Raportet e CIA, ja pse u bllokua infiltrimi i agjentëve më 1952 dhe kush ishin kontaktet e amerikanëve te ballistët dhe legalistët

0
83

CIA ka nxjerrë të tjera detaje sa i takon tentativave të amerikanëve për rrëzimin e regjimit të Enver Hoxhës. Në një dokument tregohet se në shkurt të vitit 1952 për shkak të dimrit u ndërpre lëshimi i agjentëve. Po ashtu janë treguar dhe kush ishin mbështetësit e ballistëve dhe legalistëve në emigracion.

7 shkurt 1952

Raport i përmuajshëm aktiviteti

Aktivitetet e degës tonë për infiltrimin e agjentëve dhe furnizimet këtë muaj janë penguar nga dimri ballkanas, i cili i ka bërë të papraktikueshme operacionet në Shqipëri. Janë bërë disa tentativa për infiltrim të grupeve me katër agjentë në zonat juglindore të vendit, për të përcaktuar reagimin ndaj lëshimeve të furnizimeve dhe propagandës, të hedhura në dhjetor, por u vendos të shtyhej operacioni deri në thyerjen e motit të ftohtë. Depërtimet ajrore në vend kanë qenë të suksesshme, duke u hedhur nga ajri furnizime dhe 200 000 pamfleta propagande në Tiranë dhe në veri të Shqipërisë më 21 janar. Në frontin politik, Radio Shqipëria e Lirë vazhdon transmetimet e përditshme dhe gazeta Shqipëria vazhdon të botohet, por tashmë nga Roma dhe jo nga Nju Jorku. Ndryshimi i vendndodhjes besojmë se ka sjellë cilësi më të mirë dhe një pamje më të freskët nga pikëpamja gazetareske. Brenda në Komitetin Kombëtar, presioni ynë për zgjerimin e bazës politike ka vazhduar.

Informacionet e agjentëve

Kohët e fundit morëm një letër të shkruar me bojë nga grupi ynë i katër agjentëve që operon në Kukës në veri të Shqipërisë. Në letër këshillohet që katër anëtarët e grupit të kalojnë dimrin në Prizren të Jugosllavisë, dhe të kthehen në Shqipëri në pranverë. Ata kërkuan, dhe po u dërgohet ushqim dhe para për të kaluar dimrin në Jugosllavi. Një grup prej tre agjentësh të lëshuar në Shqipërinë qendrore në tetor, nuk kemi asnjë informacion. Në sektorin e luftës psikologjike, kemi vazhduar transmetimet sipas programit të radios klandestine Zëri i Shqipërisë së Lirë, nga stacioni pranë Athinës. Në edicionin e tretë të publikimit të organit të NCFA, shkruhet për zotimin e Jugosllavisë e Greqisë për ruajtjen e integritetit territorial të Shqipërisë, dhe për pranimin në parim të Italisë. Ky lajm mori vëmendje të konsiderueshme në shtypin perëndimor. Letra e NCFA botohet në mënyrë të parregullt në gjuhët angleze, franceze dhe italiane.

Në 21 janar kemi lëshuar një ngarkesë me furnizime dhe propagandë në veri të Shqipërisë, në qytetet e Shkodrës, Kukësit, Burrelit dhe Tiranës. Furnizimet përmbanin 900 kanaçe me ushqime të thjeshta dhe 250 qese me nga 300 gramë miell secila.

Lëshimi i broshurave

Një mision për lëshime fletushkash këtë muaj u kombinua me lëshimin e furnizimeve të propagandës për arsye të kushteve të këqija të motit. 200 000 broshura të palosura dhe 5000 koje të Shqipëria u lëshuan, teksa me përmirësimin e motit do të nisin lëshimet edhe në zonën jugore të vendit. Në zhvillimet politike përmndim, Ishan Toptanin i Komitetit të Shqipërisë së Lirë, i cili mori pjesë në takimin e lëvizjes evropiane të mbledhur me 20 janar në Londër.

Lidhja shqiptare e azilantëve politike në Jugosllavi e formuar më 10 maj 1951, raportohet të ketë nisur shpërndarjen e publikimit të ri “Flamuri i Lirisë” e cila në dukje mbështet përpjekjen e shqiptarëve kundër tiranisë së qeverisë Hoxha. Kemi pasur disa raportime për diferenca mes veprimit të oficerëve tanë dhe atyre britanikë, duke sinjalizuar se britanikët mund të jenë duke ndjekur një politikë unilaterale veprimi në lidhje me Komitetin Kombëtar të Shqipërisë së Lirë.

Trajnimi

Caktimi i Ibrahim Kelmendit dhe Adem Selimit në SHBA u anulua në momentin e fundit, për arsye të paaftësisë së anëtarëve të komitetit të NCFA për të rënë dakord në zgjedhjen finale të dy individëve. Sa i përket rekrutimit, është angazhuar një guidë si agjent mbështetës për infiltrime tokësore në të ardhmen. Shërbimet britanike kanë ofruar të japin për operacionin tonë tre studentë të operacioneve radio, trajnimi i të cilëve thuhet se është kompletuar në tre të katërtat e masës. Ndërkohë janë duke u testuar aftësitë e tre agjentëve britanikë dhe nëse vendoset se janë të aftë, ata do të pranohen në kurset e agjentëve radio në Gjermani. Njëzet shqiptarë që kryen kursin e agjentëve dhe mbaheshin të gatshëm në Athinë, janë kthyer në Gjermani të Kompania e Gardës. Ky veprim u bë për të shtuar sigurinë e infiltrimeve të ardhshme.

4 prill 1952

Raporti i aktiviteteve të refugjatëve shqiptarë, Athinë

Më 27 shkurt 1952 burimet tona dorëzuan raportin e mëposhtëm sipas kërkesës tonë mbi situatën e aktivitetit të refugjatëve shqiptarë në Athinë. Vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet identifikimit të … si agjent i shërbimeve greke dhe versionit për afrimin e tij në shërbimin tonë. Me interes të veçantë konsiderohen pikëpamjet e Hamit Matjanit, në lidhje me mundësitë aktuale dhe të ardhshme për operacione në Shqipëri.

Numri dhe vendndodhja e refugjatëve në Greqi

Ka rreth 300-320 refugjatë shqiptarë në kampin e Lavrion, rreth 40 km larg Athinës; 25-35 prej tyre jetojnë në afërsi të Athinës, ndërsa rreth 40-50 të tjerë mbahen në kampin disiplinor të përqendrimit, bashkë me refugjatë të kombësive të tjera në ishullin e Siros.

Figurat kryesore

Përfaqësuesi kryesor i partisë Balli-Agrare është ish-komunisti Skënder Duma, nip i kolonelit të njohur komunist Petrit Duma, komandant i njësive të mbrojtjes popullore të Korçës. Partia e legalitetit përfaaqësohet nga Myftar Spahiu, mbështetës fanatik i mbretit Zog. Blloku Kombëtar Indipendent përfaqësohet nga Isa Toptani, i cili kalon shumicën e kohës në Athinë, i cili gjithashtu merr pjesë në aktivitetet e NCFA, por përgjithësisht konsiderohet si agjent i shërbimeve greke. Ai udhëton shpesh në Athinë, Romë, Paris, Londër e Munih, dhe natyra e vërtetë e aktivitete është e papërcaktuar.

Roli i liderëve politikë

Të gjithë personazhet e përmendur më sipër kanë ca më pak e ca më shumë kontakte me shërbimet greke të inteligjencës. Duke vepruar për llogari të partive të tyre respektive, me qëllim kryesor ruajtjen e moralit të mbështetësve të tyre, atyre u kërkohet të raportojnë te liderit politikë. Ky faktor politik bën që siguria e tyre të jetë e dobët dhe ato që duhet të jenë informacione të rezervuara herët e a vonë bëhen objekt bisede mes të gjithë rretheve të emigrantëve shqiptarë në Athinë. Kjo situatë është konfirmuar nga burimet tona dhe nga gjenerali grek Nikolopulos, i cili thotë se rrejti i tij është i mirinformuar për aktivitetet e shqiptarëve në Greqi dhe vende të tjera, si rezultat i korrespondencës me shqiptarëve në vend.

28 vjeçari shqiptar … është një agjent grek dhe amerikan. Ai ka lindur në Gjirokastër dhe më parë ka qenë komunist aktiv dhe partizan në përpjekjen kundër pushtuesve fashistë dhe gjermanë. Më vonë ai u punësua në minsitrinë e punëve publike pas luftës. Me detyrën e tij ka bërë disa udhëtime në Beograd e Moskë. Është arratisur drejt Greqisë në vitin 1948 dhe më vonë është lëshuar disa herë me parashutë në Shqipëri me misione inteligjence. Detyra e tij aktuale është të raportojë mbi lëvizjet dhe bisedat e bashkë-atdhetarëve të tij në Athinë.

18 mars 1953

Raport i përmuajshëm i operacioneve 15 shkurt – 15 mars 1953

Çështja kryesore e kësaj periudhe është sigurisht vdekja e Stalinit dhe zëvendësimi i tij me Malenkovin. Ne i kemi interpretuar këto rrethana me objektivat tanë, duke hedhur dyshime se Stalini është vrarë nga Malenkov dhe klika e tij. Vetë Malenkov për përshkruhet si akoma më i ligë e më imperialist sesa Stalini, dhe se pozita e tij është e pasigurt, çka shpjegohet me mbështetjen e tij te policia sekrete dhe ushtria. Kemi theksuar në materialet e propagandës se edhe spastrimet në Shqipëri vijnë si rezultat i fushatës së Malenkov për të konsoliduar pushtetin e tij, dhe se situata e paqëndrueshme në Shqipëri bie në kontrast me unitetin e vendeve të tjera të Ballkanit, në të cilat ftohet edhe Shqipëria të bëjë pjesë. Tema të tjera të trajtuara gjatë kësaj periudhe ishin nxitjet për dezertime të anëtarëve të partisë komuniste si dhe vënia e theksit negativ ndaj huasë së tretë shtetërore.

Transmetimet radio

Transmetimet klandestine në radio janë kryer çdo ditë me përjashtim të 18 e 25 shkurtit. Transmetimet nga ajri me avion u ndërprenë më 3 mars pasi u bë e qartë nga raportimet e grupit Apple Team që monitoronn nga Brindizi, se ato nuk dëgjoheshin në Shqipëri. Inxhenierët e komunikimeve mendonin se transmetuesi 50 vat që përdoret nga avioni, nuk është aq i fuqishëm për të transmetuar në zonat e caktuara. U informuam nga grupet se gjeneratorët me naftë për transmetuesit 2 dhe 3 mijë vat më në fund u liruar nga dogana greke dhe testimet e transmetimeve të nisin pas 2 javësh. Më tej pritet që transmetimet e propagandës të rinisin me një sinjal rreth dhjetë herë më të fuqishëm sa më parë. Ardhja e transmetuesve të rinj përfaqëson një fazë të re të operacionit pasi jo vetëm që do të dëgjohet qartësisht në Shqipëri, por do të ofrojë opsione të reja të radiove klandestine si “transmetimet fantazëm” duke ndërprerë dhe transmetimet me valë të shkurtra të Radio Tiranës. Grupi i terrenit Apple Team na ka dërguar dy mesazhe për të na informuar se kanë mundur të dëgjojnë dy transmetimet, të mëngjesit dhe të drekës, por jo transmetimin e mbrëmjes. Ata për momentin nuk mund të jepnin informacione nëse popullsia po dëgjon dhe po influencohet nga propaganda jonë, por kanë premtuar të sjellin informacionin sa më shpejt që të jetë e mundur. Agjenti … pritet të largohet për në SHBA këtë muaj, por nuk i erdhi mirë që po zëvendësohej nga dikush tjetër me vizë prioritare. Ai dhe Juka po presin lajme për kuotat e tyre. Agjenti … ka kërkuar që të dërgohet … në Athinë, dhe që të jepen lejet për Niko Papalili dhe Thanas Gegën, duke marrë në konsideratë punën e madhe për projektin e shkrimit e librit mbi komunizmin në Shqipëri.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here