Tsipras: Kemi marrëveshje për emrin

0
31
Kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras tha se shteti i tij dhe Maqedonia kanë arritur marrëveshje për emrin.

“Kemi marrëveshje. Jam i lumtur sepse është marrëveshje e mirë, që mbulon të gjitha parakushtet e vendosura nga pala greke”, tha ai gjatë një paraqitjeje televizive.

Tsipras shtoi se Maqedonia do të ketë një emër të ri “me përcaktues gjeografik”, por nuk tregoi se për cilin emër janë marrë vesh me palën maqedonase.

Republika e Maqedonisë së Veriut, jozyrtarisht është emri i ri dakorduar mes kryeministrave të Maqedonisë dhe Greqisë, Zoran Zaev dhe Aleksis Tsipras.

Sipas mediave greke, dy palët janë marrë vesh që ky emër të përdoret si brenda ashtu edhe jashtë vendit apo sipas formulës së njohur “erga omnes”, për të cilën në vazhdimësi ka insistuar pala greke.

Sipas marrëveshjes e cila duhet të konfirmohet nga kryeministrat e dy vendeve, gjuha maqedonase njihet, por me vërejtje se kjo gjuhë ka prejardhje sllave ndërsa sa i përket identitetit, qytetarët në dokumentet personale do të evidentohen si shtetas të Maqedonisë së Veriut, por edhe këtu me sqarim se bëhet fjalë për një popullatë e cila nuk ka lidhshmëri me kulturën greke.

“Unë shpresoj se sot do të jemi në gjendje diçka të bukur t’i kumtojmë opinionit. Unë jam optimist se është e mundur që të arrihet marrëveshja… dy qeveritë, shumica e qytetarëve të të dyja shteteve janë të interesuar që përfundimisht të mbyllim këtë kontest shumëvjeçar…. nëse gjithçka konkretizohet atëherë mund të takohemi në Prespë për të konkretizuar apo nënshkruar marrëveshjen”, ka deklaruar më herët kryeministri Zoran Zaev duke i bërë thirrje kreut të shtetit, por edhe të gjitha partive tjera që të mbështesin marrëveshjen e mundshme.

Por, presidenti i shtetit, Gjorgje Ivanov, duke komentuar thirrjen e kryeministrit për mbështetjen e marrëveshjes, ka thënë se për zgjidhjen e kontestit nevojitet konsensus i gjerë politik dhe se për një çështje kaq jetësore nuk mund të vendoset përmes një bisede telefonike.

“Presidenti Ivanov edhe njëherë thekson nevojën për konsensus të gjerë kombëtar për gjetjen e zgjidhjes e cila nuk do të rrezikojë dinjitetin e popullit maqedonas dhe të qytetarëve. Presidenti Ivanov vlerëson se është joserioze dhe e papërgjegjshme që për çështjen e emrit, që është një çështje jashtëzakonisht e rëndësishme për qytetarët e Maqedonisë, dhe kërkesa të imponuar, të zgjidhen përmes telefonit dhe marrëveshjes mes vetëm dy kryeministrave të shteteve”, kanë kumtuar nga kabineti i presidentit.

Por, kryeministri Zaev ka thënë se për marrëveshjen fjalën përfundimtare do ta thonë qytetarët në referendum.

“Qytetarët janë atë të cilët do të vendosin në referendum ndërsa unë dhe presidenti Ivanov duhet t’i ndihmojmë njerëzve.. unë besoj se do të kemi takime ku do të mund t’i nxjerrim të gjitha argumentet dhe çdonjëri të veprojë në bazë të kompetencave që ka… ne duhet të punojmë për perspektivën, ne duhet të kemi parasysh se nëse arrijmë marrëveshja zhbllokohet procesin eurointegues dhe më ketë do të ketë perspektivë për të gjithë qytetarët”, ka deklaruar Zaev.

Ratifikimi i dokumentit parashihet në disa faza bazuar në marrëveshjen e mundshme. Pas kalimit në Kuvend, Qeveria greke do t’i dërgojë letër BE-së dhe NATO-s se inkurajon fillimin e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE dhe NATO, pasi që të bëhen ndryshimet kushtetuese.

Një nga fazat është edhe organizimi i referendumit dhe në rast të dështimit të tij atëherë parashihen zgjedhjet të jashtëzakonshme parlamentare dhe në rast se fiton partia që mbështet marrëveshjen atëherë kjo do të konsiderohej si mbështetje për dokumentin e dakorduar.

Jo zyrtarisht bëhet e ditur se marrëveshja do të nënshkruhet gjatë fundjavës në Prespë të Greqisë dhe me pas ajo do të ratifikohet nga Kuvendet e dy shtetet.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here