Mungon në seancë e akuzuara për mashtrim në votime, prokurori thotë se s’ka mbetur tjetër pos t’ia caktojnë paraburgimin

0
33

Ka dështuar të mbahet seanca e shqyrtimit të dytë ndaj gjashtë të akuzuarve për mashtrim në votime, Idriz Malokut, Haki Aliut, Ramiza Ukës, Fitim Berishës, Veton Krasniqit dhe Bardhyl Ahmetit.
Shkak për shtyrjen e seancës të paraparë të mbahej të mërkurën, ishte mungesa e të akuzuarës Uka.

Lidhur me mungesën e saj, gjykatësi Arben Hoti tha se gjykata kishte lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim, mirëpo kur policia kishte shkuar sot në mëngjes për të sjellë të akuzuarën në seancën, e njëjta nuk kishte qenë në shtëpi.

Siç tha gjykatësi Hoti, familjarët e saj i kishin thënë policisë se e njëjta ka dalë për punë të saja dhe nuk e dinë kur do të kthehet.

Duke qenë se në mungesë të të akuzuarës Uka, nuk plotësoheshin kushtet për mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor dhe duke qenë se nuk janë plotësuar kushtet për veçimin e procedurës ndaj saj, gjykatësi Hoti vendosi që seancën e së mërkurës ta shtyjë për 13 korrik, shkruan betimiperdrejtesi.com.

I pakënaqur me shtyrjen e seancës u shpreh prokurori i këtij rasti, Iliaz Beqiri, i cili tha se policia do të duhej të shkonte një ditë ose dy më herët tek shtëpia e të akuzuarës e jo të shkonin pak para se të mbahej seanca.

Tutje, prokurori tha se nëse vazhdohet me mungesën e të akuzuarve dhe shtyrjen e seancave atëherë nuk po mbetet zgjidhje tjetër vetëm vendosja e masës së paraburgimit për ta.

“Nëse vazhdojnë kështu, nuk po na mbetë asgjë tjetër pos t’ia caktojmë paraburgim, tani e këqyrim a mungojnë”, tha prokurori Beqiri.

Edhe seanca e kaluar e paraparë të mbahej më 30 mars të këtij viti, ishte shtyrë për shkak se kishin munguar të akuzuarit Idriz Maloku dhe Veton Krasniqi.

Prokuroria Themelore në Prishtinë me 24 prill 2014, kishte ngritur aktakuzë ndaj Idriz Malokut, Haki Aliut, Ramiza Uka, Fitim Berisha, Veton Krasniqi dhe Bardhyl Ahmeti.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit më 12 tetor 2010, në Qendrën e Votimit në shkollën ”Nazmi Gafurri” në Prishtinë, gjatë votimit, në cilësinë e anëtarëve të këshillit të vendvotimit, me qëllim të ndryshimit të rezultateve të zgjedhjeve, kanë falsifikuar rezultatet e zgjedhjeve për Kuvend të Republikës së Kosovës, me ç ‘rast buxhetit të Kosovës i kanë shkaktuar dëm të konsiderueshëm material dhe në këtë rast kanë kryer veprën penalë të mashtrimit në votime.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here