Hapet tenderi për ndërtimin e termocentralit të ri 1 miliard eurosh në Kosovë

0
30

Prodhuesi amerikan i energjisë elektrike, ContourGlobal, ka njoftuar se ka hapur një tender për ndërtimin e një termocentrali me qymyr në Kosovë, që pritet të kushtojë rreth 1 miliard euro, apo 1.2 miliard dollarë amerikanë.
Ky do të jetë investimi më i madh në energji në pothuajse tri dekada në Kosovë, teksa vendi ende ka telashe me mungesë të energjisë së mjaftueshme, raporton agjencia ndërkombëtare e lajmeve, Reuters.

Rreth 90 për qind e energjisë elektrike në vend prodhohet në dy termocentrale të vjetra me qymyr, të cilat janë ndër ndotësit më të mëdhenj në Evropë, transmeton Gazeta Express.

“Procesi i përzgjedhjes përbëhet nga një tender konkurrues ndërkombëtar prej dy fazash, në përputhje me Rregulloren e Prokurimit të Bankës Botërore”, ka bërë të ditur ContourGlobal, nëpërmjet një deklarate që i ka dërguar Reuters’it, nëpërmjet postës elektronike.

“Ai përbëhet nga një proces fillestar i përzgjedhjes, i pasuar nga kërkesat për propozime”, ka treguar kompania me seli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke shtuar se afati i fundit për aplikime për përzgjedhjen fillestare është 2 gushti i sivjetmë.

Banka Botërore ka thënë javën e kaluar se ende nuk ka vendosur nëse do ta mbështesë këtë projekt.

Qeveria e Kosovës i ka kërkuar organizatës huadhënëse javën e kaluar që të ofrojë garanci ndaj rrezikut në investim në këtë projekt, në mënyrë që të mund të ofroheshin kredi më të lira për ndërtimin e termocentralit.

Kosova ka rezerva të dëshmuara të linjitit prej më shumë se 14 miliard tonësh, që përbën sasinë e pestë më të madhe në krejt botën.

Nëse Banka Botërore nuk e jep mbështetjen e saj, mbetet e paqartë se si do të ecën tutje projekti.

Qeveria më parë ka thënë se projekti pritet t’i ndihmojë ekonomisë së Kosovës që të rritet për 5 apo 6 për qind gjatë viteve të ardhshme, nga 3.7 për qind më 2017.

Ambientalistët janë ankuar se termocentrali do të mund ta izolonte Kosovën në një të ardhme të varur nga linjiti – që është forma më e ndytë e qymyrit.

Por, ContourGlobal ka thënë se termocentrali i ri do të përmirësojë cilësinë e ajrit, duke i reduktuar lëshimet nga dy termocentralet që aktualisht e ndotin zonën, njëri prej të cilëve do të mbyllet.

“Lëshimet e pluhurit do të reduktohen për 93 për qind, përderisa ato të oksideve të sulfurit dhe oksideve të nitrogjenit do të reduktohen për 84, përkatësisht 93 për qind, ndërsa lëshimet e dyoksidit të karbonit do zvogëlohen për 37 për qind”, ka thënë ContourGlobal.

Kompania amerikane po ashtu ka thënë se shpreson të sigurojë një bashkëpronar deri në fund të këtij viti, ose në fillim të 2019’s.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here