Persona tjerë i shtohen aktakuzës ndaj Dardan Gashit e Sami Lushtakut për të shtënat në konak të Limajt

0
79
Përveç Zëvendës Kryeministrit, Dardan Gashi; ish- kryetarit të Skënderajt Sami Lushtaku dhe shefit të kabinetit të Zëvendës Kryeministrit Limaj, Endrit Shala, të cilët po akuzohen për posedim të paautorizuar të armëve, në aktakuzë janë shtuar edhe tre emra të tjerë.

Prokuroria e Gjakovës ka ngritur aktakuzë për mbajtje nën kontroll dhe posedim të paautorizuar të armëve edhe ndaj Behar Amerllahut, Fadil Demirit dhe Sherif Kastratit, pasi që në një video ishin parë duke festuar në odën e Fatmir Limajt.

Të akuzuarit do të përballen me akuzat e Prokurorisë Themelore në Gjakovë- dega Malishevë, të ngritura më 16 Maj 2018.

Të pandehurit në festën e Fatmir Limajt, pas lirimit nga akuzat e Prokurorisë për krim të organizuar dhe keqpërdorim detyre, janë parë duke gjuajtur me armë pa kontroll nga dritaret e odës.

Prokuroria pretendon se Dardan Gashi më 30 nëntor të vitit të kaluar, rreth orës 17:00, në fshatin Banjë të Malishevës, në një aheng familjar, pa autorizim ka mbajtur armë e municione në kundërshtim me Ligjin për Armë të Republikës së Kosovës, e cila armë me ligj karakterizohet armë zjarri e ndaluar. Gashi akuzohet se gjatë ahengut ka hapur dritaren e me armën me gas të llojit “Gap” dhe një karikator të pranuar nga i akuzuari Fadil Demiri, ka shtënë në ajër disa herë.

Duke u bazuar në këto veprime, i akuzuari dyshohet se ka kryer veprën penale të mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, nga neni 374 paragrafi 1, të KPRK-së.

Poashtu edhe i akuzuari Endrit Shala, në kohën dhe vendin e njëjtë ka bërë të njëjtat veprime duke shtënë me armën e llojit “Ekcol Jackal Dual Compact” nga dritarja e odës, të cilën armë e kishte pranuar nga i akuzuari Behar Amerllahu.

Gjatë ahengut familjar, Durim Limaj ia hapë dritaren e odës, ndërsa i akuzuari Endrit Shala me armë gjysmë automatike “Scorpion” të llojit “Ekol”, të pranuar nga i akuzuari Sherif Katrati, ka shtënë disa herë në ajër.

Me këto veprime, i akuzuari dyshohet se ka kryer veprën penale të mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve në vazhdimësi.

Për të akuzuarin Sami Lushtaku në aktakuzë thuhet se i njëjti në ditën kritike pa autorizim ka mbajtur armë dhe municion në kundërshtim me ligjin, dhe i njëjti shtënë disa herë në ajër me armën e pranuar nga i akuzuari Behar Amerllahu.

Ndërsa të akuzuarit Behar Amerllahu, Fadil Demiri dhe Sherif Kastrati, po akuzohen për veprën penale të armëve të mbajtura në posedim dhe kontroll dhe pa autorizim, të cilat veprime janë në kundërshtim me Ligjin për Armë të Republikës së Kosovës.

Për këto veprime Prokuroria ka kërkuar që konform ligjit të përcaktohet dënimi plotësues, armët e sekuestruara të konfiskohen përherë dhe njëkohësisht të bëhet edhe asgjësimi i tyre.

Të gjitha këto armë janë sekuestruar dhe gjenden në sirtarin e provave në Stacionin Policor në Malishevë.

Bëhet e ditur se prokurori Ismet Tofaj me datë 10 Janar 2018, ka marrë aktvendim për fillim të hetimeve, ndaj këtyre të akuzuarve të cilët do të përballen me akuzat që ju ngarkon Prokuroria.

Ndaj të njëjtëve pritet që të caktohet dhe të mbahet shqyrtimi gjyqësor në degën e gjykatës në Malishevë./Kallxo.com

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here