Dhënia e vizave pa kontratë pune mund ta lë Kosovën pa fuqi punëtore të kualifikuar

0
153
uke parë kërkesën e madhe për fuqi punëtore në shtetin gjerman, ministri i Punës, Hubeertus Hei, me qëllim të lehtësimit të procedurave, ka propozuar që nga shtatori vizat e punës të lëshohen pa pasur kontratë pune.

Sipas ekonomistit Naim Gashi, nëse ky vendim hyn në fuqi, të rinjtë nga vendet e Ballkanit, e sidomos nga Kosova, do t’i rrisin kërkesat për viza pune.

Gashi në një prononcim për Ekonomia Online ka thënë se intensiteti i rritjes ekonomike të ekonomisë gjermane po kërkon një fuqi punëtore të kualifikuar, e cila nuk po plotësohet brenda Gjermanisë.

Sipas tij, kjo është arsyeja pse shteti gjerman po shikon inkurajimin e punëtorëve të rinj, e sidomos nga vendet e Ballkanit, të shkojnë për të punuar në Gjermani.

”Sa i përket këtij vendimi, unë mendoj se vendet e Ballkanit gradualisht po ballafaqohen me “ikjen e trurit”, për arsye se pjesa dërrmuese e fuqisë së kualifikuar punëtore gradualisht po shkon nga vendet e Ballkanit drejt vendeve perëndimore, kryesisht në Gjermani, si fuqia më e madhe ekonomike brenda BE-së”.

“Kjo në njëfarë forme do të shkaktojë një hendek goxha të madh te vendet e Ballkanit, duke përfshirë edhe Kosovën, sepse fuqia e kualifikuar punëtore po ikë dhe tregu i Kosovës do të ketë mungesa të këtyre punëtorëve”.

Gashi tha se aktualisht tregu i Kosovës ka mungesa sa i përket fuqisë së kualifikuar punëtore, dhe nëse do të realizohet ky vendim, sipas tij, problemi do të rritet edhe më shumë.

“Shkuarja me viza pune në Gjermani dhe vende të tjera të BE-së është e mirëseardhur për familjet, sepse e ngrit standardin e familjeve dhe pas një kohe të caktuar ata kanë të drejtë t’i bartin edhe anëtarët e familjes. Mirëpo, shikuar nga këndvështrimi i shtetit të Kosovës dhe ekonomisë së Kosovës, ikja e fuqisë së kualifikuar të punëtorëve në perspektivë afatgjatë është jashtëzakonisht e dëmshme, sepse tregu i punës në Kosovë do të mbetet pa resursin kryesor dhe ai është resursi human”.

“Resursi kryesor i zhvillimit ekonomik të Kosovës nuk janë potencialet natyrore, e as minierat, e as kapacitetet tjera. Resursi kryesor për zhvillimin e Kosovës është popullata e re dhe fuqia punëtore e kualifikuar. Fatkeqësisht kjo fuqi punëtore nuk po aktivizohet në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit”, tha Gashi.

Ndërsa, nga Ambasada Gjermane në Prishtinë për Ekonomia Online kanë thënë se rregulla e re e Udhëzimit të Punës e vitit 2016 ka rezultuar me shtimin e numrit më të madh të kërkesave për viza të punës për qytetarët e shteteve të Ballkanit, raporton EO.

“Në vitin 2016 nëpërmjet një rregulle të re të Udhëzimit të Punësimit është lehtësuar fillimi i punësimit në Gjermani për qytetarët e shteteve të Ballkanit. Kjo ka çuar në shtimin e dukshëm të kërkesave për viza pune”.

“Qeveria Federale nuk ka miratuar rregulla të reja për përshpejtimin e procedurave për viza. Gjithashtu nuk është e ditur nëse Ligji për Migrimin (e fuqisë punëtore të kualifikuar) që plotësohet nga njëra prej ministrive përkatëse do të përmbajë masa përkitazi me këtë”, shton ambasada.

Ambasada Gjermane në Prishtinë thotë se vonesa dhe pritja për caktimin e termineve nuk ka të bëjë me kohën e shqyrtimit të kontratave të punës, pasi që Ambasada Gjermane vazhdimisht ka shtuar kapacitetet e stafit të saj për përpunimin e kërkesave të vizave, por megjithatë kërkesat për viza i tejkalojnë kapacitetet dhe pritja për termine, sipas tyre, është e pamënjanueshme.

“Ambasada Gjermane në vitet e kaluara i ka shtuar dukshëm kapacitetet e saj për përpunimin e kërkesave për viza dhe edhe këtë vit sektori i vizave do të përforcohet me personel. Mirëpo kërkesa për viza edhe më tutje i tejkalon dukshëm kapacitetet tona, ashtu që koha e pritjes është e pamënjanueshme”, shkruan Ambasada Gjermane në Prishtinë.

Më tej, Ambasada Gjermane në Prishtinë tregon se vetëm gjatë vitit 2017 kanë qenë rreth 50 mijë kërkesa për viza.

“Ambasada Gjermane në Prishtinë në vitin 2017 i ka përpunuar rreth 50.000 kërkesa për viza. Mes tyre gjenden kërkesa për udhëtime afatshkurta (turizëm, udhëtime afariste, etj.), ashtu sikurse edhe për qëndrime afatgjata (punësim, studime, bashkim familjar, etj). Për vitin 2018 parashihet që numri i kërkesave të përpunuara të sillet rreth nivelit të periudhës krahasuese me vitin 2017”, përfundon ambasada.

Pas këtij propozimi, disa kosovarë të cilët kanë aplikuar për viza të punës, apo mendojnë të aplikojnë, thonë se ky vendim do t’ua lehtësojë procedurat.

Pos kësaj, sipas tyre, ky vendim do t’i inkurajojë edhe më shumë të aplikojnë për një vizë pune në shtetet perëndimore, pasi që shteti i Kosovës nuk po ua përmbush kërkesat dhe nevojat financiare.

Studenti Liridon Gashi tha që në të ardhmen mendon të aplikojë për vizë pune dhe të shpërngulet në një vend tjetër, pasi që edhe pse aktualisht është në studime, ai nuk e mendon të ardhmen në Kosovë sepse, sipas tij, ka mungesë perspektive.

“Ka me na e lehtësu më shumë edhe kanë qef rinia më shumë me dalë jashtë, se këtu po e shohim që nuk ka sen”, shtoi ai.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here