Muharremi: Ka stagnim në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Interpol

0
42

Robert Muharremi, ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare tha se Kosova ka pasur disa mundësi të jetë pjesë e Interpolit por s’ka pasur sukses.

Ai këto komente i bëri në tryezën me temë “Anëtarësimi i Kosovës në Organizata Ndërkombëtare: Këshilli i Evropës dhe INTERPOL”, e organizuar nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike.
Muharremi tha se Kosovës i nevojiten 2/3 e anëtarëve që të votojnë dhe kjo paraqet risk real sa i përket Interpolit.

Sipas tij, anëtarësimi i Kosovës në organizata është i lidhur me objektivat e jashtëm të Kosovës.

“Kur shikojmë në këtë aspekt, nëse hapim ueb faqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme fatkeqësisht nuk kemi informacion”, ka thënë ai.

Ai po ashtu përmendi tri pika kryesore që janë në programin e qeverisë për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

“Në programin e qeverisë janë të parapara tri pika veprimi: ngritja e njohjeve bilaterale, anëtarësimi në organizata ndërkombëtare si dhe aderimi i konventave shumëpalëshe”, u shpreh tutje Muharremi, raporton Telegrafi.

Ai po ashtu tha se Kosova ka një stagnim sa i përket njohjeve.

“Që nga viti 2008 deri më sot Kosova është bërë anëtare e rreth 63 organizatave ndërkombëtare dhe rajonale… Kosova është anëtare në pak konventa shumëpalëshe. Ku jemi tani? Ka një stagnim sa i përket njohjeve bilaterale pasi jemi dhe në defanziv sepse Serbia po lobon që disa njohje të tërhiqen”, tha Muharremi.
Ai po ashtu shprehu dhe problemin tjetër që Kosova ka lidhur me anëtarësimin në Interpol, e që ka të bëjë me UNMIK-un.

“Një prej projekteve kryesore është anëtarësimi në Interpol. Kemi pas disa mundësi por s’kemi pas sukses Problemi është a i kemi votat. Na nevojitet 2/3 e anëtarëve që votojnë. E kemi dhe problemin e UNMIK-ut pasi që ky mision ka marrëveshje me Interpolin dhe komunikimi vazhdon me UNMIK-un. UNMIK-u ka shpreh rezervë për anëtarësimin e Kosovës në Interpol. Kemi risk real sa i përket Interpoli”, ka thënë ndër të tjera ai.

Ai gjithashtu foli edhe për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, ku tha se Qeveria e Kosovës ende nuk ka qëndrim të qartë nëse do të procedoj tutje apo jo.

“… Për UNESCO, s’kemi qëndrim të qartë nëse do të procedojmë apo jo, sepse nuk po diskutohet dhe aq shumë”, tha profesori Robert Muharremi.

Ndryshe, Kosova kishte aplikuar edhe vitin e kaluar për anëtarësim në mekanizmin ndërkombëtar policor, INTERPOL. Ajo ishte futur në agjendën e Komitetit Ekzekutiv të Interpolit, në mënyrë që të votohej për pranimin e saj në Asamblenë e Përgjithshme vjetore të kësaj organizate, e cila u mbajt më 17 shtator të vitit 2017, në Pekin. Përderisa Palestina dhe Ishujt Solomon ishin pranuar në këtë organizatë, Kosova kishte tërhequr kandidaturën e saj.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here