Kuvendi i kërkon MASHT-it të kryejë punët e veta e mos të zvarrisë ligjet

0
39

Komisioni për Arsim, Shkencë dhe Teknologji ka shqyrtuar Projektligjin për Inspektoratin e Arsimit, ku u kërkua që MASHT-i të marrë përgjegjësit e veta, në mënyrë që të mos zvarritet aprovimi i ligjeve.

Anëtarët e këtij Komisioni kanë paraqitur propozimet rreth paragrafëve që sipas tyre duhet të ndryshohen në këtë projektligj. Kryetari i Komisionit, Ismajl Kurteshi, tha se kanë kaluar disa ditë prej kur është shtyrë aprovimi i këtij projektligji, për shkak të vonesës së Inspektoratit të Arsimit në propozimet për nenin 21, gjegjësisht gjobat. Ai po ashtu tha se arsye tjetër e kësaj shtyrje ka qenë edhe shqyrtimi i këtij projektligji nga anëtarët e komisionit.

“Kemi pritur që drejtori i përgjithshëm i Inspektoratit të na i dërgojë propozimet për pjesën e gjobave. Drejtori nuk e ka kryer këtë punë dhe na është drejtuar me një shkresë në të cilën thuhet: ‘Kërkojmë mirëkuptimin tuaj që të na jepni kohë të paktën edhe tri ditë pune që ne të reflektojmë te neni 21- gjobat. Kjo i bie që ne prapë duhet me pritë dhe unë si kryetar i Komisionit bëj vërejtje që ata që e përcjellin punën e komisionit, në këtë rast njerëzit e ministrisë, t’i kryejnë punët dhe të mos ndikojnë në zvarritjen e aprovimit të ligjeve sepse me të vërtetë është punë që unë e konsideroj të papërgjegjshme”, tha ai.

Deputetet Teuta Haxhiu dhe Arbërie Nagavci mbështetën Kurteshin, duke i komentuar si të vonshme kërkesat e drejtorit të Inspektoratit, Dëfrim Gashi.

Sa i përket propozimeve të cilat u bënë gjatë kësaj mbledhjeje, e që kryesisht ishin teknike, u kërkua edhe inspektimi i drejtorëve dhe inspektorëve të shkollave. Por, ndryshe doli se mendonte deputetja Nagavci, e cila tha se nuk është në fushëveprimin e inspektorëve që të bëjnë vlerësimin e perfomancës së drejtorëve të shkollave.

“Unë edhe herën e kaluar për këtë pikën 7 që e kemi shtuar nuk jam pajtuar, sepse mënyra qysh kemi thënë se inspektorët japin rekomandime për vazhdimin e kontratës së punës për drejtorë dhe zëvendësdrejtor mund të na krijojë precedentë jo të mirë dhe joprofesional, sepse e dimë se me ligj çka emërohen prej kryetarit të komunës, çka nëse vendimi i inspektorëve nuk merret parasysh prej kryetarëve të komunës. Duke e pasur parasysh statusin e drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve të shkollave, mendoj se nuk është nuk është në fushë veprimtarinë e inspektorëve me bë vlerësimin e perfomancës së drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve”, tha ajo.

Ndërsa deputetja Haxhiu tha se më në fund po bëhet diçka e mirë në fushën e arsimit në Kosovë.

“Na pikërisht për të bërë diçka më të mirë e kam bërë këtë propozim dhe mendoj se është shumë mirë. Drejtorët dhe zëvendësdrejtorët edhe ata me pas kush për të matur perfomancën. Në fakt, problemet më të mëdha i kemi aty dhe mendoj që është mirë që kanë hyrë për herë të parë drejtorët dhe zëvendësdrejtorët. Për herë të parë po bëhet diçka Arbërie. Fatkeqësisht nuk është ndryshuar, sepse ligjin për Vetëqeverisje Lokale e ka kryetari i komunës dhe kjo është krejt politike dhe duke mos i monitoruar askush. Është shumë mirë që për herë të parë janë vendosur drejtorët dhe zëvendësdrejtorët me iu mat perfomancën e tyre dhe për të bërë një raport”, theksoi ajo.

Sipas saj, kjo nuk do të thotë se inspektorët do të shkëpusin kontratat e punës, por do të bënin një raport për të vlerësuar drejtorët dhe zëvendësdrejtorët.

Por, me këtë vlerësim nuk u pajtua deputetja Nagavci duke thënë se është pro matjes së perfomancës së drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve të shkollave, ndërsa shprehu brengën me krijimin e një dispozite të re që bie ndesh me ligjet ekzistuese.

“Frika ime është se mos po fusim diçka në ligj, e cila e dimë paraprakisht se nuk ka për t’u respektuar dhe veç ka për të shkaktuar më shumë konfuzitet, sepse aktualisht është e rregulluar me ligj që vlerësimin e perfomancës së drejtorëve kush e bënë bazuar në udhëzimin për standarde për drejtor të shkollës. Tash, nëse ne vendosim dispozitë tjetër, thjesht po bëjmë dy ligje, të dyja janë në fuqi dhe të cilat e rregullojnë në mënyra të ndryshme këtë çështje”, tha ajo.

Ndërsa deputetja Albulena Balaj – Halimaj tha se kjo çështje më shumë i takon Zyrës Ligjore.

Deputeti Nezir Çoçaj tha se vlerësim të performancës kanë për të pasur të gjithë. Sipas tij, me ndryshimin e ligjit inspektoratit do t’i jepet e drejta për të matur perfomancën dhe vlerësuar drejtorët dhe zëvendësdrejtorët e shkollave.

“Vlerësim të perfomancës kanë për të pasur të gjithë, edhe shkollat, edhe drejtori, edhe zëvendësdrejtori dhe gjithë të tjerët. Inspektorati e ka mandatin për t’i treguar kryetarit të komunës se filan drejtori nuk janë të vlerësuar si duhet në fusha të caktuara. Mund të jetë një fushë ose dy, dhe i thotë saktë dhe bëhet vlerësimi i perfomancës, si bëhet, ne dimë se çfarë vlerësimi mund të bëjë një drejtor i një shkolle. Unë këtë shqetësim e kam ngritur edhe në seanca, kemi drejtorë politikë, kemi staf në drejtori komunale që nuk marrin vesh ndoshta në arsim”, tha ai.

Propozimet dhe ndryshimet që janë bërë ishin të karakterit teknik. Ismajl Kurteshi theksoi se vlerësimet e inspektorëve iu shërbejnë drejtorëve të shkollave si referencë, ndërsa shtoi se nëse këta të fundit duan të zgjedhin drejtorë të mirë duhet të marrin parasysh këto vlerësime.

Ndryshe, në mbledhjen e radhës të Komisionit për Arsim, Shkencë dhe Teknologji pritet që të miratohet Projektligji për Inspektoratin e Arsimit në Republikën e Kosovës.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here