ATK pretendon se Milaim Zeka, me dy kompani, u iku tatimeve rreth 80 mijë €

0
38
Në një dosje ekskluzive të siguruar nga Gazeta Jeta në Kosovë, Administrata Tatimore pretendon se deputeti Milaim Zeka i ka ikur tatimit ndaj Republikës së Kosovës për rreth 80 mijë euro.

Raporti i hetimit pretendon se shmangie ishte kryer në mes viteve 2012- 2017 nga dy bizneset e Zekës, Qendra Mediale “Mozaiku i Kosovës” dhe “Ilir Krasniqi & Milaim Zeka” OP. Në raportin Hetues të Administratës Tatimore janë dhënë detaje të shmangies se pretenduar tatimore edhe të ish-ortaku i Zekës, Ilir Krasniqi.

Departamenti i Hetimeve Tatimore dhe Inteligjencës bazuar në dosjen hetimore, pretendon se Milaim Zeka në cilësinë e pronarit të biznesit Qendra Mediale “Mozaiku i Kosovës”, për periudhat 2012-2017 i është shmangur tatimit në të ardhurat personale, kontributeve pensionale për pronarin, tatimit të mbajtur në burim për pagat e punëtorëve dhe kontributet pensionale për punëtorë. Vlera e përgjithshme që ATK-ja pretendon se Zeka i ka ikur tatimit në vlerë prej 81 mijë e 192 euro e 72 cent.

Në këtë raport thuhet se Zeka i ka deklaruar vetëm 11,400 euro në vitin 2012, ndërsa nga viti 2013 e deri në vitin 2017 nuk ka deklaruar asgjë. Ndërkohë, në tabelën e pasqyruar në raportin e ATK-së, thuhet se bizneset e Zekës kanë pasur një qarkullim prej 536 mijë e 197 euro nga viti 2012 deri në vitin 2017.

Me këtë qarkullim që ka pasur, ATK-ja pretendon se janë bërë shmangie tatimore vjetore për secilin nga 6 vitet e kaluara. Në total, shmangia e pretenduar e bizneseve të Zekës nga Tatimi në të Ardhurat Tatimore vjetore për gjashtë vjet (2012-2017) ishte 49 mijë e 570 euro. Shmangia nga kontributet pensionale të pronarit, sipas ATK-së, ishte 12 mijë e 585 euro. Madje, raporti konstaton se nuk u janë paguar tatimet punëtorëve.

Në raport thuhet se shmangia nga “kontributet Pensionale për Punëtor për vitet 2012, 2013, 2014, 2015, 2016 dhe 2017 ishte në vlerë prej: 11,258 euro”. Kurse, shmangia nga tatimet në Burim për paga të punëtorëve ishte në vlerë prej 6 mijë e 778 euro.

Këto borxhe, nga hetuesit e ATK-ja janë llogaritur për dy bizneset e Zekës.

“Me rastin e precesimit të kontrollit të kryer në sistemin e ATK-së SIGTAS, kemi ndryshe, ku sistemi i ka bashkuar të ardhurat nga ortakëria dhe nga biznesi individual i të pandehurit Milaim Zeka me një numër fiskal, gjë të cilën e thotë edhe ligjit dhe për pasojë procedurat adminsitrative tatimore nuk përputhet me procedurën penalo tatimore. Veprat e shmangies tatimore kanë ndodhur ashtu sic i kemi cekur në raportin final hetues dhe mbesin të njëjta”, thuhet në raportin e ATK-së.

Gazeta jeta në Kosovë ka zbuluar se raporti tashmë është dorëzuar në prokurorinë e shtetit. Në raport kërkohet nga prokuroria e shtetit të nisin hetime për shmangie tatimore.

“Bazuar në dosjen finale të hetimit… është faktuar dyshimi i bazuar për të dyshuarit sipas pikës 4, VLERËSIMI FINAL, kanë kryer veprën penale të Shmangies nga Tatimi sipas nenin 313 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe nenit 63 të Ligjit për ATK-në dhe Procedurat duke e dëmtuar Buxhetin e Republikës së Kosovës”, thuhet në raportin e ATK-së.

Vet  Milaim Zeka në një bisedë për kallxo.com ka kontestuar konstatimet e ATK-së se ai i ka ikur tatimit me biznesin e tij.

“Në radhë të parë po them që as nuk i kam ikë shtetit, dhe ky është ni fabrikim absolut i Prokurorisë edhe i hetuesve të ATK-së. Është skandaloze, është shumë tendencioze dhe është vepër kriminale nga ana e prokurorisë speciale dhe hetuesve të ATK-së që një raport i tillë final me ra në dorë të mediave, para se me ra në dorën time”, tha Zeka.

Zeka pretendon se ka disa dokumentacione që vërtetojnë të kundërtën e konstatimeve të ATK, duke prezantuar deklaratën e siguruar nga ATK-ja ku thuhet se “personi është i regjistruar në ATK dhe nuk ka borxhe aktuale tatimore të pashlyera apo obligime tjera tatimore”.

“Më datën 31.07.2017 unë kam kërku një vërtetim nga ana e ATK-së se nuk kam asnjë obligim ndaj shtetit. Kam deklaru në vitin 2012, 2013, 2014, 2015, 2016 dhe 2017 në total 492,269.81  euro kam pas fitim 98,453.96 euro dhe i kam pagu shtetit 9,845.40 euro”, tha Zeka.

Por, në nenin 20 të ligjit për Administratën Tatimore dhe Procedurat thuhet se ATK mund të hetojë bizneset që dyshohet që i kanë ikur tatimit edhe 6 vite pas.

“Duke iu nënshtruar paragrafit 2. të këtij neni, të gjitha tatimet duhet të vlerësohen brenda gjashtë viteve nga data kur deklarata tatimore me të cilën lidhet vlerësimi ka qenë obligues, apo datën kur është paraqitur deklarata, cilado qoftë më e vona”, thuhet në ligj.

Ndërsa neni 2 i këtij ligji thotë se drejtori i përgjithshëm mund të bëjë vlerësimin në çdo kohë në rastin kur: një person, nuk ka dorëzuar deklaratën tatimore; një person, me synim të shmangies së tatimeve, ka dorëzuar një formular tatimor; apo sjellje mashtruese e një personi të tretë ka çuar në nën-raportimin e tatimit apo mbiraportimin e kreditimeve.

Pavarësisht që raportin e quan të fabrikuar, deputeti Zeka thotë se është I gatshëm ta paguaj tatimin nëse ai vërtetohet. Madje, Zeka thotë se e ka vizituar ATK-në menjëherë pas kërkesës për intervistë të bërë nga KALLXO.com

“Unë kam qenë në ATK në momentin kur m’ke thirr tin ë telefon dhe u kam thanë se nëse vërtet është ndonjë borxh që e kam ndaj ATK-së, hajde ta bojmë programimin. Ma boni ni programim 3 vjeçar dhe po e paguaj. Jam I gatshëm me pagu, kurdo që më thotë ATK”, tha ai.

Zeka thotë që është vetëm portal, dhe jo rafineri e naftës, dhe për vitet 2012-2017 I ka paguar tatim shtetit rreth 10 mijë euro. Tatimi i paguar, sipas Zekës, është vetëm për portalin e tij, por jo edhe për biznesin që kishte me Ilir Krasniqin, pasi sipas tij ky biznes ishte funksionuar vetëm një muaj.

“Unë jam portal, nuk jam rafineri e naftës. I kam pagu shteti 9 mijë e 845 euro… Biznesi me Ilir Krasniqin është regjistru në muajin qershor, në muajin korrik kam lypë fshirjen e biznesit”, tha ai.

Zeka thotë që ka ikje të tatimit me qëllim dhe pa qëllim, dhe se çfarëdo vendimi që merr ATK, ai do t’i përgjigjet shtetit.

“Në raport me shtetin, edhe në Suedi, në qoftë se ti deklaron te shteti, nuk koniderohet ikje e tatimit me qëllim. Unë kam deklaru, ATK mundet me thanë ke deklaru, po ke deklaru gabimisht dhe unë I përgjigjem se nuk po them që unë nuk i paguaj tatimet”, tha Zeka.

Zeka tha se dy herë ka dhënë deklaratë para prokurorëve, mirëpo thotë se është viktimë e liberalizimit të vizave.

“Këta prokurorët tonë kanë marrë një udhëzim nga Brukseli që për liberalizimin e vizave me I ndjek disa nga peshqit e mëdhenj, e në mesin e atyre peshqve t’mdhej m’kanë gjet mu”.

Raporti final hetues i ATK-së është përfunduar një muaj më herët, më 23 maj 2018.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here