Ambasada Gjermane për Express: Kemi dyshime serioze për deportimin e turqve

0
37

Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka dyshime serioze lidhur me rrëmbimin dhe dënimin e gjashtë shtetasve turq. Presidenti Thaçi tha se deportimin e gylenistëve nuk ia kanë përmendur as në Berlin e as në Bruksel, megjithatë, operacioni nga këto qendra nuk konsiderohet aspak si normal, edhe përkundër përpjekjeve të Thaçit për ta paraqitur si të tillë.
Presidenti Hashim Thaçi tha të hënën në intervistën te Baton Haxhiu se as në Bruksel e as në Berlin, askush nuk ia ka përmendur deportimin e gylenistëve, duke provuar që operacionin e turpshëm ta paraqesë si diçka që nuk ka çuar pluhur në BE. Megjithatë, Express, për ta vërtetuar, ka pyetur Ambasadën gjermane, dhe kjo e sheh kidnapimin e turqve si shumë të dyshimtë.

“Është me rëndësi që shteti i ri, Kosova t’i respektojë parimet e veta ligjore. Për ne ekzistojnë dyshime serioze, nëse këto parime janë respektuar në rastin e deportimit në fjalë”, thonë nga Ambasada gjermane.

Gjermanët janë të kënaqur me hapat që kanë marrë Qeveria dhe Kuvendi për t’iu vënë pas urdhërdhënësve të deportimit të turqve.

“Përshëndesim deklaratën e Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës për të hetuar këtë rast dhe shpresojmë që Komisioni Parlamentar i përkatës të nisë punën e tij pa vonesa”.

E rasti në fjalë, pra kidnapimi i turqve, nga bota demokratike u konsiderua si shkelje e të drejtave themelore të njeriut, marrë parasysh mënyrën e fshehtë se si ndodhi operacioni i arrestimit dhe dëbimit të menjëhershëm të tyre.

Megjithatë, Presidenti Thaçi mundohej që rastin ta paraqiste si diçka që nuk është konsideruar serioze aq sa të flitet për të në takimet që ai ka pasur javën e kaluar me kancelaren gjermane, Angela Merkel. Tha po ashtu se as në Bruksel nuk është përmendur.

“Në asnjë moment në asnjë fjali, në asnjë rrethanë. Nuk ma ka hapur askush këtë çështje”, tha të hënën Presidenti kur u pyet nëse Merkel ia kishte përmendur kidnapimin e turqve.

Menjëherë pas arrestimit të turqve nga AKI dhe Policia e Kosovës, autoritete të Bashkimit Evropian dhe ambasadat e shteteve më të fuqishme e kishin dënuar dorëzimin e gylensitëve te pushteti i presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan.

Tre liderët shtetërorë kishin deklaruar se nuk ishin në dijeni për operacionin, ndërsa kryeministri Ramush Haradinaj kishte shkarkuar ministrin e Brendshëm, Flamur Sefaj, dhe shefin e AKI’së, Driton Gashi, pasi nuk e kishin informuar për vendimin e largimit të gylenistëve.

Gishti për dhënien e urdhrit u drejtua kah Presidenti Thaçi, i cili me dorëzimin e turqve do t’i kryente një favor të madh mikut të tij, presidentit turk Recep Tayip Erdogan, i cili, pasi mori gylenistët, falënderoi Thaçin.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here