Në Mal të Zi investitor më i madh është NATO, në Maqedoni – Bahamas

0
39

A mundet qytetarët e Maqedonisë të presin rritje të vëllimit të investimeve të huaja, dhe me atë të hapen vente të reja të punës nëse ka sukses referendumi për pranimin e Marrëveshjes me Greqinë, që do të rezultonte me përshpejtimin e anëtarësimit të vendit në NATO, është pyetja që meriton kujdes duke e pasur parasysh që po afrohet 30 shtatori, dita kur është caktuar votimi për referendumin, shkruan “Meta” dhe Portalb.mk.

Përvojat e “freskëta” të Malit të Zi, vend i cili një dekadë nga fillimi i rrugës drejt NATO-s  u bë anëtare e plotë e aleancës në qershor të vitit  të kaluar, i sugjerojnë përgjigjet për këtë pyetje. Banka Qendrore e Malit të Zi i ka publikuar të dhënat për investimet e huaja direkte të cilat zbulojnë se në gjysmën e parë të vitit ka dyfishim të investimeve nga vendet-anëtare të NATO-s në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kur vendi ende nuk ka qenë anëtare e Aleancës.

Në gjysmën e parë të vitit 2018-të në Mal të Zi kanë hyrë investime të huaja direkte me vlerë të përgjithshme prej 403.5 milionë euro, ndërkaq prej tyre 215.2 milionë euro kanë qenë prej vendeve anëtare të NATO-s, që është ndjeshëm më shumë në krahasim me periudhën e vitit paraprak kur vendet e paktit euroatlantik kanë investuar 96.6 milionë euro në ekonominë malazeze. Investitorë më të mëdhenj nga NATO në Mal të Zi këtë vit janë Italia, e cila është në vendin e parë të listës së investitorëve të huaj që kanë investuar 72 milionë euro, Hungaria (54 milionë euro), Turqia (29 milionë euro) dhe Belgjika (11 milionë euro).

Nga ana tjetër, të dhënat më të reja për investimet e huaja direkte të Bankës Popullore ë Maqedonisë zbulojnë se në gjysmën e parë të vitit investitorët e huaj në vend kanë investuar 325 milionë euro.

Megjithatë, për dallim nga Mali i Zi, ku investitor më i madh është Italia, në Maqedoni investime më të mëdha, gjegjësisht 25.2 milionë euro kanë hyrë nga Bahamas. Të dhënat statistikore nga vitet e kaluara zbulojnë se shumë shpesh në krye të listës së investitorëve të huaj në vend paraqiten ishujt ekzotik, siç janë Sent Visent dhe Grenadini, Ishujt e Virxhinias dhe vende tjera që piratët më herët i kanë shfrytëzuar për fshehje të mallrave, ndërkaq sot shërbejnë si parajsa tatimi, të cilat biznesmenët i shfrytëzojnë që t’u ikin tatimeve ndaj vendit gjatë investimit të kapitalit.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here