Gjenerali Clark: Prioritet për Kosovën është zhvillimi ekonomik, jo ushtria

0
52
Zhvillimi ekonomik dhe krijimi i perspektivës për të rinjtë që të jetojnë dhe punojnë në Kosovë, do të duhej të ishte prioritet për Kosovën, para çështjes së formimit të ushtrisë, ka deklaruar të martën në Prishtinë, gjenerali në pension, Wesley Clark.

Gjatë një konference për media të mbajtur në Universitetin Amerikan në Prishtinë, gjenerali në pension, i cili udhëhoqi fushatën ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe gjatë vitit 1999 me qëllim të ndaljes së spastrimit etnik të Kosovës, tha se Kosova e ka KFOR-in dhe duhet të llogarisë në këtë forcë ushtarake, përderisa nuk arrin të normalizojë raportet me Serbinë.

“Po të isha unë në Kosovë, do të llogarisja në mbrojtjen e KFOR-it dhe NATO-s dhe unë më me dëshirë do t’i shihja burimet e Qeverisë të shpenzohen për zhvillimin ekonomik sesa për forcat ushtarake”, tha gjenerali amerikan.

“Besoj se rregulla bazike në ushtri është se duhet të kesh aq forca ushtarake sa ka nevojë për mbrojtjen, sigurinë e vendit dhe jo më shumë”, theksoi ai, duke ua rikujtuar institucioneve të Kosovës të cilat e kanë vënë si prioritet themelimin e Forcave Ushtarake të Kosovës, se shpenzimet për ushtrinë mund të ndikojnë në çrregullimin e zhvillimit dhe të ardhmes ekonomike të vendit.

“Mënyra më e mirë për të siguruar të ardhmen e Kosovës së pavarur e demokratike është zhvillimi ekonomik”, theksoi ai.

“Mendoj që do të vijë koha për KFOR-in që të largohet. Por, mendimi im personal është se kjo nuk është koha e duhur që KFOR-i të largohet”, tha Clark.

“Ajo që unë dua ta shoh është arritja e një marrëveshjeje midis Serbisë dhe Kosovës e cila do t’i normalizonte marrëdhëniet mes tyre. Le ta ketë Kosova ulësen e saj në Kombet e Bashkuara dhe eventualisht, bashkë me Serbinë, të dyja të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian. Nuk ka arsye pse dy shtete nuk mund të jenë fqinjë të mirë”, tha gjenerali Clark.

“Mendoj se është e mundur që marrëdhëniet mes fqinjëve, nga konflikti dhe lufta të kthehen në bashkëpunim e ndoshta edhe miqësi. Kjo merr kohë, por nuk është e pamundur”, tha tutje Clark.

Më tutje ai tha se do të dëshironte që ta shihte Kosovën pjesë të Bashkimit Evropian ku rinia do të qëndronte dhe punonte në Kosovë, pa pasur nevojë të kërkojë një jetë më të mirë nëpër vendet evropiane.

Clark tha se në këtë aspekt edhe Qeveria mund të krijojë kushte më të mira që t’i nxisë të rinjtë të qëndrojnë, kurse ata që kanë migruar të kthehen.

Gjenerali amerikan, Wesley Clark është një nga figurat më të njohura ndërkombëtare nga periudha e bombardimeve të NATO-s dhe ndërhyrjes ndërkombëtare në Kosovë gjatë vitit 1999.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here