Hungaria i dhuron Malit të Zi tela me gjemba për t’u mbrojtur nga emigrantët

0
95

Ministri i Punëve të Jashtme dhe i Tregtisë me Jashtë i Hungarisë, Peter Szijjarto, tha se vendi i tij do t’i dhurojë Malit të Zi tela me gjemba në gjatësi prej 25 kilometrash për ta mbrojtur kufirin e përbashkët me Shqipërinë prej emigrantëve.

I ndodhur për kontakte në Malin e Zi, ministri Szijjarto pretendoi se presioni i emigrantëve në rajonin e Ballkanit Perëndimor ka filluar të rritet dhe i ngjan situatës së vitit 2015.

Duke vënë në dukje se janë të informuar që situata në Greqi është më e rëndë se ajo e vitit 2015, Szijjarto mbrojti qëndrimin se për dallim nga situata e para tre vjetëve presioni i emigrantëve është më i theksuar në Shqipëri, Malin e Zi dhe Bosnje-Hercegovinë.

Szijjarto tërhoqi vëmendjen se emigrantët tani po krijojnë rrugë të reja dhe Hungaria është e gatshme ta ndihmojë Malin e Zi.

“Mbrojtja e kufijve të Malit të Zi është në interes të Budapestit. Forcat policore janë dakorduar për t’i siguruar Podgoricës tel me gjemba në gjatësi prej 25 kilometrash për ta ndaluar migrimin ilegal dhe për ta ruajtur zonën më të prekshme të kufirit mes Malit të Zi dhe Shqipërisë”, bëri të ditu Szijjarto.

Ndryshe, Hungaria njihet si vend që ka marrë masa kundër refugjatëve, duke vendosur forca policore dhe ushtarake shtesë në kufirin me Çekinë, Poloninë dhe Sllovakinë.

Hungaria po ashtu ka vendosur tela me gjemba në kufirin me Serbinë dhe Kroacinë për ta ndaluar fluksin e refugjatëve dhe ka shpallur gjendje të jashtazakonshme në zonat kufitare.

Ndërkohë, organizatat joqeveritare akuzojnë forcat hungareze të sigurisë për përdorimin e forcës ndaj refugjatëve që tentojnë të hyjnë në vend dhe largimin e tyre në drejtim të Serbisë.

Hungaria ka kundërshtuar edhe sistemin e kuotave të Bashkimit Evropian (BE) për pranimin e refugjatëve, megjithëse vendi ishte paraparë të pranonte 1 mijë e 294 refugjatë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here