Historia interesante e “Galerisë Kosova” në mes të Argjentinës

0
38
Askush nuk do të besonte që në Argjentinën e largët dikush do t`i vinte galerisë së tyre emrin “Kosovo Gallery” ose “Galeria Kosova”.

Argjentina ende nuk e ka njohur Kosovën si shtet për shkak të frikës së precedentit dhe kontestit që ata kanë me Mbretërinë e Bashkuar për ishujt Falkland( Malvine).

Kosova dhe Argjentina nuk është se kanë raporte të mira pikërisht për shkak të politikës.

Por si duket, arti, është ai që i bashkon të gjithë. “Kosovo Gallery” ose “Galeria Kosova” është themeluar në vitin 2012 në Kordobë (Cordoba) të Argjentinës.
Nicola Mac, Drejtor i Përgjithshëm i Kosovo Gallery ka thënë për Gazetën Express se gjëja e parë që e kanë bërë kur janë takuar me bashkëpuntorë për të hapur një galeri të tillë arti, ka qenë caktimi i emrit.

Në bisedën tyre të parë rreth galerisë ka lindur emri “Kosova” krejtësisht spontanisht. “Të gjithë ramë dakord, dhe na pëlqeu ideja” ka treguar ai. “Kosovo Gallery” ka lindur si një galeri që prezanton projekte dhe artistë që kanë qenë shumë pak të ekspozuar para publikut më parë. Me këta artistë me të cilët themeluesit e kësaj galerie janë ndjerë të përfaqësuar me artin e rrugës ose siç ata e thërrasin “kultura e rrugës”.

“Unë jam fëmi i viteve të 80-ta, dhe kujtimet që i kishim ne rreth Kosovës ka qenë lufta në fund të viteve te 90-ta. Kujtimi më i hershëm i imi rreth Kosovës kanë qenë imazhet e luftës si dhe ditët e bombardimeve. Kam parë mure e ndërtesa të shkatërruara” ka thënë ai.

“Gjithmonë kam qenë i interesuar për Ballkanin, dhe kam dashtë të e vizitoj dhe të di më shumë për këtë pjesë të harruar të Evropës. Asnjëherë nuk e kam ditur arsyen se pse kam qenë kaq i interesuar për këtë pjesë të Evropës kaq shumë. Deri sa e kam zbuluar se në venat e mi rrjedhë gjak kroat. Vetëm përpara pak viteve kam marrë vesh për një histori personale e familjare. Gjyshi im nga ana e babait në moshën 5 vjeçare ka ardhë nga Kroacia në Argjentinë. Ne nuk e kemi mbiemrin e tij, por mbiemrin e gjyshes sonë nga ana e babait” ka thënë ai.

Nicola Mac është shprehur për Gazetën Express se idea për emrin “Kosova” ka ardhur sepse situata në artin që ata bënin ishte e ngjashme me situatën që po kalonte dhe ka kaluar Kosova si komb dhe si shtet.” Ndjenim se po e bënim të njejtën luftë sikur Kosova, luftën për të na njohur artin tonë si të barabartë me format e tjera të artit” ka treguar ai.
Disa shtete dhe njerëz e kanë konsideruar Kosovën si shtet, ndërsa disa të tjerë nuk e kanë pranuar shtetësinë e Kosovës, kjo është situate që po kalonte edhe arti “street art” ose arti i rrugës që “Kosova Gallery” ka luftuar gjatë gjithë kësaj kohe të jetë i barabartë.

“Kemi ndjerë se po e bëjmë të njëjtën luftë për njohje si shteti i Kosovës” ka thënë ai. Drejtori i kësaj galerie të artit ka treguar lidhur me faktin se, kur njerëzit e pyesin se si quhet Galeria, dhe kur përgjigja e tij është se emri i galerisë është Kosova, kjo sipas tij ka treguar se ka gjithmonë ka një impakt shumë pozitiv.

“Njerëzit gjithmonë duan të dinë arsyen se pse Kosova” ka thënë ai. “Me kalimin e kohës dhe tani aktualisht duke qenë se kanë kaluar 6 vite nga hapja e galerisë me projekte të ndryshme, dhe gjithë puna që ne kemi bërë gjatë kësaj kohe, ne nuk kemi prezantuar vetëm “street art” ose artin e rrugës.

Kemi filluar me prezantim të llojeve të tjera të artit në galerinë tonë. Sot, “Kosova Gallery” është një galeri që ka ndikim shumë të madh në Kordobë, por edhe në gjithë Argjentinën. Kjo galeri, me emrin e vet vazhdon të ketë ndikim shumë të madh me punën që bënë” ka treguar ai. Sipas Nicola Mac, askush nuk mund të të thotë nëse diçka vlen ose jo, fakti se dikush e bënë një punë dhe beson në atë i jep vlerë dhe vlefshmëri.

Arti bashkëkohor thotë se nuk na intereson se çka ju thoni, ne do e bëjmë atë që kemi në mendje.

“Nuk kemi qenë të kënaqur me mënyrën tradicionale të artit dhe format klasike të menaxhimit të artit. Interesi jonë i madh ishte “Street Art” dhe ajo se çka në rrugë po ndodhte” ka theksuar ai.

Po ashtu ai ka shtuar se në planifikimet e tyre që nga fillimi ka qenë puna me street art, por tani në një formë dhe asistencë tjetër, në mënyrën tradicionale të artit brenda një galerie.

Të arrihej bëhej një lloj përzierje që do të rezultonte me diçka shumë të bukur. “Ajo se çka pikturohet në rrugë, mbetet në rrugë” ka thënë ai. Ai nuk e ka parë si gjë të mirë që totalisht i njejti art të zhvendoset në galeri, apo që të kopjohet e njejta. “Artistët nuk kanë qenë të mësuar me këtë formë të punës. Disa prej tyre po, por të tjerët kanë qenë të pa përvojë në këtë aspekt.

Tentonim që artistët të fillonin të e shesin punën tyre, gjë që nuk e kanë bërë më përpara, dhe të jetojnë nga kjo punë” ka theksuar ai.

Në “Kosova Gallery” nuk ka qenë asnjëherë asnjë shqiptar nga Kosova.

Drejtori i kësaj Galerie i ka thënë Expressit se një herë ka qenë i kontaktuar nga një fotograf Kosovar që po qëndronte në Mar de la Plata (ndër qytetet më të mëdha në Argjentinë). “Ai është interesuar rreth emrit të Galerisë sonë, si dhe të bëjë një ekspozitë në galerinë tonë, por nuk ka pasur punime për të bërë në atë kohë, dhe kjo ide nuk ka arritur të realizohet” ka theksuar ai.
Në fillimet e “Kosova Gallery”, ata kanë dashur të bëjnë shkëmbime në mes artistëve të Kosovë dhe Kordobës, duke e bërë artin si urë lidhëse në mes dy vendeve. “Do të donim shumë që të bënim shkëmbime mes artistëve kosovarë dhe argjentinas, kjo do të ishte një gjë shumë e mirë” ka përfunduar ai./GazetaExpress

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here