​Fluturimi fatal i Xhavit Pepshit – rrëfimi për vdekjen e parashutistit nga Gjakova

0
43

Xhavit Pepshi, parashutisti gjakovar që vdiq aksidentalisht në Istog, fundjavën e kaluar, të martën është varrosur në qytetin e tij të lindjes. Një ditë pas ceremonisë së varrimit, një nga kolegët e tij parashutistë, ka folur për Express rreth tragjedisë, por edhe për pasionin e 58 vjeçarit për parashutizmin.

Mbi 300 hedhje me parashutë, qysh në rininë e tij, kishte pasur Xhavit Pepshi. Njëra prej këtyre rezultoi të jetë fatale për 58-vjeçarin nga Gjakova.

Ai të dielën e kaluar, gjatë hedhjes me parashutë u aksidentua për vdekje. Ngjarja ndodhi në Istog, derisa sipas kolegëve të tij, Pepshi gjeti vdekjen në ndjekje të rrymave të ngrohta të ajrit. Por hasja në një turbulencë bëri që parashutisti gjakovar të humbë presionin e ajrit dhe të përfundojë në një trung peme në bjeshkët e Istogut.

Lartësia nga e cila ra Pepshi llogaritet të jetë 30 deri në 50 metra.

“Atë ditë, i ndjeri është nisur në fluturim rreth orës 12:45 dhe ka bërë fluturim rreth 15 minuta para se të ndodhe aksidenti. Gjatë fluturimit ai i ka qenë duke i kërkuar rrymat e ngrohta të ajrit, të cilat ndihmojnë që paragllajdi të fitojë lartësi dhe të qëndrojë më gjatë në ajër e të përshkruaj distancë më të gjatë në fluturim”, tregon për Gazetën Express Ardall Celina, koleg i Pepshit nga Federata Aeronautike e Kosovës.

“Ne një moment gjatë fluturimit të tij ai ka hasur në turbulencë (rrymime të ashpra) të ajrit dhe paragllajdi i tij ka humbur presionin e ajrit dhe është deformuar. Në këtë rast ai ka humbur lartësinë dhe ka rënë në një trung peme nga lartësia 30-50 metra, rënie kjo e cila ka rezultuar të jetë fatale për të”, ka rrëfyer Celina për momentin tragjik të kolegut të tij.

Ai thotë se në ditën kur Pepshi humbi jetën, gjakovari fluturimet e lira me parashutë në bjeshkët e Istogut i bënte i shoqëruar edhe nga disa kolegë tjerë, më të cilët ndanin të njëjtin pasion.

“Me të parë aksidentin nga ajri, dy nga pilotet të cilët kanë qenë në fluturim kanë bërë ulje emergjente në një teren të vështirë për t’i shkuar për ndihme pilotit të aksidentuar”, tregon Ardall Celina.

Njoftimin për vdekjen e parashutristit kosovarë, të dielën e dha Policia e Kosovës, të cilët edhe konfirmuan aksidentin.

“Rasti ka ndodhur rreth orës 13:30, policia ka marrë një informatë për një 58 vjeçar të lënduar në Livadhet e Kabashit në Istog. Policia dhe ekipi mjekësor kanë dalë në vendin e ngjarjes, të cilët kanë konstatuar se personi ishte pa shenja jete”, u kishte thënë mediave Xhevat Ibraj nga PK-ja.

Gjakovari Xhavit Pepshi, si adhurues i aeronautikës dhe sporteve të fluturimit në përgjithësi ishte edhe anëtar i klubit te fluturimeve nga Gjakova “Aeroklub Gjakova”.

Pasionin e tij për paragllajdizëm, i njohur tek se si parashutizëm, 58 vjeçari, sipas Celinës, e ka ushtruar aktivisht përgjatë 7 viteve të fundit.

Madje, sipas tij, vdekjen tragjike, gjakovari e gjeti pikërisht në terrenin që e pëlqeu më së shumti, që e njohu më së miri dhe ku pati fluturimet më të mëdha në karrierë.

Por thotë se karrierën aeronautike, Pepshi e kishte nisur qysh kur ishte i ri, në ushtrinë e ish-Jugosllavisë.

“Karrierën aeronautike e kishte filluar si parashutist qysh ne rininë e tij. Si pjesë e forcave ushtarake Jugosllave, ai ka patur eksperience te jashtëzakonshme në parashutizëm ku i ka patur mbi 300 hedhje nga aeroplani”, tregon ai.

Tutje, në rrëfimin e tij për Gazetën Express, Ardall Celina e përshkruan Xhavitit Pepshin si karizmatik dhe gjithmonë në humor të mirë.

“Ai mundohej qe piloteve tjerë t’ua ngrinte humorin me batutat e tij”, thotë ai.

“Ka qene shume miqësor dhe gjithmonë jepte këshilla piloteve të rijnë të cilët e respektonin edhe si shok/kolegë edhe po ashtu si piloti me i vjetër i këtij komuniteti”, tregon Celina.

Xhavit Pepshi, si parashutist, shquhej për fluturimet e tij të gjata, mbi në orë.

Ai u varros të martën pasdite në Gjakovë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here