Duhen ulur apo jo tarifat për fluturimet? Qeveria hap tenderin për analizën e Rinasit

0
29

Është shpallur zyrtarisht tenderi për të përzgjedhur kompaninë eksperte, e cila do të bëjë kontrollin ekonomik dhe financiar të koncesionarit të aeroportit të Rinasit.

Brenda Gushtit do të përzgjidhet firma që do të bëjë një audit të bilanceve dhe investimeve të aeroportit të Tiranës, e që më pas do t’i krahasojë ato me fitimet që realizon koncesionari përmes tarifimit të kompanive të fluturimit dhe qytetarëve.

Mendimi i ekspertit në bazë të kontratës do të jetë deçiziv për të përcaktuar nëse aeroporti i vetëm në Shqipëri duhet apo jo të ulë tarifat.

Fakti që kërkesa për rishikimin ekonomik po bëhet nga autoritetet shtetërore, tregon se vetë qeveria është e pakënaqur me mënyrën se si po e zbatohet kontrata nga kjo kompani, e se ka fakte e argumente për të ulur çmimet që u vendosen linjave ajrore.

Kjo e drejtë i lind palës shtetërore në bazë të nenit 19.4 të kontratës me Tirana International Airport, i cili sanksionon se në bazë të rezultateve të ekspertit, palët do të amendojnë kontratën për të rikthyer ekuilibrin ekonomik të koncesionit në përputhje me praktikën më të mirë të kësaj industrie.

Në total konsulentit do t’i jepen 290 mijë dollarë për të bërë analizën brenda 4 muajve.

Sipas përpunimit të të dhënave nga Televizioni Klan, rezultoi se aeroporti i Tiranës vendos tarifa 2 deri në 3 herë më të larta se rajoni, duke lënë vend të hapur për dyshime se po abuzon me situatën monopol që ka në treg. Vetë autoriteti i konkurrencës ka kërkuar në disa vendime liberalizim të shërbimeve aeroportuale, rekomandime që deri më sot nuk janë zbatuar./Klan

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here