Basha: Isha në Berlin! E paimagjinueshme që Bundestagu të hapë negociatat

0
36

As Edi Rama dhe as Fatmir Xhafaj nuk ishin të pranishëm në nisjen e seancës së kësaj të enjteje në Kuvend. Mungesën e tyre e vuri re opozita.
Fillimisht kreu i Grupit Parlamentar demokrat, Edmond Spaho dhe më pas vetë Lulzim Basha thanë se seanca nuk mund të vijojë pa praninë e Kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm, që i akuzojnë për lidhje me krimin.
Gjatë fjalës në foltore, Lulzim Basha konfirmoi se të hënën dhe të martën ndodhej për një vizitë në Berlin, por jo për arsyet që e sulmon mazhoranca.

“Po, kam qenë në Berlin këtë të hënë e të martë, jo në vizitë klandestine siç thoni ju, as të paguar me milionat e drogës, por i ftuar nga autoritetet më të larta gjermane për të diskutuar shqetësimin e tyre se situata politike në vend, 6 javë pas largimit të Ramës nga Berlini, jo vetëm që nuk ka shkuar drejt përmirësimit, por drejt përkeqësimit, që u lirua Saimir Tahiri dhe e njëjta skemë po ndiqet për të shpëtuar vëllezërit Xhafaj”, deklaroi ai.

Të gjitha këto për Bashën e bëjnë të pamundur për ligjvënësit gjermanë që të rekomandojnë negociatat.

“Në këto kushte është e paimagjinueshme që Bundestagu të rekomandojë hapjen e negociatave”, vijoi ai.

Basha këmbëngul se mazhorancën dhe opozitën e bashkon kërkesa për hapjen e negociatave, por për arsye krejtësisht të ndryshme.

“Ju me pretendimin se Shqipëria i meriton, ne me bindjen që hapja e negociatave është instrumenti i vetëm që mund të garantojë presion maksimal ndaj bandës që qeveris sot pa ligj dhe Kushtetutë në këtë vend”, tha ai.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here