet në të ardhmen e arsimit.

“….Ne do të këshillonim fuqimisht që të mos ecim përpara me këtë projektligj në formën e tij aktuale”, tha përfaqësuesi i FMN-së në Kosovë, Ruud Veremulen për KALLXO.com.

Të mërkurën, Qeveria e Kosovës nën kërcënimin e grevës së mësimdhënësve, kaloi Projektligjin për Punëtorët e Arsimit në Vitet e 90-ta.

Gazeta Jeta në Kosovë kishte siguruar këtë Projektligj i cili parasheh pensione të veçanta për disa kategori të punëtorëve të arsimit të viteve të 90-ta duke përfshirë mësimdhënësit.

Sipas këtij Projektligji, përfitues të këtij statusi të veçantë janë mësimdhënësit, bashkëpunëtorët profesionalë, drejtori dhe zv.drejtori i shkollës, personeli administrativ, personeli teknik i shkollave, të punësuarit në arsimin e lartë sipas sistemit të arsimit shqip, institucionet, organet dhe institutet e tjera që kanë qenë pjesë e arsimit të kësaj periudhe.

Pensionet e parapara rangojnë nga 50 përqind deri në 70 përqind të rrogës bazë të mësimdhënësve për ata që punuan në sistemin paralel deri në pesë dhe përkatësisht 10 vite.

Ruud Veremulen, Përfaqësuesi Rezident i FMN-së në Kosovë tha për Gazetën Jeta në Kosovë se kontributi i mësuesve në atë kohë është shumë i çmuar.

Megjithatë, benefitet e parashikuara me këtë ligj, sipas tij, janë të tepruara nëse merren parasysh kapacitetet buxhetore.

“Megjithatë, shumë mësues e bënë këtë në baza vullnetare dhe u kompensuan nga një fond unik për kontributin vullnetar, ku shumë prej tyre refuzuan fillimisht që të paguheshin fare. Për më tepër, përfitimet e pensioneve të parashikuara janë shumë bujare duke pasur parasysh nivelin e pagave në vitet 1990 dhe nivelet e pensioneve në Kosovë sot”, tha Veremulen.

“…Për shembull, një mësues që punonte në sistemin paralel vetëm për një vit do të fitojë të drejtën e një pensioni të përhershëm mujor prej më shumë se 260 euro, i cili është 3.5 herë më i lartë sepensioni bazë dhe 50 përqind më i lartë se pensioni mesatar kontribues (pensionistë me më shumë se 15 vjet përvojë pune para vitit 1999)”, shtoi ai.

Ai po ashtu konsideron se kostoja e vërtetë buxhetore e këtij ligji nuk do të jetë e vërejtshme që në fillim.

“…Teksa shumë mësues dalin në pension, shpenzimet do të rriten dhe lehtë mund të tejkalojnë 1 përqind të GDP-së në vit. Në atë pikë, kostoja fiskale vjetore do të ishte më shumë se 10 herë më e lartë se ajo që është paraqitur publikisht. Dhe duke pasur parasysh kufizimet e të ardhurave, kjo do të vijë me koston e shpenzimeve shumë të nevojshme për të përmirësuar rezultatet e arsimit – e cila duhet të jetë një prioritet më i lartë politik – për të adresuar mungesat e aftësive në tregun e punës dhe për të zvogëluar papunësinë, kujdesin shëndetësor dhe infrastrukturën”, tha ai.

Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK) ishin insistuesit më të mëdhenj për kalimin e këtij ligji që si ide nisi në vitin 2013.

Projektligji për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës nga viti shkollor 1990/91 e deri në vitin 1998/99 është bartur në dy udhëheqje të Ministrisë së Arsimit që u munduan ta shtyjnë për miratim ndërsa pengesa e vetme sipas zyrtarëve ishte sigurimi i linjës buxhetore.

Ahmet Pllana, një mësues i asaj kohe dhe sindikalist kishte vlerësuar se mësimdhënësit meritojnë trajtim të ngashëm me kategoritë e tjera të luftës.

 “Duhet edhe këta mësimdhënës të shpërblehen në një mënyrë sidomos t’u njihen vitet 90-99, të gjithë i kanë marrë, edhe të burgosurit politikë, edhe veteranët e luftës, e pse arsimtarët mos t’i marrin?”, kishte thënë Pllana.

Pikërisht kjo pikë po shihet si problematike nga FMN pasi sipas tyre mund të shkaktojë një valë të kërkesave për shpërblime që buxheti i Kosovës thjesht nuk e përballon.

“Për më tepër, bujaria për një pjesë të shoqërisë me siguri do të shkaktonte kërkesa për përfitime të njëpasnjëshme bujare për mësuesit e tjerë dhe profesionet e tjera, duke rritur më tej kostot e saj. Për këto arsye, ne do të këshillonim fuqimisht që të mos ecim përpara me këtë projektligj në formën e tij aktuale”, tha Veremulen.

Çfarë Përfitojnë Punëtorët e Arsimit të Viteve ’90 nga Statusi i Veçantë?

19 vjet pas luftës dhe një dekadë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, një kategori që kontribuoi në mbajtjen gjallë të arsimit shqip në kohën e okupimit po pret për njohje ligjore të këtij kontributi.

Nga viti 1992, shqiptarët e Kosovës u detyruan të gjejnë forma alternative të mbajtjes gjallë të sistemit arsimor pasi që administrata serbe nuk lejonte mbajtjen e mësimit shqip nëpër objektet shkollore.

Fillet e iniciativës për krijimin e një ligji të veçantë që njeh status meritor për punëtorët në arsim të asaj kohe ishin në vitin 2013 dhe që nga ajo kohë, kjo iniciativë ka mbetur vetëm një projektligj.

Projektligji parasheh pensione të veçanta për disa kategori të punëtorëve të arsimit të viteve të 90-ta duke përfshirë mësimdhënësit.

Sipas këtij Projektligji përfitues të këtij statusi të veçantë janë mësimdhënësit, bashkëpunëtorët profesionalë, drejtori dhe zv.drejtori i shkollës, personeli administrativ, personeli teknik i shkollave, të punësuarit në arsimin e lartë sipas sistemit të arsimit shqip, institucionet, organet dhe institutet e tjera që kanë qenë pjesë e arsimit të kësaj periudhe.

Përfituesit e pensioneve meritore megjithatë ndahen në dy kategori.

Në kategorinë e parë hynë të gjithë përfituesit e pensionit që kanë shërbyer mbi 5 deri në 10 vjet gjatë kësaj periudhe dhe kompensohen në shumë prej 75 për qind të pagës bazë në arsimin fillor në Kosovë.

Në kategorinë e dytë hynë të ata që kanë shërbyer nga 1 deri 5 vjet gjatë kësaj periudhe dhe kompensohen në shumë prej 65 për qind të pagës bazë në arsimin fillor.

Sipas Projektligjit, punëtorët po ashtu ndahen në kategori të punëtorëve në nivel komune dhe në nivel republike dhe pronarët e shtëpive- shkolla që kishin dhënë në shfrytëzim shtëpitë e tyre për t’u shfrytëzuar si shkolla.

Për dy kategoritë e para parashihen edhe benificione si shërbimet mjekësore pa pagesë, përparësi në shërim jashtë vendit, përparësi në vendosjen në shtëpitë për të moshuar si dhe përparësi në përkujdesjen në banim familjar në rast të ndarjes së banesave nga niveli qendror dhe komunal.

Ndërkaq çështja e pronarëve të shtëpive-shkolla pritet të rregullohet me një akt nënligjor.

Cila është zgjidhja më e mirë sipas FMN-së ?

Shpërblimi përmes pensionit nuk konsiderohet një ide e mirë nga FMN për shkak të karakterit jetësor dhe implikimeve të vazhdueshme buxhetore.

Veremulen tha se një kompensim më i drejtë do të ishte duke u bazuar në pagat e mësuesve në atë kohë dhe me shpërndarjen e shpenzimeve me këste.

“Sipas pikëpamjes sonë, ligji duhet ridizajnuar për të bërë trajtim të drejtë tëmësuesve dhe tatimpaguesve, duke siguruar një kompensim të arsyeshëm dhe afatgjatë që Kosova mund të përballojë. Sistemi i pensioneve të pleqërisë nuk është instrumenti i duhur për të kompensuar këta punëtorë të arsimit. Në vend që të sigurohej një pension jetësor, kompensimi mund të bazohej në pagat e mësuesve në atë kohë, të përshtatura për shkathtësitë dhe kompensimin e marrë, dhe të paguhej me këste për të shpërndarë shpenzimet për disa buxhete”, tha Veremulen.

Investime për të ardhmen apo të kaluarën?

Një ndër kërkesat e vazhdueshme të SBASHK-ut ka qenë miratimi i Projektligjit të lartpërmendur, ndërsa kjo kërkesë u bë ultimatum për një grevë të paralajmëruar ditëve të fundit.

SBASHK kishte mbajtur dy greva në dy ditë të ndryshme të punës për t’i paraprirë një greve me afat të pacaktuar nëse nuk do të plotësohej kjo kërkesë.

Ata kishin shpërfillur shpjegimet e ministrave për mungesën e buxhetit dhe kërkesën e tyre për anulimin e grevës.

Ndërsa pas miratimit të këtij projektligji me një lloj ngutie nga Qeveria e Kosovës, FMN konsideron nuk është paraqitur një pasqyrë e drejtë e kostos.

“Më lejoni të bëj një pikë të fundit por të rëndësishme. Kur projektligjet i paraqiten publikut, qeverisë dhe parlamentit, është e rëndësishme të paraqitet një pasqyrë e drejtë e kostos së lidhur, pasi shpenzimet më të larta për disa politika do të thotë që më pak burime janë në dispozicion për prioritetet e tjera të politikave. Paraqitja e një vlerësimi të tillë fiskal është gjithashtu një kërkesë ligjore. Pa një pasqyrë realiste të kostos, treguesit e politikës nuk janë të dukshme”, tha Veremulen.

Ndërkohë në kohën kur ky projekt ligj nuk është miratuar ende nga Kuvendi sipas Veremulen paraqitet një pyetje substanciale për prioritetet qeveritare.

“Me pak fjalë, përzgjedhja me të cilën ballafaqohen politikëbërësit e Kosovës është kjo: a doni të shikoni përpara dhe të investoni në të ardhmen e Kosovës ose të shikoni prapa dhe të shpenzoni një pjesë gjithnjë në rritje të buxhetit për kompensim për punët që janë kryesisht vullnetare dhe aktivitetet patriotike në të kaluarën?”, përfundoi Veremulen.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here