Srebrenicë: Si raportuan boshnjakët historinë e tyre më traumatike

0
54
Me afrimin e përvjetorit të Srebrenicës, gazetarët boshnjakë kujtojnë sesi u bë e qartë dalëngadalë shkalla e mizorive në korrik 1995 pas ardhjes së informacioneve dhe pasi dëshmitarët e parë okularë të masakrave folën me gazetarët.

“Srebrenica po shndërrohet në një kasphanë të madhe. Të vrarët dhe të plagosurit po sillen vazhdimisht në spital. Është e pamundur ta përshkruash. Çdo sekondë, tre predha vdekjeprurëse bien mbi këtë qytet. Shtatëmbëdhjetë të vdekur sapo janë sjellë në spital, si edhe 57 persona të plagosur rëndë dhe lehtë. A do të vijë ndokush nga bota dhe të jetë dëshmitar i tragjedisë që po bie mbi Srebrenicën dhe banorët e saj?”

Këto ishin fjalët e fundit që do të transmetoheshin nga Nihad ‘Nino’ Catiq, një folës radioje amator nga Srebrenica.

Ndërsa forcat serbe të Bosnjës rrethonin enklavën, zëri i tij u dëgjua në valët e transmetimit për herë të fundit më 10 korrik 1995, kur bëri një raport për Radio Bosnjën dhe Hercegovinën.

Drejtori i kohës së luftës i Radio Bosnja dhe Hercegovinës, Milenko Vokciq, tha për BIRN se, ndërsa erdhën informacione mbi sulmin në Srebrenicë më 10 korrik, ai e ndiente se do të kishte “humbje jetësh të tmerrshme”.

“Kur morëm informacione për rënien e Srebrenicës, një heshtje e tmerrshme u përhap në mes të gjithë stafit që ishte në punë në atë kohë,” tha Vokciq.

“Isha aty kur morëm raportin e fundit të Nino Catiq. Toni i atij zëri na tregoi gjithçka.”

Sulmi mbi Srebrenicën, siç tregojnë vendimet e Gjykatës së Hagës, filloi më 6 korrik 1995 dhe përfundoi pesë ditë më vonë kur forcat e komanduara nga kreu ushtarak serb i Bosnjës, Ratko Mlladiq hyri në enklavë.

Srebrenicë, korrik 1995

Një nga viktimat ishte Catiqi, i cili kishte e kishte kaluar gjithë luftën duke qenë lidhja e vetme mes enklavës dhe radios dhe televizionit shtetëror boshnjak.

“Shtrihem në krevat dhe ngrihem me atë fjali në kokë: ‘Srebrenica po shndërrohet në një kasaphanë të madhe,” – tha nëna e tij Hajra Catiq.

“Dua të them, nuk largohet, nuk e harroj dot.”

Një nga burrat e paktë boshnjakë që mbijetoi pasi forcat e Mlladiqit hynë në enklavë ishte Hasan Nuhanoviq, i cili kishte punuar si përkthyes për misionin paqeruajtës të OKB-së. Babai dhe vëllai i tij, megjithatë, u vranë së bashku me më shumë se 7,000 burra dhe djem të tjerë.

Srebrenicë, korrik 1995

Disa vjet më parë, Nuhanoviq shkroi një libër në lidhje me raportimet e medias për Srebrenicën në korrik të vitit 1995, gjë që theksonte se si Catiq ishte lidhja e vetme e enklavës me botën e jashtme.

“Përveç Catiqit, e di që në atë zonë s’kishte asnjë tjetër në vitin 1995, kështu që Srebrenica nuk ishte e mbuluar aspak. Ajo nuk mbulohej nga mediat e huaja apo ato vendase,” tha Nuhanoviq.

Të mbijetuarit e parë tregojnë historitë e tyre

Srebrenicë, korrik 1995

Në korrik të vitit 1995, televizioni dhe radioja shtetërore, si edhe gazeta Oslobodjenje, operonin në Bosnje dhe Hercegovinë pavarësisht nga lufta që vazhdonte për redaktorët e tyre thonë se morën shumë pak informacione nga Srebrenica në ditët që paraprinë sulmin.

“Praktikisht ne merrnim shumë rrallë informacione nga enklava dhe kjo ekskluzivisht falë operatorëve radiotelevizivë amatorë dhe shumë shpesh, në shumicën e rasteve, nëpërmjet zyrës sonë në Tuzla,” tha redaktori i kohës së luftës i Oslobodjenje, Mehmed Haliloviq.

Një ditë pas raportit të fundit të Catiq, kishte heshtje, kujton Milenko Vockiq.

“Tashmë kishte fjalë për një numër të madh të ndaluarish dhe, siç thanë në atë kohë, mundësitë ishin të kishte edhe të vrarë. Kështu që praktikisht, diku pas 12 korrikut filluam të kuptonim qëllimin e këtij krimi,” tha ai.

Më 11 korrik, spiranca e edicionit kryesor të lajmeve në televizionin shtetëror të Bosnjës ishte Duska Jurisiq.

Jurisiq tha për BIRN se ajo ende e kujton shumë mirë atë ditë, pasi kishte “një lloj ndjesie se ishte gati të ndodhte diçka e tmerrshme” në Srebrenicë, e cila ishte nën mbrojtjen e OKB-së.

Srebrenicë, korrik 1995

“Duhet ta pranoj se isha shumë skeptike se komuniteti ndërkombëtar do të ndërhynte pas tre vjet lufte për të shpëtuar Srebrenicën,” tha ajo.

“Në orët e pasdites, kryeministri i Republikës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Haris Silajxhiq, erdhi në ndërtesën e televizionit. Ai krijoi komunikim me radio nëpërmjet linjave të ushtrisë me Srebrenicën. Kjo ishte hera e parë që pashë Haris Silajxhiq shumë të trishtuar. Ai ishte vërtet i trishtuar. Ata shkëmbyen informacione dhe në një pikë, lidhja ra dhe Haris Silajxhiq tha: ‘Mori fund.”

Të nesërmen, më 12 korrik, mijëra gra, fëmijë dhe burra të moshuar nga enklava arritën në autobusë në Tuzla, e cila ishte nën kontrollin e Ushtrisë Boshnjake. Aty i prisnin gazetarët që raportuan për herë të parë se forcat serbe i kishin ndarë nga burrat boshnjakë të Srebrenicën.

“Shumë shpejt u bë e qartë se ky ishte një krim masiv”

Srebrenicë, korrik 1995

Ndërkohë shumë burrat dhe djemtë u përpoqën të arratiseshin nëpërmjet pyjeve drejt Tuzlës në një përpjekje për të gjetur siguri, por shumë prej tyre nuk mbijetuan.

“Më 13 korrik, në anë të rrugës, pamë një grua dhe një burrë të vjetër. Ata ishin ulur përtokë dhe mbanin kokën me duar. Iu afrova dhe e pyeta: “Nëno, si je?” Ajo po qante,” kujton Almasa Haxhiq, një gazetare nga Tuzla.

Haxhiq e pyeti të moshuarën se çfarë problemi kishte. Ajo u përgjigj: «Pesë djem u nisën përmes pyllit. M’i kanë vrarë të gjithë.”

Srebrenicë, korrik 1995

Gazetarja i tha se me siguri ata do të mbërrinin në Tuzla, por gruaja u përgjigj se djemtë e saj tashmë kishin vdekur në Kravica, pranë Konjevic Polje, ku më shumë se 1,000 burra dhe djem u vranë në një magazinë bujqësore – e para e një serie masakrash sistematike të boshnjakëve nga Srebrenica nga forcat serbe të Bosnjës. Ajo tha se djemtë e saj ishin atje “si dengje kashte”.

Pak ditë pas mbërritjes së grave dhe fëmijëve, grupet e burrave filluan të mbërrinin në Tuzla, ata që kishin mbetur nga grupi i boshnjakëve që ishte arratisur përmes pyllit.

Ahmed Bajriq, një fotoreporter i kohës së luftës nga Tuzla, ishte i pari që i priti dhe ai fotografoi ata që ai i kujton si “burra të lodhur, në gjendje të mjerë dhe tepër të lodhur”.

“Disa prej tyre përshkruan situatën dhe atë që po ndodhte atje, ata folën për kolonat e boshnjakëve që përpiqeshin të arratiseshin dhe kapeshin, rruga që u bllokohej, përdorimi i gazit helmues, prita dhe gjëra nga më të ndryshmet që u kishin bërë atyre,” tha Bajriq.

Një nga gazetarët që foli i pari me të mbijetuarit ishte gazetari i Oslobodjenje, Vehid Jahiq.

Srebrenicë, korrik 1995

“Ata po flisnin për vrasje masive. Më kujtohet një grua nga Srebrenica e quajtur Hanka Muminoviq që më thoshte se i kishin mbajtur në Potocari dhe ajo kishte dalë të merrte ujë a diçka e ngjashme dhe kishte numëruar me dhjetëra kufoma njerëzish të vrarë,” tha Jahiq.

“Ata morën të gjithë burrat nën moshën 70 vjeç, si edhe adoleshentët, dhe i vranë.”

Hasan Nuhanoviq tha se analiza e tij mediatike tregon se se raporti i parë për vrasjet ishte më 16 korrik, pas ardhjes së burrave që arritën të mbërrinin në Tuzla. Forca paqeruajtëse e OKB-së UNPROFOR, e cila kishte një bazë në Potocari pranë Srebrenicës me trupa holandeze, nuk kishte dhënë asnjë informacion rreth masakrave deri në atë pikë.

“Ushtarët holandezë në Potocari nuk ndanë asnjë informacion me mediat tona apo cilindo që mund t’ia përcillte atë publikut, edhe pse ata kishin informacione dhe e dinin atë që po ndodhte në terren në lidhje me ekzekutimet masive,” tha Nuhanoviq, i cili fitoi një çështje kundër forcave paqeruajtëse holandeze të OKB-së për lejimin e vdekjes së familjes së tij.

Srebrenicë, korrik 1995

UNPROFOR bënte çdo ditë raportime të shkurtra, kujton Vockiq, por “mund të kuptonim shumë pak nga ato konferenca shtypi dhe informacionet që po merrnim. Ato ishin vetëm fraza të përgjithshme”.

Në ditët që pasuan, mediat boshnjake dhe ndërkombëtare filluan të mbështesnin raportimin për masakrat, gjë e cila raportoi mbërritjen e hetuesve të parë nga gjykata e OKB-së në Hagë dhe përfundimisht paditë për gjenocid.

“Shumë shpejt u bë e qartë se ishte një krim masiv,” tha Jurisiq.

Zëri i Nino Catiq u dëgjua për herë të fundit në transmetim pak para se ai, njësoj si mijëra burra dhe djem të tjerë nga Srebrenica, u vra. Gazetari i guximshëm nga Srebrenica është bërë një nga simbolet e vuajtjeve të tij, por gazetarët e tjerë e shohin atë gjithashtu edhe si një simbol të angazhimit ndaj profesionit.

Srebrenicë, korrik 1995

Trupi i Catiq ende nuk është gjetur.

“Çfarë mund të themi, kaq shumë vite pas krimeve në Srebrenicë, duke e ditur që vazhdojnë ende kërkimet për eshtrat e Nino Catiq?” pyeti Jurisiq.

“Kanë kaluar njëzet e tre vjet që nga Srebrenica. Dhe për aq kohë sa nuk gjenden eshtrat e çdo viktime, Bosnja dhe Hercegovina do të përballet me probleme. Problemi është edhe më i madh për shkak të mohimit të tmerrshëm, i cili është padyshim faza e fundit e gjenocidit. Gjetja e eshtrave të Nino Catiq dhe të të gjithë të tjerëve është thelbësore për të ardhmen tonë.”/BIRN/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here