Heqja e vizave afër, shtohen kërkesat për pasaportë biometrike

0
60

Në prag të liberalizimit të vizave, qytetarët po pajisen me të madhe me pasaporta biometrike. Sipas një ankete shumica e tyre mendojnë të largohen nga Kosova edhe pse qeveria thotë se ka nisur fushatë që të mos ketë largim masiv. Aktualisht mbi 1 milion qytetar janë të pajisur me pasaporta bimoetrike, vetëm sivjet kanë aplikuar rreth 200 mijë.

Ulja e pa punësisë dha përmirësimi i kushteve të jetesës për qytetarët e Republikës së Kosovës nuk kanë qenë kushte që do të duhej plotësoheshin për procesin e liberalizimit të vizave, duke bërë kështu që këto tema të lihen në harresë nga qeveritarët.

E për shkak të pa punësisë dhe kushteve të rënda të jetesës, në një raport të publikuar nga UNDP dhe USAID, thuhet se 60 për qind e të anketuarve e mendojnë largimin nga Kosova vetëm në tri vitet e ardhshme.

Sipas përgjigjeve të gjysmës së të anketuarve thuhet se Kosova nuk po ecën në drejtimin e duhur.

E këtë raport të UNDP-së më alarmant e bënë edhe fakti se vetëm gjatë këtij viti në Ministrinë e Punëve të Brendshme për ndërrim të pasaportës dhe  për pajisje me pasaportë biometrike kanë aplikuar rreth 200 mijë qytetarë.

Këtë për Gazetën Express e kanë konfirmuar nga zyra për komunikim në këtë ministri.

“Prej  01.01 2018 deri me sot 14.09.2018  janë pajisur 187561 qytetar me pasaporta biometrike”, thuhet në përgjigje.

Ndërkohë në total, numri i kosovarëve të cilët janë të pajisur me pasaporta biometrike është 1 milion e 34 mijë e 949, që nënkupton se më shumë se gjysma e qytetarëve të Kosovës në rast të liberalizimit të do të kenë të drejtën për të udhëtuar në drejtim të vendeve të BE-së.

Zëdhënësja e Qeverisë së Republikës, Donjeta Gashi, në një prononcim për Gazetën Express, thotë se tashmë ka nisur një fushatë vetëdijesuese që të mos ketë largime masive të qytetarëve në rast të liberalizimit të vizave.

“Tashmë ka nisur fushata vetëdijesuese nga Ministria e Integrimeve Evropiane në koordinim gjithmonë me Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe me akterët tjerë ndërkombëtarë. E mira është që me liberalizim të vizave nuk do të ketë emigrant”, ka thënë Gashi.

Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se ekziston rreziku që liberalizimi i vizave të keqpërdoret, dhe sipas tij institucionet duhet të kenë kujdes që të mos lejojnë asnjë keqpërdorim.

“Çdoherë ekziston rreziku potencial se liberalizimi i vizave mund të keqpërdoret, jo vetëm nga kosovarët por nga shtetasit e të gjitha shteteve që kanë marrë liberalizimin për zonën Shengen edhe në të kaluarën. Është fakt i njohur që numër i madh i qytetarëve të Kosovës duan të dalin jashtë Kosovës, por liberalizimi nuk është përgjigja e duhur. Për këtë proces aplikohen rregulla strikte, dhe mundësia me abuzim është goxha e limituar. Megjithatë, Republika e Kosovës duhet kushtuar shumë vëmendje dhe të mos lejoj assesi keqpërdorimin e lirisë së lëvizjes”, ka thënë Murati në një prononcim për Gazetën Express.

Sipas tij është  e nevojshme që në Kosovë të organizohen fushata vetëdijesuese për qytetarët, pasi sipas tij një pezullim i mundshëm i lirisë së lëvizjes do të dëmtonte Kosovën dhe raportet me BE-në.

“Për këtë arsye, në Kosovë duhet të organizohen trajnime e kampanja të ndryshme për t’u bërë me dije qytetarëve se çka nënkupton liberalizimi dhe cilat veprime janë të ndaluara. Një pezullim eventual i lirisë së lëvizjes do të ishte shumë i dëmshëm për vendin dhe raportet me BE-në në përgjithësi”, thotë Murati për Express.

Kujtojmë se Republika e Kosovës ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizim të vizave. Dje Parlamenti Evropian ka votuar pro liberalizimit të vizave, ndërsa vendimi përfundimtar për heqjen e vizave për kosovarët tashmë ka mbetur vetëm çështje kohe.

Gjatë ditës së djeshme në një prononcim për Gazetën Express, Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, ka shpjeguar edhe hapat që kanë mbetur deri tek liberalizimi i vizave.

“Pas diskutimeve në grupe punuese, procesi i liberalizimit votohet në Këshill, në nivelin e ambasadorëve permanentë të shteteve anëtare në Bruksel”, ka thënë Hoxhaj.

Ministrja ka sqaruar se prapë diskutimi kthehet në nivel të ministrave dhe pastaj në Parlament duhet të votohet me shumicë kualifikuese.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here